
Flamuri i Shqipërisë vijon tashmë të valë vitet rregullisht mes më të mirëve në kompeticionet më prestigjioze të skive dhe përsëri protagoniste është Lara Kolturi.
18-vjeçarja e cila përfaqëson Shqipërinë ka shënuar një tjetër rezultat të madh në arenën ndërkombëtare. Ndonëse kishte pjesëmarrjen e saj të parë në një Kampionat Botëror për të rritura, Kolturi ka lënë menjëherë gjurmë duke u futur në top-10. Një rezultat fantastik, i cili ishte i paimagjinueshëm vetëm pak vite më parë për Shqipërinë, me një traditë modeste në sportin e skive. Kolturi bëri dje performancë të shkëlqyer në finalen e sllallomit gjigant në Saalbach të Austrisë, duke u renditur në vendin e shtatë.
Megjithëse vinte me disa probleme fizike në këtë garë, Kolturi e mbylli me kohën e përgjithshme 2:26.21, teksa shënoi rezultatet 1:12.92 në zbritjen e parë dhe 1:13.29 në zbritjen e dytë. Paraqitje të niveleve të larta, me Larën që tashmë është rregullisht pjesë e më të mirave të botës në kompeticionet më të rëndësishme të skive alpine. Për sa i përket zonës së medaljeve në sllallomin gjigant dje në Saalbach, Federika Brinjone i dhuroi të artën pas 28 vitesh Italisë në Kampionatin Botëror.
Brinjone ishte e jashtëzakonshme, duke regjistruar kohën 2:22.71, për të fituar medaljen e artë. Aliçe Robinson e Zelandës së Re fitoi medaljen e argjendit me kohën 2:23.61, ndërsa podiumi u plotësua nga Paula Moltzan e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila mori të bronztën me kohën 2:25.33. Kolturi do të ketë një tjetër garë të shtunën në Kampionatin Botëror, teksa do të matë forcat në disiplinën e sllallomit. Ndërkohë Denni Xhepa është kualifikuar për finalen sllallomit gjigant dhe sot të zbresë në pistë për të marrë një rezultat pozitiv.
SUPER EDHE NË KUPËN E BOTËS Lara Kolturi ka shkëlqyer këtë sezon edhe në etapat e Kupës së Botës, duke u ngjitur dy herë në shkallën e dytë të podiumit. Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë, renditet aktualisht në vendin e tetë në klasifikimin e përgjithshëm, teksa deri në këtë pikë të sezonit ka grumbulluar 408 pikë.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL