Trump-Harris, mes reformave ose statuskuosë në SHBA!

trump harris mes reformave ose statuskuose ne shba





































NGA GJENERAL PIRO AHMETAJ piroahmetajkk

Kanë mbetur rreth 30 ditë, establishmenti politik, mediat dhe opinioni publik në Washington si dhe kryeqytetet e BE, NATO-s etj. janë të fokusuara në zgjedhjen e Presidentit të 47 të SHBA-ve. Në garë është rikthyer fuqishëm biznesmeni-republikan Donald Trump, të cilin ndoshta “Zoti vetë e shpëtoi nga 2 atentate”, ndërsa demokratët me Zv.presidenten Kamala Harris, e cila po përpiqet “dhëmbë për dhëmbë” të mbajë Shtëpinë e Bardhë duke u përballur me (pa)mundësinë shëndetësore, arritjet dhe dështimet e Presidencës Biden.

Ndërsa kjo përballje ka sigurisht të përbashkët ardhmërinë e SHBA, mbart gjithashtu edhe një kontrast të thellë mes dy rivaleve ndaj nevojës për reforma si dhe statuskuosë së rolit të Shtëpisë së Bardhë dhe qeverisjes federale ndaj krizës së besimit te demokracia, ekonominë, imigracionin, çështjet sociale, aborti, ambientit, politika e jashtme: “marrëdhëniet me NATOn, BE, Ukrainën, Lindjen e Mesme, Ballkanin, Rusinë, Kinën etj.”.

Platforma Trump: Dominohet nga një paketë politikash konservarore (të djathta) për të çliruar shtetin amerikan nga ‘Deep State’, pra nga interesat e aktorëve të nëndheshëm (të pavotuar), burokracia me kollare demokratike, korrupsioni, philanthropistët, orientimi majtist, etj.”. Me fjalë të tjera, për ta ç’burokratizuar, reformuar, modernizuar dhe forcuar pushtetin ekzekutiv të SHBA duke e “ribërë Amerikën edhe më të madhe/fortë, ose një superfuqi të pakonkurrueshme edhe për shekujt që vijnë”!

Plaforma Harris: “Një bashkim i projekteve Obama dhe Biden, pra një përpjekje për të ruajtur statuskuonë si dhe modernizuar Shtëpinë e Bardhë; tejkaluar krizën ekonomike, krizën e besimit te demokracia funksionale si dhe forcuar rolin dhe imazhin e USA në botë”.

Në këtë opinion do të gjeni një përmbledhje krahasuese rreth “10 çështjeve thelbësore (ngjashmëritë & dallimet), në programet e Trump dhe Harris”, duke u përpjekur po ashtu për të ofruar një panoramë me mesazhe euroatlantike për votuesit shqiptarë jo vetëm në SHBA:

EKONOMIA:

Shumica e amerikanëve e konsiderojnë ekonominë si një nga faktorët me peshë thelbësore në zgjedhje. Sipas Byrosë së Statistikave, inflacioni 8% në 2023 ka shkaktuar shqetësim për standardet e jetesës.

Trump-2: Rikthimin te reformat radikale ekonomike (2017-‘21): “Kalimin nga taksat mbi të ardhurat në një taksë konsumi”; thjeshtimin e taksave mbi të ardhurat individuale nga: “15% mbi të ardhurat në pagën bazë dhe 30% të ardhurat mbi të si dhe uljen e normë se taksës së korporatave nga 21% në 18, ndërsa me krenari kujton që Trump-1 (2017- 2021), e uli nga 35% në 21%”.

Harris: Vijim i projektit Biden-2, pra një rritje të taksave për të pasurit dhe investime në programe sociale, pasi sipas Harris “qeveria duhet të luajë një rol aktiv në adresimin e pabarazive ekonomike”. Nga kjo qasje parashikon të mbledhjen e mbi 2 trilionë dollarë për t’i përdorur ato si investime në edukim dhe shëndetësi.

EMIGRACIONI:

Trump-2: Bazohet në një politikë edhe më të rreptë (përveç murit-digjital) të kontrollit të kufijve nga emigracioni paligjshëm në SHBA. Sipas një sondazhi të Gallup, 65% e amerikanëve mbështesin rreziqet e emigracionit të paligjshëm, ndërsa programi Trump-2 parashikon arrestimin dhe dëbimin e emigrantëve që jetojnë pa dokumente (ilegalë) në SHBA, duke përdorur edhe ushtrinë për zbatimin e ligjit.

Harris: Premton një reformë të gjithanshme të emigracionit dhe thekson rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të emigrantëve. Ajo ka propozuar politika që lehtësojnë procesin e naturalizimit për ata që kanë kontribuar në shoqëri. Një raport nga ‘Pew Research Center’ tregon se 78% e amerikanëve besojnë se emigrantët kontribuojnë pozitivisht në ekonominë amerikane.

ABORTI:

Trump-2: Mbetet kritik ndaj politikave që mbështesin të drejtat e abortit. Edhe pse sipas sondazhit të Gallup, 55% e amerikanëve mbështesin të drejtat e abortit, por Trump ka arritur të mobilizojë mbështetje nga konservatorët që janë kundër tij. Ndërsa kujton se Gjykata e Lartë vendosi që Kushtetuta nuk i jep të drejtën abortit, duke ua lënë shteteve në kompetencë. Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS): “Do të shndërrohet në Departamentin e Jetës”, si dhe “Do të miratojë mbrojtje ligjore më të fuqishme për lindjet e reja, veçanërisht për parandalimin e shtatzënisë në adoleshencë”.

Harris: Mbështetëse e të drejtave të abortit dhe për të garantuar aksesin në shërbimet shëndetësore për gratë. Ajo beson se çdo grua duhet të ketë të drejtë të vendosë për trupin e saj, duke iu referuar raportit të ‘Guttmacher Institute’, ku 69% e amerikanëve mbështesin këtë qasje.

POLITIKA E JASHTME

Trump-2: Një politikë të fortë konservatore, që nga kundërshtarët interpretohet si “izolim”, ndërsa Trump insiston se SHBA duhet të fokusohet më shumë në çështjet e brendshme (Amerika e para). Ai mbetet kritik ndaj disa marrëveshjeve ndërkombëtare si ajo e Parisit për klimën, tregtare etj.. Një sondazh i Gallup tregon se 56% e amerikanëve e mbështesin këtë qasje në politikën e jashtme.

Harris: SHBA duhet të luajnë një rol edhe më aktiv në skenën ndërkombëtare. Mbështet diplomacinë si mjet prevalues/bazë për të zgjidhur konfliktet dhe për të promovuar paqen. Një raport nga ‘Center for American Progress’ tregon se 70% e amerikanëve besojnë se diplomacia është e nevojshme (por jo e vetme) për të zgjidhur problemet globale dhe mbrojtur interesat dhe imazhin e USA në botë.

Shëndetësia si dhe programet e mbrojtjes nga ndryshimet klimaterike

Trump-2: Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore: “Do të shndërrohet në Departamentin e Jetës”, duke promovuar opsione të tilla si “Medicare Advantage”, që përfshin sigurimet private. Trump gjithashtu ka propozuar kuponë për të lejuar përfituesit të zgjedhin plane private, një përpjekje për të rritur konkurrencën në tregun e kujdesit shëndetësor.

Trump-2: Parashikon të anulojë urdhrat ekzekutivë të Presidentit Biden për projektet për mbrojtjen nga ndryshimet klimaterike. Ai premton braktisjen e strategjive dhe programeve përfshirë ligjet e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) dhe Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA), të cilat i konsideron: “nxitësit kryesorë të industrisë së alarmit të ndryshimeve klimatike”.

Harris: Edhe pse ka pasur disa ndryshime në qëndrimet e saj, vazhdon të mbrojë një sistem më të zgjeruar dhe më gjithëpërfshirës për ‘Medicare’. Ajo premton “Medicare për të gjithë”, që do të zëvendësonte sigurimin privat me një program të menaxhuar nga qeveria, që synon të ofrojë mbulim të plotë shëndetësor për të gjithë qytetarët amerikanë.

SISTEMI ARSIMOR:

Trump-2: Mbështet zgjerimin e përzgjedhjes dhe kuponëve shkollorë, të cilët do t’i lejonin prindërit të përdornin fondet publike për të dërguar fëmijët në shkolla private. Arsimi do t’u lihet kompetencë e 50 shteteve të SHBA për të përzgjedhur programet, duke argumentuar se kjo qasje decentralizuar e “tregut arsimor”, rrit konkurrencën dhe përmirëson cilësinë e arsimit. Trump mbetet kritik ndaj sindikatave të mësuesve dhe një rol më të kufizuar të Washingtonit në sistemin arsimor, duke shkrirë Departamentin e Arsimit (DoE), programet e të cilit ose do transferohen në agjenci të tjera ose do të ndërpriten.

Harris: Fokusohet në investimin në shkollat publike dhe përmirësimin e infrastrukturës së tyre, pasi mendon se shteti e ka detyrim parësor arsimimin e amerikanëve. Ajo mbështet shtimin e pagave të mësuesve dhe programe për të zvogëluar pabarazitë arsimore. Harris mbështet qasje më gjithëpërfshirëse në edukimin parashkollor. Ndryshe nga Trump, ajo është kundër përdorimit të kuponëve për shkolla private, duke theksuar rëndësinë e përmirësimit të sistemit publik.

ÇËSHTJET SOCIALE

Trump-2: Ka premtuar një agjendë konservatore për përmirësimin e sigurisë publike, si dhe mbështetje për policinë. Ai angazhohet se do të ndihmojnë në uljen e kriminalitetit dhe do të krijojë një ambient më të sigurt për qytetarët. Një sondazh i ‘Pew Research Center’ tregon se 62% e amerikanëve besojnë se duhet të ketë më shumë mbështetje për policinë. Pornografia të quhet krim si dhe premton heqjen e mbrojtjeve ligjore kundër diskriminimit bazuar në orientimin seksual, ngjyrës etj..

Harris: Mbështetet reformën në sistemin e drejtësisë penale, pasi beson se është e nevojshme të adresohen pabarazitë racore dhe programe që mbështesin komunitetet e margjinalizuara. Një sondazh i Gallup tregon se 70% e amerikanëve mbështesin këtë reformë.

LUFTA NË UKRAINË:

Trump-2: Mbeten ende keqinterpretime dhe dilema të forta rreth vendosmërisë së Trump për ta gjunjëzuar ekonomikisht dhe gjeopolitikisht Rusinë – Putiniste. Edhe nga takimi para pak ditësh me Presidentin Zelensky në Washington, Trump përsëriti se: “Nëse do ishte President, Putini ma njeh mirë vendosmërinë, prandaj as nuk do kishte ndërmarrë këtë marrëzi në shkurt 2022”, ndërsa garantoi se: “Trump-2 do ta mbyllë luftën” pa dhënë detaje! Mbas takimit edhe Zelensky konfirmoi se: “Trump/SHBA do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën nëse ai zgjidhet nëntor”, ndërsa mohoi raportet që Ai/Zelensky mbështet rivalen demokrate Harris. Gjithsesi, një sondazh i ‘Pew Research Center’ tregon se edhe 54% e amerikanëve besojnë se USA duhet të jetë më e ashpër ndaj Rusisë për agresionin e saj ndaj Ukrainës.

Harris: Mbështetje e fortë dhe pa kompromis deri në fitoren e Ukrainës, duke rikonfirmuar vijimin e paketës së ndihmës ushtarake dhe financiare (disa qindra miliardë dollarë) për të mposhtur agresorët rus. Një raport nga ‘Atlantic Council’ konfirmon se 78% e amerikanëve mbështesin ndihmën për Ukrainën.

LINDJA E MESME DHE BALLKANI PERËNDIMOR:

Trump-2: ka promovuar një agjendë të fortë për mbrojtjen e interesave Amerikane në Lindjen e Mesme si dhe Ballkanin Perëndimor. Kështu, “zgjidhje të forta” ka edhe për ndalimin e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, përballjen e Izraelit me Shtetet dhe Organizatat Terroriste (Hamasin, Hezbullah). Ndërsa për paqen në Ballkan, do të “imponohet” zbatimi i marrëveshjes së nënshkruar në Dhomën Ovale, midis Serbisë dhe Kosovës në mandatin e Trump1 (09/2020).

Harris: Mbështet fort Izraelin. Ka përsëritur shqetësimin dhe thirrjet për vetëpërmbajtje, si dhe një qasje më të balancuar ndaj të drejtave të palestinezëve. Ajo premton se gjatë mandatit të saj (nëse fiton) do të arrihet një zgjidhje e drejtë/pranueshme për të dyja palët. Një raport nga ‘Peë Research Center’ tregon se 52% e amerikanëve mbështesin paqen, bazuar në një marrëveshje mirëbesimi dhe të bashkëjetesës paqësore mes shteteve dhe popujve në rajon.

NATO, BE DHE KINA:

Trump-2: “Një SHBA e pakonkurrueshme, një NATO dhe BE më e fortë, pra për një botë edhe më e sigurt, mbeten qasja e fortë e projektit Trump-2”. Ndërkohë, kujtojmë që falë edhe kërcënimit të tij të shumëpërfolur: “Bendet që nuk respektojnë këto kuota (2%) nuk do të mbrohen nga NATO”, nga më pak se 5 (2017) sot 25 vende anëtare kanë rritur shpenzimet ushtarake në 2% të GDP (2024), ndërsa BE arriti në 500 milardë euro shpenzimet për mbrojtjen. Kinën e konsideron një kërcënim serioz për USA dhe ka premtuar një qasje edhe më agresive se në mandatin e tij të parë, duke përfshirë tarifa të larta ndaj importeve kineze dhe mundësinë e një marrëveshjeje të re me Xi Jinping, duke kritikuar ashpër Presidencën Biden – Kamela. Projekti shpreh gjithashtu shqetësim për vjedhjen kineze të pronësisë intelektuale dhe akuzon “Big-Tech” se veprojnë në emër të PKK për të minuar SHBA-të. Prandaj inkurajon evidentimin e “rreptë” të kompanive të SHBA-ve, që kërkojnë të investojnë në Kinë, të cilat do të përballen me kufizime deri te revokimi lejes.

Harris: Mbron vazhdimësinë e përkushtimit të SHBA-ve ndaj NATO-s si gur themeli për sigurinë globale. Sa i përket Kinës, ka një qëndrim të vendosur kundër abuzimeve të të drejtave të njeriut dhe angazhimeve të Kinës në Detin e Kinës Jugore, duke e parë këtë si sfidë për rendin ndërkombëtar. Politikat do të jenë më të balancuara, duke promovuar bashkëpunimin ku është e mundur, por duke qëndruar të fortë kundër ndikimit ekonomik të Kinës edhe në Ballkan.

Reflektim Personal: Për të mbetur i ndershëm me lexuesin dhe mijëra ndjekësit (përfshi respektin ndaj kritikëve), rikonfirmoj se me gjithë përpjekjen e sforcuar për ta parë si i paanshëm përballjen Trump-Harris, nuk mund të mohoj konsideratën e lartë për qasjen e fortë konservatore, kurajën shtetare, vendosmërinë shembullore të ish-Presidentit Trump, si dhe shpresën se Trump-2 do t’ia dalë jo vetëm për USA, në këtë përballje. Kjo, pasi këto zgjedhje mbartin shpresë jo vetëm për ardhmërinë e SHBA-ve, por edhe për paqen, rendin e sigurisë dhe vlerat demokratike në botë. Gjithsesi, sondazhet e ‘NBC News’, tregojnë se Trump kryeson me 47%, ndaj Harris 45%, pra gara mbetet disi e hapur.

NË SHTESË, përveç analizës në tërësi, po paraqes edhe “tri mesazhe strategjike” që mund të nxjerrim nga kjo përballje në raport me interesat kombëtare si dhe ardhmërinë Euroatlantike të RSH dhe Kosovës:

Së pari, duke përsëritur mirënjohjen për mbështetjen vendimtare që SHBA i kanë dhënë kombit për: “njohjen e pavarësisë 112 vjet më parë, çlirimin e Kosovës, anëtarësimin në NATO etj.”, shpresoj po ashtu se mbetet e skalitur në memorien kombëtare edhe “Marrëveshja e Paqes” nënshkruar para 4 vjetësh nga dy vendet sovrane (Kosovë-Serbi) në Dhomën Ovale, nën përkujdesjen e Trump-1: “Paketë me investime strategjike, si autostrada e paqes Beograd-Prishtinë, port rajonal në ujërat e thella të Adriatikut, njohja nga Izraeli e Kosovës etj.”. Besimplotë që kjo marrëveshje do të “imponohet nga Trump-2 apo Harris”, përkundër riciklimit të oshilacioneve të Millosheviçit etj. mendjendryshkur jo vetëm në Beograd.

Së dyti, si në 33 vitet që po lemë, edhe gjatë Trump-2 ose Harris, do të dështojnë me turp bollshevikët e moderuar në Tiranë apo Prishtinë, që nga fuqia e mbipushtetit, fotot me Presidentët, Senatorët, vizitat e personaliteteve, stërvitjet e USA/NATO-s, projektet ekonomike, distancimin nga lufta turpëruese për vulën e opozitës zyrtare etj.; “t’ua shesin shqiptarëve si mbështetje partiake apo personale nga Washingtoni zyrtar”, ndërsa Presidentët dhe ambasadorët e USA në 112 vjet apo shekujt që do vijnë: “Kanë qenë dhe do të mbeten vetëm me shqiptarët si dhe me interesat gjeopolitike të USA në rajon, Mesdhe etj.”!

Së treti, konsideruar kontekstin e kësaj përballjeje, besoj edhe më fort se edhe Shqipëria ka domosdoshmëri jetike që pas 33 vitesh, të tejkalojë krizën e pluralizmit fasadë, pasojat e shtetit të dështuar dhe të kapur, duke ju rikthyer modelit të së djathtës moderne, ku prevalojnë: “Familja, atdheu, Zoti, vota, tregu, interesat kombëtare, balancat demokratike të pushteteve dhe orientimi euroatlantik i Kombit”.

Kështu, mbetem shpresëplotë se përball dalldisjes së makinerisë elektorale të pushtetit si dhe përtej “luftës së pisët” për në listën e të ndenjurave të opozitës në kuvend (përfshi Krye-Euroatlantikasin qesharak, trimërimin pas lufte të gazit, intelektualin e shquar dhe bejtexhiun e spikatur Gjekmarkaj), shqiptarët do t’i ribashkohen misionit fisnik të 1991: “Për Shqipërinë Demokratike si USA dhe gjithë Europa”!

Ndërsa për sa angazhimin tim politik në vijim (sigurisht pa lejen e kurrkujt), rikonfirmoj se mbetem ushtar i misionit të së djathtës euroatlantike, që Shqipëria të bëhet si gjithë Europa, edhe për inat të këtij sekti politikanësh zullumqarë, shtetarësh kusarë, philanthopistë globalë, sovranistësh bolshevik dhe sekserëve të gjithëpushteteve që 33 vitet e fundit kanë pushtuar vlerat konservatore dhe sundojnë me “kollare demokratike” kombin tonë të bekuar.

Dëshiroj gjithashtu ta përmbyll me një mesazh të Papa Françeskut, i cili duke vlerësuar politikën e ashpër të Trump ndaj emigracionit dhe të Harris për abortin, thotë që ‘amerikanët duhet të zgjedhin të keqen më të vogël…’. Shpresoj që ky mesazh të vlejë edhe për mbarë shqiptarët jo vetëm në zgjedhjet e 2025.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →