Numri i palestinezëve të vrarë në Gaza është rritur në të paktën 40.700 pasi forcat izraelite vranë 89 palestinezë të tjerë gjatë dy ditëve të fundit, transmeton Anadolu.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se sulmi i pamëshirshëm izraelit, që vazhdon që nga 7 tetori, gjithashtu ka lënë 94.060 palestinesë të plagosur.
“Forcat izraelite vranë 89 persona dhe plagosën 205 të tjerë në pesë ‘masakra’ kundër familjeve në 48 orët e fundit. Shumë viktima mbeten të bllokuara nën rrënoja, me shpëtimtarët e paaftë për t’i arritur për shkak të bombardimeve të vazhdueshme”, tha ministria palestineze.
Pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli ka vazhduar me fushatën ushtarake në Rripin e Gazës, që filloi pas një sulmi nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.
Situata në Gaza është përkeqësuar me shpejtësi, me rajonin që vuan nga mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve për shkak të bllokadës së vazhdueshme. Pjesa më e madhe e Gazës tani është në gërmadha dhe kriza humanitare vazhdon të përkeqësohet.
Izraeli aktualisht po përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka urdhëruar ndalimin e operacioneve ushtarake në Rafah, një qytet jugor ku mbi 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co