News24 disponon deklaratën e Armand Dukës dorëzuar në Prokurori, ku kreu i FSHF shprehet se kërkon t’i falë 7 personat të cilët e kishin kanosur për shkak të detyrës. Deklarata e Dukës është bërë më datë 12 shtator dhe është dorëzuar në organin e akuzës.
Duka kërkon që pas shfaqjes së pendesës nga autorët e kanosjes ndaj tij, të falë presidentin e klubit Iliria, Nazmi Selmanin, djemtë e tij Brajan e Santiago Selmani dhe të arrestuarit e tjerë Petrit Selmanin, Adolf Selmanin, Artur Selmanin dhe Redian Locin.
“Duke marrë në konsideratë shprehjen e pendesës së tyre dhe të familjarëve të tyre, dëshiroj të shpreh faljen time për shtetasit: Nazmi Isuf Selmani, Brajan Nazmi Selmani, Santiago Nazmi Selmani, Redian Haxhi Loci, Petrit Petrit Selmani, dhe shtetasit Adolf Nazmi Selmani dhe Artur Luan Selmani”, shprehet Duka në deklaratën e tij.
Duka shprehet se kërkon nga organet kompetente deklarata falje individuale e tij të merret në konsideratë gjatë hetimeve të kryera, me qëllim shmangien e të gjitha konflikteve dhe promovimit të vlerave të FSHF sipas tij.
Më datë 30 gusht Policia e Durrësit arrestoi presidentin e klubit të futbollit Iliria Nazmi Selmani dhe 4 persona të tjerë, pas kallëzimit të Dukës se Nazmi Selmani e kishte kanosur duke i kërkuar llogari pse djali i tij Gentjan Selmani nuk ishte grumbulluar në Kombëtare.
Ndërkohë ditën e sotme Apeli liroi Nazmi Selmanin dhe Petrit Selmanin, ndërsa tre të tjerët ishin liruar më parë.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co