Priten disa ndryshime në formacionin që Tiago Mota pritet të hedhë në fushë sot në çerekfinalet e Kupës së Italisë kundër Empolit, që do të luhet prej orës 21:00.
Trajneri bardhezi pritet të rikthejë nga minuta e parë Randal Kolo Muaninë duke ulur sërish në stol Vlahoviçin. Në stol pritet të ulet edhe Di Gregorio, ndërsa portën e “Zonjës së Vjetër” këtë herë do ta mbrojë Matia Perin. Përpara tij do të jetë dyshja e kushtëzuar nga dëmtimet e të tjerëve Gati dhe Keli, ndërsa në të djathtë konfirmohet edhe Timoti Ueah. Në krahun e majtë do të luajë Ruhi, i cili do të marrë vendin e Kambiazos që nuk është në 100% të gjendjes së tij.
Në mesfushë rikthehet titullar Kefren Turam që do të luajë krah Manuel Lokatelit. Një fanellë titullari pritet të ketë edhe për Niko Gonzalezin që do të marrë vendin e Kenan Jildizit. Pas shpinës së Kolo Muanisë, veç Niko Gonzalezit do të rreshtohen edhe Fransisko Konseisao e Teun Kopmeiners. Tiago Mota ka vendosur të lejë pushim këtë herë edhe Ueston Mekenin, që megjithatë, mbetet në balotazh me Kopmeinersin.
PANORAMASPORT.AL