Matthew Miller, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, ka paralajmëruar se veprimet e fundit të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës mund të rrezikojnë mundësitë që vendi ka krijuar me ndihmën e ShBA-së.
Gjatë një konference për shtyp, Miller u pyet nga një gazetare serbe nëse do të ndërmerren masa kundër kryeministrit Albin Kurti për “shkelje të vijave të kuqe.”
Ai refuzoi të spekulonte mbi veprimet e mundshme në të ardhmen, por theksoi shqetësimin e ShBA-së lidhur me vendimet e fundit të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës.
“Besojmë se këto vendime rrezikojnë mundësitë që e kemi ndihmuar Kosovën t’i krijojë,” tha Miller.
Zëdhënësi gjithashtu nënvizoi partneritetin e fortë që ShBA-ja ka pasur me Kosovën që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, dhe inkurajoi qeverinë e Kosovës të vazhdojë të punojë ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë.
“ShBA-ja e ka mbështetur fuqishëm integrimin e plotë të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar si një demokraci sovrane e multietnike,” shtoi ai.
Në përfundim, Miller përsëriti rëndësinë e angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv të Kosovës me ShBA-në, BE-në, NATO-n, dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, duke theksuar se ky mesazh është bërë i qartë qeverisë së Kosovës si publikisht ashtu edhe privatisht.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co