Udhëheqësit evropianë të ekstremit të djathtë shprehën mbështetjen e tyre për zëvendëskryeministrin e Italisë, Matteo Salvini, i cili përballet me mundësinë e dënimit deri me gjashtë vjet burgim, pasi kishte refuzuar që të lejonte ankorimin e një anijeje me migrantë më 2019, në kohën kur ishte ministër i Brendshëm.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, dhe nacionalisti holandez, Greet Wilders, iu bashkuan politikanëve të tjerë nga e mbarë Evropa për t’u adresuar në tubimin vjetor të Partisë Liga të Salvinit, që u mbajt në Pondita në veri të Italisë.
“Ju jeni heroi ynë. Ne jemi me ju, prandaj kemi ardhur këtu”, tha Wilders, partia e të cilit, që është kundër islamit, për herë të parë gjatë këtij viti u bë pjesë e Qeverisë në Holandë, teksa ekstremi i djathtë ka shënuar rritje në kontinentin evropian.
Parti të ekstremit të djathtë në Evropë në qershor u bashkuan duke krijuar grupin e Patriotëve për Evropën – grupimi i tretë më i madh në Parlamentin Evropian – dhe këto parti synojnë të zvogëlojnë fuqinë e Brukselit dhe të ndalin imigrimin ilegal.
Muajin e kaluar, prokurorët kërkuan që Salvini të dënohet me gjashtë vjet burgim për shkak të vendimit të tij më 2019 për të pamundësuar zbarkimin e më shumë se 100 emigrantëve në Itali.
Prokurorët thanë se ai efekttivisht kishte rrëmbyer emigrantët, duke i detyruar që të qëndronin në det për pothuajse një javë, pavarësisht se kushtet në anijen e tyre ishin të këqija.
“Ai meriton të përgëzohet e jo të ndëshkohet”, tha Orban gjatë tubimit para mbështetësve të Salvinit. “Ai mbrojti shtëpitë e italianëve, ai po ashtu mbrojti Evropën”.
Seanca e radhës gjyqësore ndaj Salvinit është caktuar më 18 tetor, por ende është e paqartë se kur do të merret vendimi për rastin.
“Ata mund të arrestojnë një person që mbrojti kufijtë kombëtarë, por jo të gjithë njerëzit. Ata nuk mund ta ndalin aleancën e shenjtë të popujve evropianë që lindi sot në Pontida”, tha Salvini.
Orban tha se ndjenja antimigrante është përhapur në mbarë Evropën dhe kërcënoi se do t’i dërgojë azilkërkuesit në Bruksel nëse Gjykata Evropiane e Drejtësisë nuk shfuqizon vendimin për gjobë prej 1 milion eurosh në ditë për Hungarinë për shkak të shkeljeve të ligjeve për azil./REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co