A do t’i njohë Trump zgjedhjet në rast humbjeje?

a do ti njohe trump zgjedhjet ne rast humbjeje





































NGA AGRON LOCI AGRON LOCI

Pak përpara se të mbaheshin zgjedhjet presidenciale të 2020-s, Presidenti i asaj kohe, Donald Trump, duke ndjerë rrezikun e humbjes për shkak të avantazhit që tregonin shumë sondazhe të sfidantit Biden, në takimet e tij elektorale  filloi të deklaronte se: “Fitorja jonë në nëntor është e sigurt dhe se e vetmja mënyrë që ne të humbasim është nëse ato manipulohen nga demokratët”. Me një karakter të theksuar egocentrist, i mësuar në jetë të sfidojë, por jo të sfidohet, narcist me pretendimin qesharak se është “presidenti më i mirë në historinë e SHBA” dhe se ai është i “përzgjedhuri”, “misionari” për të shpëtuar vendin nga “ekstremi i majtë”, “socialistët e komunistët” nga “emigrantët” apo “biznesi i huaj”, Trump nuk mund ta pranonte humbjen.

Misioni i tij si “njeri i përzgjedhur”, siç ka dëshirë ta konsiderojë veten, duhej të shkonte deri në fund dhe nuk mund të ndërpritej qoftë edhe me votën e shtetasve amerikanë. Në fakt, me pretendimin për manipulimin e zgjedhjeve të 2020-s, synimi kryesor i tij ishte të bënte gjithçka për delegjitimimin e rezultatit në rast humbjeje. Këtë ai u përpoq të bënte menjëherë pas fitores së Biden duke filluar nga tentativa për manipulimin e vullnetit të zgjedhësve, siç u orvat të bënte në shtetin e Xhorxhias apo presioni ndaj zëvendësit tij Pence për të mos njohur rezultatin e deri te thirrjet për dhunë ndaj institucioneve, “të cilat duhej të ndaloheshin qoftë edhe me forcë për të legjitimuar zgjedhjet e manipuluara”, siç bëri ditën kur në Washington po certifikohej fitorja e Biden ndaj tij.

Ajo që ndodhi më 6 janar 2021, që nga shumë analistë konsiderohet si një ndër ditët më të zeza në historinë e SHBA, madje si një “turp”, në thelb është një tentativë e dështuar e Trump për grusht shteti, tentativë e një politikani të sfiduar nga vota e bashkëkombësve të tij, i cili përpoq përmes dhunës të sfidojë verdiktin e tyre. Pavarësisht, se atë ditë dhuna e nisur nga trampistët për fat të keq u shoqërua me viktima nga të dyja anët, autori dhe nxitësi i saj, ish-Presidenti, ende sot nuk ka kërkuar ndjesë, madje vazhdon që dhunuesit, vrasësit t’i konsiderojë “patriotë”. Pasi për politikanë si ai, zgjedhjet janë të mira kur i fiton dhe të manipuluara kur i humbet. Madje, edhe sot kur kanë kaluar katër vite dhe zgjedhjet e 2020 janë të certifikuara si të rregullta nga komisionet bipartizane, senatorë e guvernatorë, por edhe nga drejtësia, Trump vazhdon të insistojë se ato “zgjedhje ishin të manipuluara” dhe se ai “është fituesi real”.

Për fat të keq, edhe në fushatën aktuale kemi një deja vu me situatën e para katër viteve. Madje, ish-Presidenti e ka ashpërsuar deri në ekstrem retorikën si dhe vazhdon në çdo takim elektoral të akuzojë demokratët se po vënë në jetë një plan të detajuar për “manipulimin e zgjedhjeve” dhe se në rast fitore “të gjithë manipuluesit do të përballen me veprimin më të ashpër të ligjit, përfshi edhe drejtuesit më të lartë demokratë apo edhe sfidanten e tij”, të cilën jo në pak raste e kërcënon se do “ta dërgojë pas hekurave”. Strategjia e tij për të sabotuar e më pas për të delegjitimuar e mosnjohur rezultatin e zgjedhjeve në rast humbjeje, kësaj radhe duket më e sofistikuar dhe e shtrirë në dy plane. Së pari, përpos pretendimeve apriori se ai është fitues i padiskutueshëm i këtyre zgjedhjeve, gjatë tërë fushatës nuk ka reshtur së paraqituri realitetin në SHBA përmes një imazhi distopik.

Qëllimi është të krijojë tek elektorati, sidomos ai gri, frikën dhe pasigurinë për të jetuar në SHBA dhe se vetëm një individ si ai, ka aftësinë dhe vullnetin për të qenë “mbrojtësi” i tyre nga emigrantët dhe të huajt, vetëm ai mund “të rregullojë ekonominë”, vetëm ai mund “ta shpëtojë botën nga konfliktet dhe lufta e tretë botërore” dhe se vetëm ai mund ta bëjë Amerikën sërish të madhe, sërish të sigurt. Për të, SHBA ekonomikisht janë në nivelet e një vendi të botës së tretë, pasiguria mbizotëron në të tërë vendin, kryesisht për shkak të emigracionit të paligjshëm, pasi në SHBA një pjesë e madhe e atyre që kanë ardhur ilegalisht janë kriminelë që vijnë nga vende të pazhvilluara dhe me konflikte, madje shumë prej tyre janë të arratisur ose kontingjent i burgjeve të vendeve të origjinës dhe se pikërisht ky kontingjent ka marrë në dorë drejtimin në shumë pjesë të vendit. Për të gjithashtu SHBA kanë humbur peshën e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ajo që bie në sy në paraqitjen e situatës gjatë kësaj fushate është rritja deri në ekstrem e retorikës raciste, dehumanizuese ndaj emigrantëve, madje ai ka filluar t’i mëshojë fort teorisë konspirative të ekstremit të djathtë, hedhur për herë të parë në diskursin politik nga novelisti francez Renaud Camus atë të “zëvendësimit të madh”. Prej muajsh, ai fenomenin e emigracionit të paligjshëm, por edhe të ligjshëm, po e trajton si një dukuri që ka për qëllim final që “të zëvendësojë shtetasit e bardhë amerikanë me emigrantët me ngjyrë, duke i detyruar ata të largohen nga shtëpitë e tyre”. Për më tepër, ai shkon edhe më tej, teksa imagjinatën konspirative e shtrin deri atje teksa deklaron se “zgjedhjet amerikane janë të këqija, dhe se shumë emigrantëve ilegalë që vijnë tek ne, demokratët po përpiqen t’u japin të drejtën për të votuar”, duke deformuar kështu vullnetin politik të zgjedhësve amerikanë. Ky është shërbimi, sipas tij, që këta emigrantë të paligjshëm, kriminelë, të dhunshëm i bëjnë dyshes Biden Harris për politikën e tyre të emigracionit me qëllimin final ruajtjen e pushtetit.

Dhe gjithnjë sipas tij, në rast fitore të Harris, për shkak të politikës së saj të dyerve të hapura pa kriter për emigracionin, qytetet amerikanë do të kthehen në “skëterra të ngjashme me ato të botës së tretë”. Së dyti, përveç kësaj propagande dhe fushate me nota apokaliptike për realitetin amerikan, Trump kësaj radhe po merr masa të jashtëzakonshme organizative, madje duke tentuar të ndërhyjë edhe në amendimin e legjislacionit që rregullon procesin zgjedhor pasuar me një angazhim në rritje të strukturave të përkrahësve të tij, kryesisht pjesëtarë të bindur të MAGA por edhe guvernatorë, senatorë, kongresmenë e juristë për të bërë sa më të vështirë legjitimimin e zgjedhjeve në rast fitore të Harris. Kështu, në shtetin e Xhorxhias, një ndër shtetet që mund të jetë vendimtar për garën, bordi elektoral i këtij shteti përmes përfaqësuesve republikanë kanë vendosur që votat të numërohen me dorë dhe jo elektronikisht, duke bërë që procesi i numërimit të zgjasë dhe të vonohet shumë me synimin për të krijuar pakënaqësi dhe vënë më dyshim legjitimitetin e për rrjedhim rezultatin e tij.

I njohur për qëndrimet e tij mizogjene, seksiste, me rekorde negative për sjelljen ndaj grave, për më tepër me pozicionin e tij për çështjen e abortit, Trump e ka humbur betejën për të marrë mbështetjen e pjesës më të madhe të tyre në këto zgjedhje. Duke qenë në dijeni të kësaj situate, pak ditë më parë republikanët përmes kryetarit të dhomës së përfaqësuesve u përpoqën të kalonin një propozim për ndryshime legjislative të quajtur “save act”, i cili me synimin “për të garantuar ndershmërinë e garës” shkonte deri atje sa të propozonte që ditën e votimit komisionet përkatëse t’u kërkonin miliona grave amerikane të martuara të paraqisnin certifikatën me mbiemrin e vajzërisë dhe nëse nuk e bënin diçka të tillë, atyre t’u privohej e drejta për të votuar. Shumë i interesuar është Trump edhe për të mbajtur sa më të angazhuar strukturat e tij në bazë. Aktualisht ekziston një rrjet me rreth 175 mijë vullnetarë republikanë si vëzhgues zgjedhjesh, të cilët janë porositur, instruktuar si dhe janë të gatshëm për të ngritur pretendime të ndryshme për procesin, në rast se projeksionet tregojnë humbjen e tyre, duke krijuar kaos dhe vonesa.

Situata vetëm një muaj përpara ditës së votimit, duke pasur parasysh se sfidantët si asnjëherë më parë janë shumë pranë njëri-tjetrit, mund të shoqërohet nga kaosi, përplasjet, pretendimet dhe vonesa të shumta. Për tensionimin e mëtejshëm të saj shërbejnë edhe angazhimi dhe premtimet e shumë anëtarëve të MAGA, që janë shprehur të gatshëm të bëjnë gjithçka qoftë edhe me dhunë si ajo e 6 janarit të ‘21 për të mos lejuar “përsëritjen e një manipulimi zgjedhor të dytë nga ana e demokratëve”. Vetë Trump nuk e përjashton mundësinë e mosnjohjes së rezultatit në rast humbjeje, duke bërë që SHBA të përgatiten për stuhinë e radhës dhe kaosit pas zgjedhor.

Në kushtet e kërcënimeve të Trump se, “nuk do të njohë zgjedhjet” nëse njerëzit e tij e informojnë për parregullsi dhe se kjo mund të shoqërohet me situata të paparashikuara dhe të dhunshme ditët e fundit, Kongresi ka kërkuar nga institucionet e sigurisë federale të marrin masat për të evituar një 6 janar të dytë. Madje, kongresi ditën që do të bëhet certifikimi i zgjedhjeve e ka konsideruar si një moment shumë të veçantë dhe të rëndësishëm, që ka të bëjë me sigurinë kombëtare dhe Capitol-i atë ditë pritet të ruhet nga trupa të shumta speciale dhe nën masa të rrepta sigurie. Do të duhej që të dilte në skenën e politikës amerikane një politikan si Trump që njihet si frymëzues i kaosit, i përçarjes kombëtare, armik i sistemit liberal demokrat që ka në themelet e tij votën e lirë, që një proces i cili në SHBA prej shekujsh ka qenë normal dhe paqësor, siç është zgjedhja e presidentit dhe certifikimi i rezultatit, të kthehej në një çështje të sigurisë kombëtare.

Do të duhej që në SHBA të dilte në skenë një politikan i konvertuar në republikan, që përmes teorive konspirative me background racist për manipulimin e votës, të frymëzojë miliona mbështetës për të mësyrë dhe djegur institucionet më të rëndësishme në vend. Do të duhej që të vinte në politikë një politikan si Trump, që të godasë themelin e krijimit të SHBA, që është emigracioni, përmes premtimeve për dëbim në masë, ndërtimit të gardheve e mureve fizike, por edhe ndarjes e distancimit shpirtëror përmes konceptit të “tjetrit”, që për fat të keq ka gjetur një rezonancë të konsiderueshme në një pjesë të mirë të elektoratit amerikan. Por historia 250-vjeçare e SHBA na ka treguar se pa emigracionin dhe emigrantët, pa shpresën dhe mundësinë që të ofrojnë SHBA për prosperitet dhe mirëqenie ekonomike, për drejtësi e barazi sociale për të gjithë individët pavarësisht origjinës, gjuhës, apo ngjyrës së lëkurës, e materializuar prej shekujsh në ndërtimin e shtetit më demokratik dhe më të fuqishëm në historinë e njerëzimit, ne sot nuk do të flisnim për SHBA. Parë në këtë kontekst mund të thuhet se zgjedhjet e këtij viti përbëjnë një moment historik, por edhe kritik në historinë e SHBA.

Kjo është arsyeja që një numër shumë i madh politikanësh apo ish-politikanësh, mbështetës e anëtarë republikanë të dalin hapur kundër politikës e retorikës toksike trampiste me thekse raciste antikushtetuese e përçarëse, e cila nuk ka gjetur rezonancë dhe mirëkuptim tek ta. Ata janë grupuar nën moton “republikanët për Harris”, duke deklaruar hapur mbështetjen e tyre për zëvendëspresidenten. Për ta, në këto momente, ajo që prevalon është “atdheu mbi partinë”. Liz Cheney, një republikane e spikatur konservatore duke folur për Trump dhe ideologjinë trampiste dy ditë më parë do të deklaronte se, “vlera më e lartë e konservatorizmit amerikan është respekti dhe besnikëria ndaj Kushtetutës”. Madje, 5 nëntorin, ditën kur amerikanët do t’u drejtohen kutive të votimit, e konsideron si “momentin e provës” për popullin amerikan për të dënuar me votë një kandidat si ish-Presidenti, i cili “nuk ka asgjë të përbashkët” me konservatorizmin liberal dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar dhe funksionon partia republikane amerikane.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →