Ish-deputeti serb, Dragan Shormaz, nga partia e presidentit Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet sa më parë.
Shormaz ka theksuar se “është e rëndësishme që të përfundohet ky proces, pasi Bashkimi Evropian ka vendosur që deri në vitin 2030 të gjithë vendet e rajonit të jenë anëtare”.
Duke folur për situatën në veri të Kosovës, Shormaz ka kritikuar Vuçiç për menaxhimin e sulmit terrorist në Banjskë, i cili përfundoi me humbjen e policit Afrim Bunjaku.
Ai ka shtuar se ndryshimet në veri tashmë janë të dukshme, me serbët që marrin pasaporta kosovare dhe fillimin e pagesave të energjisë.
Shormaz gjithashtu ka theksuar se në Serbi pas sulmit terrorist menjëherë nisi një fushatë për zgjedhje, ndërsa çështja e situatës në veri është anashkaluar.
“Vuçiç ka shkatërruar vetveten me aksionin që ka përfunduar tragjikisht me katër jeta, të policit të Kosovës dhe serbëve. Është interesante se pas kësaj nis fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme, askush nuk flet për Banjskën. Ndërsa, ndodh që ndryshohen targat, serbët marrin pasaportat, marrin patentë shofer, dokumente personale, fillon të paguhet rryma. Në veri mbyllen zyrat postare të bankave, pompat e karburantit, dinari ndalohet, të gjitha këto kanë ndodhur ndërsa në Serbi askush nuk flet për këtë çështje”, ka deklaruar ai nw Rtv Dukagjini.