UEFA ka marrë një vendim i cili është padyshim historik për Shqipërinë. Shqipëria dhe Serbia do të presin Europianin e vitit 2027 për moshën U-21. Është një vendim historik pasi në stadiumet shqiptare do të luhen ndeshjet e fazës finale të kompeticionit më të rëndësishëm për Kombëtaret pas atyre A.
Pra bëhet fjalë për Kombëtaret U-21, ku 16 skuadrat më elitare do të përballen me njëra-tjetrën. Është një vendim historik pasi edhe Shqipëria U-21 do të marrë pjesë për herë të parë në fazën finale të këtij Europiani. Pra kuqezinjtë e U-21 nuk do të futen në fazën kualifikuese si gjithmonë, por do të kualifikohen menjëherë më tej si vend organizator.
Kjo do të bëjë që shumë yje të cilët luajnë me moshat e Gjermanisë, Anglisë apo Zvicrës, të ndryshojnë zgjedhjen e tyre dhe t’i bashkohen Shqipërisë pasi do të kenë mundësinë për të luajtur në Europianin e U-21 atje ku ndodhen skautë nga shumë klube të njohura. Shqipëria U-21 nuk është kualifikuar më parë dhe për këtë arsye, talentet shqiptarë luanin me fanellat e Kombëtareve të tjera, por tani kanë mundësinë të shkojnë në Europian edhe me Shqipërinë.
Por nuk mbyllet me kaq, një luftë e madhe ishte ajo mes Shqipërisë dhe Serbisë për të pritur finalen e Europianit. Pra përveç pritjes së këtij kompeticioni, finalja është ajo që ka vëmendjen më të madhe. Në fillim u tha se do të ishte Shqipëria që do të hapte Europianin dhe Serbia do ta mbyllte, por në fakt ndodhi e kundërta. Ndeshja e parë e këtij Europiani do të hapet në Serbi, ndërsa ndeshja e fundit e Europianit U-21, pra finalja e madhe, do të luhet në Tiranë.
Një tjetër tregues i madh ky që Shqipëria ka përparuar shumë në botën e futbollit dhe ka fituar më shumë kreditë se Serbia, duke marrë pjesën më të mirë të këtij Europiani. Ndërkohë këto ndeshje në Shqipëri do të luhen në Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe në Rrogozhinë.
Ndërkohë presidenti i FSHF, Armand Duka, u shpreh i lumtur pas kësaj arritje historike: “Ky është një vendim shumë i rëndësishëm nga UEFA, sepse Kampionati Europian U-21 i vitit 2027 do të jetë më shumë sesa një turne futbolli. Ai do të shërbejë si një katalizator për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Shqipërisë dhe Serbisë. Ky turne do të tregojë gjithashtu se çfarë mund të arrihet kur njerëzit bashkohen rreth një objektivi të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit.
Ky do të jetë eventi më i madh sportiv në historinë e Shqipërisë. Prandaj, ai na jep mundësinë që, me mbështetjen e UEFA-s, të modernizojmë stadiumet dhe infrastrukturën e futbollit në të gjithë vendin. Gjithashtu, ky organizim do të krijojë një trashëgimi të qëndrueshme për të frymëzuar brezat e ardhshëm të lojtarëve, vullnetarëve dhe tifozëve në të dyja vendet”, tha Duka.
Nga ana tjetër edhe Kurir ka shkruar në lidhje me këtë organizim, teksa media serbe jo vetëm që nuk hap asnjë polemikë për organizimin me shqiptarët, por e quan si një arritje të madhe për të gjithë Ballkanin faktin që do të presin së bashku me Shqipërinë këtë turne. Duket se edhe serbët kanë lënë në dytësore urrejtjen ndaj shqiptarëve dhe shohin llogaritë e tyre fitimprurëse nga ky Europian, jo vetëm monetar. /Sport Ekspres/
Burimi informacionit @Gazeta Sport Ekspres: Lexo me shume ne : Gazeta Sport News gazeta sport news