Në orën 20:04, ai që ndoshta duhet të ishte në fushë, ngjit shkallët e stadiumit. Nga afër për të ndjekur ekipin vjen edhe Armando Broja, i cili është në fazë rikuperimi nga dëmtimi i pësuar në tendinë. Sulmuesi shoqërohej nga prindërit e tij dhe patën një problem të vogël me vendet.
Broja dhe mamaja e tij i kishin vendet e biletave ngjitur, ndërsa Xhevairi, babai i 23- vjeçarit, ishte dy radhë më sipër. Familja nuk ndahet dhe një tifoz që ishte ngjitur ndërroi vendin me babain e Brojës. E veçanta ishte se dje, Broja festonte edhe ditëlindjen. Ky ishte një nga momentet pikante që u pa në stadium, ndërsa “Panorama Sport” ju sjell edhe të gjithë të veçantat që ndodhën gjatë ndeshjes Shqipëri-Gjeorgji.
* Një detaj interesant që përpara fillimit të ndeshjes. Ekipi gjeorgjian del në nxehmje 10-15 minuta më përpara sesa Kombëtarja jonë. * “Ilirian Elite” rikthehen në stadium. Pas incidentit në ambientin e FSHF-së, ku grupimi kërkonte biletat për në Kampionatin Europian, ata ishin të pranishëm dje në “Air Albania” për të mbështetur përfaqësuesen. I gjithë grupimi ishte i veshur me bluza të bardha.
* Bari i fushës duket pak më i gjatë sesa herët e tjera. Topi në disa zona ngec.
* Moment elektrizues gjatë ekzekutimit të himnit shqiptar, para startit të duelit mes Shqipërisë dhe Gjeorgjisë. Futbollistët dhe tifozët kuqezinj që mbushën “Air Albania” plotë e për plotë, kënduan më të bashkuar se kurrë himnin kombëtar, duke përcjellë emocione të forta.
* Hysaj del ne fushën e blertë me një shoqërues special, djalin e tij të vogël. Në tunel kapiteni i Kombëtares has vështirësi, sepse i vogli nis të qajë, por shkodrani arrin ta qetësojë dhe me të në krah zbarkon në fushën e “Air Albania”-s.
* Në restorantet me pamje nga fusha ishin të pranishëm shumë figura të njohura të sportit dhe jo vetëm, mes tyre edhe trajneri i ri i Partizanit, Aleksandar Veselinoviç.
* Të dy trajnerët, si Sanjol edhe Silvinjo janë veshur me të njëjtën ngjyrë.
* Arbër Hoxha luajti me numrin 8 në shpinë. Më përpara e mbante veshur Klaus Gjasula, ndërsa tani do të jetë anësori që do të performojë me këtë numër mbi fanellë.
* Goditje dënimi pranë zonës dhe është Kristjan Asllani, i cili e merr përsipër këtë herë. Manaj nuk afrohet fare. Goditja e mesfushorit është e gabuar dhe ai që i jep zemër i pari është pikërisht Rei Manaj.
* Ylber Ramadani nuk kontrollon dot një top në minutën e 58-ë dhe e nxjerr anësore dhe nga nervat e gjuan më tej. Afrohet gjyqtari i cili mund ta ndëshkonte, por menjëherë kërkon falje mesfushori kuqezi.
* Rast shumë i rrezikshëm për Gjeorgjinë në minutën e 88-ë, por është Strakosha ai që mban në lojë ekipin. Pas kësaj pritjeje, është mamaja e portierit, e cila bën kryqin në tribunë. Ajo ndodhet me bashkëshortin, Foto Strakoshën dhe djalin tjetër të tyre.
* Minuta e 72-t. Debuton me fanellën kuqezi Sebastjan Spahiu. Silvinjo e aktivizon në vendin e Jasir Asanit. Ndërkohë, Agim Zeka është sërish në tribunë. * Silvinjon nuk e mban vendi në minutën e fundit. Trajneri bën me këmbë edhe duar drejt lojtarëve, të cilët nuk po arrijnë dot të rrezikojnë.
* Mbyllet gjithçka me humbje në “Air Albania”. Kuqezinjtë thyen në shtëpi gjatë epokës Silvinjo. Megjithatë në fund, i gjithë ekipi dhe stafi teknik shkojnë te të gjithë tifozët për t’i përshëndetur.
* Kur dukej se situata u qetësua dhe të gjithë po dilnin, një tifoz kuqezi nga tribuna kryesore filloi të ofendonte rëndë lojtarët. Aty afër u ndesh vëllai i Tomas Strakoshës i cili u kap me tifozin, pasi i kërkoi që të pushonte dhe të mos ofendonte. Një rrëmujë e madhe, ku në mes u futën edhe shumë njerëz, teksa afër ishin edhe familjarët e Hysajt. Megjithatë, pasi rojet e sigurisë mbërritën, u qetësua situata.
* Ndërsa të gjithë po dilnin, kreu i FSHF-së Armand Duka takon Tomas Strakoshën dhe bashkëshorten e tij dhe shkëmbyen disa fjalë për incidentin, por edhe për ndeshjen. Aty u bashkohet edhe babai i Armando Brojës.
KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co