Udhëtimi mund të zgjerojë horizontet, të zvogëlojë barrierat dhe t’i afrojë njerëzit. Por të udhëtuarit është proces konsumi. Gjithnjë e më shumë, sektori i turizmit po përqafon trende të qëndrueshmërisë, nga eliminimi i menusë së letrës, te dixhitalizimi, heqja e plastikës etj. Ku jemi ne në këtë pikë?
Në një epokë kur ndryshimet klimatike, mbrojtja e mjedisit dhe qëndrueshmëria janë në qendër të vëmendjes në botë, një pyetje bëhet gjithnjë e më e rëndësishme: A është Shqipëria gati të ofrojë turizëm të qëndrueshëm?
Ky është një shqetësim i cili nuk përfshin thjesht bukurinë natyrore dhe trashëgiminë kulturore të vendit, por lidhet edhe me përgjegjësinë tonë ndaj brezave të ardhshëm.
Shqipëria, me peizazhin e mrekullueshëm natyror, ofron një potencial të jashtëzakonshëm për turizëm të qëndrueshëm. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të shqyrtojmë se si Shqipëria mund të përfitojë nga ky potencial në mënyrë të qëndrueshme dhe të pajtueshme me nevojat e mjedisit dhe shoqërisë.
Turizmi i qëndrueshëm në Shqipëri nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e mjedisit, por edhe me përfshirjen dhe mirëqenien e komuniteteve lokale.
Në një kohë kur shpeshherë turizmi masiv sjell pasoja negative për mjedisin dhe kulturën vendase, Shqipëria ka mundësinë të ndërtojë një model të ri të turizmit, i bazuar në vlerat e qëndrueshme dhe respektimin e traditave lokale.
Një pjesë e madhe e industrisë së udhëtimeve kudo në botë, nuk është e qëndrueshme, duke nisur nga kroçerat te fluturimet, te vendpushimet gjithëpërfshirëse, mbiturizmi dhe ndotja.
Në fakt, turizmi është përgjegjës për rreth 5% të emetimeve globale të CO2 dhe tani me ndryshimin e klimës, një kërcënim shumë real për mbijetesën e planetit siç e njohim ne, kjo duhet të ndryshojë.
Organizata Botërore e Turizmit e përkufizon udhëtimin e qëndrueshëm si “turizëm që merr parasysh plotësisht ndikimet e tij aktuale dhe të ardhshme ekonomike, sociale dhe mjedisore, duke zgjidhur nevojat e vizitorëve të saj, industrisë, mjedisit dhe komuniteteve pritëse”.
Udhëtimi i qëndrueshëm është një mënyrë që zvogëlon ndikimin tonë negativ në planet. Kjo përfshin kujdesin për të mos dëmtuar ose për të mos ndryshuar mjediset kulturore dhe natyrore të destinacionit, në mënyrë që ato të mund të mbijetojnë në kohë të gjatë.
Si është situata në vendin tonë?
Me zhvillimet e fundit globale, si dhe ndryshimet klimatike është momenti i duhur që edhe në Shqipëri, aktorët e turizmit të ndërmarrin hapa konkretë drejt njohjes ndërkombëtare të standardeve të turizmit të qëndrueshëm.
Sipas Zak Topuzit, kreu i Shoqatës së Hotelerisë, kalimi në një model turizmi më të larmishëm dhe të qëndrueshëm do të kërkojë investime të mëdha, për shembull, në marina dhe në aktivitete të orientuara drejt natyrës, qoftë kjo nga instanca shtetërore, por e ofrues privatë të shërbimeve të turizmit, duke përmendur këtu agjenci turistike, guida lokale, hotele, restorante etj.
Por çfarë përcakton korniza ligjore? Ambicia e autoriteteve qendrore për të zhvilluar turizmin është shprehur qartë në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020. Në nivel sektorial, deri më tani, plane të tilla u përkthyen në Projekt-Strategjinë Kombëtare për Turizmin 2014-2020. Kjo strategji ka dy pika që kanë ndikuar në moszbatimin e duhur.
Së pari, tre vjet pas diskutimit në Parlament, për shkak të vëmendjes së pamjaftueshme të kushtuar projekt-strategjisë, ajo “skadoi” në formën e saj të draftit.
Së dyti, strategjia është e gjerë dhe synon të promovojë “gjithçka”. Draft-strategjia e parë u zëvendësua me një tjetër draft-strategji për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm 2018-2022, e cila fokusohet në turizmin e qëndrueshëm (siç pasqyrohet në titull) dhe identifikon këta objektiva kryesorë:
(i) rritja e kontributit të turizmit në vlerën e shtuar bruto;
(ii) promovimi i një oferte turistike të balancuar;
(iii) rritja e punësimit në sektorin e turizmit; (iv) përmirësimi i standardeve të jetesës dhe ulja e pabarazive;
(v) rritja e investimeve publike në sektorin e turizmit; dhe
(vi) sigurimi i mbrojtjes ligjore dhe institucionale të turistëve. Për këtë qëllim, draft-strategjia identifikon pesë fusha kryesore të cilat përfshijnë:
(i) zhvillimin e produkteve dhe diversifikimin e tyre; (ii) zhvillimin e burimeve njerëzore dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit;
(iii) marketimin dhe promovimin e Shqipërisë si një destinacion turistik gjithëvjetor;
(iv) nxitjen e investimeve private dhe publike; dhe
(v) përmirësimin e kuadrit rregullativ dhe menaxhimin e destinacioneve.
Përpos këtyre strategjive, korniza aktuale ligjore u jep bashkive kompetenca për të mundësuar dhe për të lehtësuar aktivitete në mbështetje të zhvillimit ekonomik lokal, me fokus të veçantë në fushën e turizmit, sikurse shprehet qartë në Ligjin nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore” dhe në Ligjin nr. 93/2015 “Për Turizmin”.
Këto parashikime përbëjnë një zhvillim me rëndësi në vijim të Reformës Administrative Territoriale në dy drejtime:
(i) nëpërmjet tyre, u rikonfigurua potenciali turistik i bashkive, duke hapur horizonte të reja;
(ii) të gjitha bashkitë kanë detyrimin ligjor të hartojnë Plane të Përgjithshme Vendore, gjë që u mundëson të rivlerësojnë vizionin e tyre zhvillimor dhe objektivat strategjikë për 15 vitet e ardhshme.
A jemi gati që të ndërtojmë dhe zbatojmë një turizëm të qëndrueshëm?
Blerina Ago, eksperte turizmi, drejtuese e “Activ Albania”, nënvizon se menaxhimi i qëndrueshëm kërkon një partneritet publik-privat-komunitet, ngritjen e strukturave të qëndrueshme për këtë qëllim, mbështetje financiare e vazhdueshme, vizion afatgjatë, si dhe strategji e plan veprimi.
Sipas saj, ekonomi e qëndrueshme për komunitetet do të thotë: Të ardhura për të gjithë komunitetin, shpërndarja e turistëve dhe të ardhurave, punë e denjë etj. Ndërsa qëndrueshmëria kulturore kërkon: mbrojtjen e aseteve, traditave, zakoneve dhe edukimin e qytetarëve dhe turistëve me to).
Qëndrueshmëria mjedisore kërkon: minimizimin e të gjithë ndikimeve negative në mjedis, reduktimin e ndotjes, riciklimin, transportin e gjelbër etj.). Por znj. Ago ngre pyetjen se cilat janë objektivat që na duhet të përmbushim për të ecur në rrugën drejt turizmit të qëndrueshëm?
1.Objektivi i mbetjeve plastike
Mbetjet plastike përbëjnë vazhdimisht shumicën e të gjitha mbeturinave që gjenden në oqeane dhe mendohet se janë përgjegjëse për vrasjen e 100,000 gjitarëve detarë dhe breshkave çdo vit.
Edhe pse ndikimi i mbetjeve plastike është një pikë e madhe diskutimi në sferën publike këto ditë, ku kemi një vit që kemi nisur zbatimin e ligjit për qeset plastike, por rezultojmë si vendi me mbetjet më të larta në rajon dhe me 73% të mbetjeve plastike në Mesdhe.
Jemi ende larg zbatimit të këtij objektivi.
Në turizëm, ndryshime të thjeshta, të tilla si përdorimi i rimbushësve për shampot, sapunët, në vend të shisheve njëpërdorimshme dhe përdorimi i plastikës së riciklueshme kudo që të jetë e mundur, të gjitha mund të ndihmojnë shumë në reduktimin e kontributit të bizneseve në çështjet e mbetjeve plastike.
Gjithashtu, ofrimi i pastrimit si bashkërendim i bashkisë lokale dhe bizneseve private.
2.Ulja e mbetjeve ushqimore
Ushqimi është një pjesë tjetër e madhe e emetimeve të karbonit në industrinë e mikpritjes dhe një fushë tjetër e mirë për t’u rishikuar, kur po kërkoni të ndërtoni një biznes më të qëndrueshëm. Mbetjet e ushqimit – një tjetër çështje e madhe me ndikim mjedisor në industrinë e mikpritjes – duhet të adresohen sa herë që kërkojmë të vendosim objektiva të tillë.
Gatimet vegane dhe vegjetariane janë më të njohura se kurrë sot dhe me ushqimet me bazë bimore që prodhojnë 10 deri në 50 herë më pak emetime karboni sesa pjatat e mishit, vendosja e opsioneve tuaja pa mish përpara dhe në qendër në kateringun tuaj do të bëjë një ndryshim të madh në qëndrueshmërinë e përgjithshme të biznesit tuaj.
3.Më pak kesh, më shumë transaksione dixhitale
Megjithëse zgjidhjet e pagesave dixhitale nuk janë gjëja e parë që ju vjen në mendje kur mendoni t’i bëni bizneset më të qëndrueshme, zvogëlimi i varësisë suaj nga paratë dhe të letrës në tërësi, p.sh. menunë, është një mënyrë jashtëzakonisht e lehtë për të reduktuar gjurmën tuaj të karbonit.
Ndërsa i afrohemi një shoqërie pa para kesh në të gjithë botën, kompanitë e mikpritjes që përqafojnë në mënyrë proaktive këtë ndryshim, do ta gjejnë veten përpara kurbës së qëndrueshmërisë së biznesit.
Megjithëse heqja e parave plotësisht nga bizneset në Shqipëri p.sh., mund të mos jetë praktike, ka ende për t’u zhvilluar në këtë drejtim sa i përket edukimit financiar të shqiptarëve, sidomos nëse bëhet fjalë për moshat e mesme. Por ndryshim rrënjësor do të bënte zëvendësimi i menuve të letrës.
4.Ulja e përdorimit të ujit
Bizneset e mikpritjes përballen me një sfidë unike kur bëhet fjalë për ruajtjen e ujit, pasi, në shumicën e rasteve, pjesa e përdorimit të ujit kontrollohet nga turistët, jo nga stafi. Dhe si mundet një turisti në sezonin e verës dhe vapës t’i mësohet që uji duhet kursyer?
Gjithnjë e më shumë hotele kanë filluar të përqafojnë praktikën e edukimit të turistëve për qëndrueshmërinë e ujit dhe duke u kërkuar atyre që të përdorin ujin në një mënyrë më të ndërgjegjshme. Në Shqipëri është pak ose aspak e zbatueshme, sidomos po të marrim në konsideratë rastet e mungesës së furnizimit me ujë në disa struktura akomoduese.
5.Mbështetje furnizuesve lokalë
Për shkak të kostove të reduktuara logjistike, sjellja e më shumë furnizuesve lokalë në zinxhirin tuaj të furnizimit kudo që të jetë e mundur, mund të bëjë mrekulli si për gjurmën tuaj të karbonit, ashtu edhe për perceptimin publik të markës suaj.
Sa shumë trumbetohen ushqimet autoktone shqiptare dhe burimet lokale para turistëve të huaj? Do të ishte koha që çdo restorant, hotel, të marrë në konsideratë fruta-perimet lokale, mishin në thertoret lokale para se t’i drejtohet produkteve të importit, ku kostot dhe logjistika është më e lartë.
Duke përqafuar një zinxhir furnizimi më të lokalizuar dhe duke e shfaqur këtë fakt, do të jeni në gjendje të kënaqni turistët dhe të reduktoni emetimet e karbonit që biznesi juaj prodhon për të funksionuar.
“Sfida ekonomike në turizëm lidhet me mospërfilljen e ndikimit të veprimtarive turistike në mjedis”
Flet Blerina Ago, eksperte turizmi, “Activ Albania”
Cilat janë sfidat më të mëdha të qëndrueshmërisë së turizmit në Shqipëri?
Industria e turizmit lidhet ngushtë me mjedisin. Humbja e biodiversitetit në Shqipëri shkakton humbjen e vlerave të natyrës, e cila është një nga burimet kryesore të atraksionit turistik.
Biodiversiteti i pasur i vendit përfshirë luginat malore, brigjet detare dhe parqet kombëtare me faunë dhe florë të rralla, ka qenë një pjesë themelore e industrisë së turizmit në vend.
Humbja e kësaj pasurie natyrore, si pasojë e urbanizimit të tepërt, ndryshimeve të paqëndrueshme të tokës dhe zhvillimit të pakontrolluar, shkakton jo vetëm një humbje të çmuar për trashëgiminë natyrore të Shqipërisë, por gjithashtu krijon një boshllëk në potencialin e industrisë së turizmit për të tërhequr vizitorët brenda vendit dhe ata ndërkombëtarë.
Ndryshimet klimatike shkaktuan zjarre masive në vendin fqinjë, Greqinë, me pasojë anulimin e udhëtimeve për shumë turistë dhe dëme të konsiderueshme në industrinë e turizmit dhe perceptimin e sigurisë së destinacionit. Shqipëria, në të ardhmen, mund të ketë sfida ngjashme.
Në këtë kohë të rëndësishme, përgatitja dhe implementimi i planit të menaxhimit të emergjencave dhe investimi në infrastrukturën përballuese mund të ndihmojë në zvogëlimin e ndikimit negativ të ngjarjeve të tilla në industrinë e turizmit dhe ekonominë në përgjithësi.
Ndryshimet klimatike do ndryshojnë kërkesën për turizëm dhe sezonalitetin, duke sfiduar në vazhdimësi modelet tradicionale të biznesit të operatorëve të turizmit. Pritet që modeli i shpërndarjes së reshjeve të prekë disponueshmërinë e ujit dhe energjisë elektrike.
Industria e turizmit përballet me disa sfida sociale gjatë fazës së rimëkëmbjes, përfshirë inflacionin, destabilitetin gjeopolitik, tregje të mbyllura, kufizime udhëtimi dhe mungesë të forcës punëtore. Pandemia COVID-19 ka prekur sektorin e turizmit, duke ndikuar çdo aspekt të zinxhirit të vlerave.
Konfliktet gjeopolitike, si lufta e Rusisë në Ukrainë dhe konflikti në rritje mes Izraelit dhe Palestinës, ka thelluar më tej shpresat për rimëkëmbje, duke rezultuar në humbje të tregjeve përkatëse.
Turizmi i matur nga vlerat e Prodhimit të Brendshëm Bruto shpesh neglizhon pasojat mjedisore dhe sociale. Ky model që synon vetëm fitimin, i varur vetëm nga tre faktorë tradicionalë, nuk pranon ndërveprimin reciprok që bizneset e turizmit kanë me kufijtë e planetit dhe strukturat shoqërore që nevojiten për funksionimin e ekonomisë, si kultura e sipërmarrjes apo krijimi i një hapësire të favorshme veprimi nga strukturat shoqërore-politike.
Si mund të ndërtohet dhe zbatohet një turizëm i qëndrueshëm?
Vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë të një sërë marrëveshjesh të rëndësishme ndërkombëtare për zhvillimin e qëndrueshëm, duke arritur kulmin me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së dhe Marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike. Angazhimet e rreth 200 shteteve synojnë të formësojnë zhvillimin ekonomik për një kohë të gjatë në të ardhmen, për të siguruar mirëqenien e njerëzve në mbarë botën.
Instituti i Universitetit të Kembrixhit për Lidershipin e Qëndrueshmërisë ka zhvilluar një plan 10-vjeçar për të hedhur themelet për një ekonomi të qëndrueshme, duke përcaktuar dhjetë detyra për liderët ekonomikë, të cilat do t’i shpjegoja shkurtimisht referuar industrisë shqiptare të turizmit:
Është e rëndësishme që qeveritë të kuptojnë ndikimin e aktiviteteve të turizmit në mjedisin natyror dhe të mbrojnë burimet natyrore të cilat janë thelbësore për industrinë e turizmit.
Ato duhet të zhvillojnë politika të qëndrueshme të planifikimit hapësinor dhe zhvillimit të infrastrukturës, duke siguruar një rregullim të përshtatshëm të ndërtimit dhe zhvillimit të destinacioneve turistike në mënyrë që të ruhet integriteti i peizazheve natyrore dhe ekosistemeve të ndryshme.
Institucionet financiare, në të njëjtën kohë, mund të promovojnë investime në projekte të qëndrueshme, të tilla si ndërtimi i strukturave turistike të energjisë së rinovueshme ose projekte turistike që mbështesin ruajtjen e biodiversitetit.
Ndërsa, bizneset e turizmit duhet të integrojnë praktika të qëndrueshme në operacionet e tyre, duke reduktuar ndikimin e tyre në mjedis dhe duke promovuar ndërgjegjësimin mjedisor në mesin e klientëve të tyre.
Për shembull, ata mund të përshtasin politika të kursimit të energjisë, të thithjes së plotë të CO₂ dhe gazrave të tjera të krijuara nga stafi i tyre dhe turistët në destinacion, të zhvillojnë produkte që ndikojnë në mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit.
Është e rëndësishme që qeveritë të zgjidhin sfidat sociale siç janë inflacioni, emigrimi dhe destabiliteti gjeopolitik.
Duhet të hartohen politika të përshtatshme sociale, që promovojnë zhvillimin e komuniteteve vendase, përmirësojnë nivelin e jetesës dhe rrisin qëndrueshmërinë ekonomike të popullsisë. Institucionet financiare, në të njëjtën kohë, mund të ofrojnë mbështetje financiare të qëndrueshme për nismat e bizneseve të vogla dhe të mesme, duke ndihmuar në rritjen e mundësive të punësimit dhe reduktimin e emigrimit në rritje.
Bizneset e turizmit gjithashtu duhet të angazhohen në përmirësimin e kushteve të punës dhe të ndihmojnë në zhvillimin e ekonomisë sociale të vendit, nëpërmjet krijimit së vendeve të punës të qëndrueshme dhe duke promovuar të ardhura të drejta për punonjësit vendas.
Sfida ekonomike në sektorin e turizmit është ngushtësisht e lidhur me mospërfilljen e ndikimit të veprimtarive turistike në aspektet mjedisore dhe sociale.
Ndërsa qëllimi kryesor i shumë aktiviteteve turistike është të rrisë të ardhurat ekonomike, përqendrimi i tepërt në fitim shpesh lë pas dore ndërveprimin kompleks që bizneset e turizmit kanë me mjedisin dhe komunitetet vendase.
Në këtë drejtim, është e rëndësishme që sektori i turizmit të ndjekë modele të zhvillimit të qëndrueshëm, të cilat marrin parasysh ndikimin e aktiviteteve të tyre në mjedisin natyror dhe shoqëror.
Duke përdorur strategji të tilla të qëndrueshme, bizneset turistike mund të ndikojnë në rritjen ekonomike, ndërsa respektojnë dhe promovojnë mbrojtjen e mjedisit dhe mirëqenien sociale të komuniteteve të prekura. Qeveritë mund të hartojnë politika fiskale që nxisin praktika të qëndrueshme në industrinë e turizmit (si p.sh. investimet e gjelbra) dhe të ofrojnë stimuj për përdorimin e teknologjisë së dobishme dhe praktika të mbrojtjes së mjedisit dhe përmirësimin e jetës së komuniteteve lokale.
Institucionet financiare, në të njëjtën kohë, mund të ofrojnë financa dhe kredi lehtësuese për projekte turistike të qëndrueshme dhe të nxisin investimet afatgjata në sektorin e turizmit, që synojnë të kenë ndikim pozitiv në mjedisin dhe komunitetet vendase.
Institucionet financiare duhet të reflektojnë presionin mjedisor dhe të strukturave politiko-sociale në koston e kapitalit. Një mendësi e re në strukturat financiare, drejt një modeli biznesi që i rikthen mbrapsht planetit dhe shoqërisë, duke i shërbyer së ardhmes afatgjatë si p.sh. ekonomia qarkulluese duhet të jetë në zemër të veprimtarisë së ndërmjetësve financiarë.
Biznesi duhet të pasqyrojë në të gjithë veprimtarinë e tij parimet e qëndrueshmërisë, duke e matur qartë dhe në mënyrë transparente në raportet e përparimit.
Ato mund të zhvillojnë modele të reja dhe rekreative në përgjigje të sfidave me të cilat po përballet industria e turizmit dhe duhet të jenë aktiviste të qëndrueshmërisë, nëpërmjet bashkëpunimit me vendimmarrësit dhe komuniteteve lokale dhe aktorëve të tjerë lider në qëndrueshmëri.
A keni disa shembuj konkretë të përgjigjeve ndaj presioneve të qëndrueshmërisë?
Mjedisor: Kompania Iberostar, në tetor 2020, njoftoi strategjinë për kompensimin e gjurmës së karbonit, nëpërmjet mbrojtjes së natyrës në destinacionet ku operon. Kompania synon neutralitetin e karbonit deri në 2030, duke përmirësuar efikasitetin energjetik dhe duke përdorur burime të rinovueshme.
Përveç kësaj, ajo fokusohet në rikthimin e pemëve të mangroveve në disa prej destinacioneve të tyre.
Sipas gjurmës së tanishme të karbonit të Iberostar, kjo përfaqëson deri në 1,400 hektarë mangrove të mbrojtura në vit, ku një e pesta e këtij portofoli ndodhet në Riviera Maya në Meksikë – një nga ekosistemet më të mëdha të mbetura dhe të rrezikuara të mangroveve në botë.
Iberostar është gjithashtu Kryetar i Kolegjit të Veprimit për Turizmin për Oqeanet e Qëndrueshme. Info: https://waveofchange.com/reaching-carbon-neutrality-by-2030-through-protecting-coastal-ecosystems/
Social: Rrjeti Ndërkombëtar i Observatorëve të Turizmit të Qëndrueshëm të UNWTO-s (INSTO) monitorojnë shëndetin e njerëzve dhe mjedisit për rifillimin e turizmit.
Rajoni i Tirolit të Jugut (Itali) fokusohet në infrastrukturë, shërbime dhe perceptime, ndërsa Yukon (Kanada) monitoron perceptimet e banorëve dhe ndikimin e turizmit në mjedis. Planifikohet bashkëpunimi i tyre në të ardhmen për të integruar ekspertizën globale me njohuritë lokale rreth shëndetit dhe turizmit. Info: https://www.unwto.org/insto/
Ekonomik: Publikimi “Përvoja nga studimet pilot për matjen e qëndrueshmërisë së turizmit” tregon se si disa vende kanë filluar testimin e elementeve të Matjes së Qëndrueshmërisë së Turizmit.
Për shembull, Arabia Saudite vlerësoi emetimet e CO₂ të prodhuara nga transporti dhe shërbimet e akomodimit; Kanadaja llogariti përdorimin e ujit dhe energjisë dhe emetimet e ajrit në turizëm; ndërsa Gjermania dhe Austria hartuan disa tregues mbi qëndrueshmërinë sociale të turizmit, si shkalla e pranimit të popullsisë vendase dhe ndryshimi në pagat sipas gjinisë.
Si mund të ndërtohet një turizëm i qëndrueshëm?
(i) angazhimi i komunitetit lokal, duke përfshirë bizneset lokale në proceset vendimmarrëse lidhur me si do të përdoren burimet natyrore vendore
(ii) kultivimi dhe ngritja e marrëdhënieve të besimit në proces
(iii) mobilizimi i partneriteteve në nivel lokal dhe më gjerë./Monitor
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co