Një zyrtar i lartë i Izraelit tha se pret që lufta kundër Hamasit të zgjasë deri në fund të vitit, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për armëpushim.
“Mund të na duhen edhe 7 muaj të tjerë luftime për të forcuar suksesin tonë dhe për të arritur atë që e kemi cilësuar si shkatërrim të Hamasit”, tha Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Tzachi Hanegbi, të mërkurën për radion publike izraelite.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, gjatë vizitës në Moldavi, tha se Izraelit i duhet “sa më parë të jetë e mundur” një plan post-lufte dhe se mungesa e një projekti të tillë mund të shkaktonte kaos.
“Mendoj se kjo nënvizon rëndësinë jetike për të patur një plan pas luftës sepse pa një plan të tillë, mund të mos ketë mbarim të luftës”, u tha zoti Blinken gazetarëve.
“Pa një plan të tillë,Hamasi do të mbetet në fuqi, çka është e papranueshme. Ose ndryshe, do kemi kaos dhe paligjshmëri”.
Ushtria izraelite tha të mërkurën se tre ushtarë të saj kishin mbetur të vrarë në qytetin Rafah në jug të Gazës, ku banorët njoftuan për sulme të tjera ajrore nga Izraeli dhe Hamasi njoftoi se lëshoi raketa kundër forcave izraelite.
Sulmet e fundit vijnë në një kohë që Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe janë shprehur se është e nevojshme që të ketë armëpushim në Gazë dhe që grupet humanitare të kenë mundësi të ndihmojnë palestinezët që kanë dëshpërimisht nevojë, pas pothuajse 8 muajsh luftë.
Shtetet e Bashkuara u shprehën “thellësisht të shqetësura” të martën mbi atë që duket të ketë qenë një sulm ajror izraelit që vrau 45 palestinezë që strehoheshin në një kamp refugjatësh në Rafah dhe plagosi 200 të tjerë. Shtetet e Bashkuara thanë se i kishin bërë thirrje Izraelit të kryente një hetim të plotë.
“Ato pamje janë trishtuese”, tha për gazetarët zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Ai tha se Izraeli ka të drejtë të luftojë Hamasin, por njëkohësisht ka detyrimin që të bëjë gjithçka që është e mundur për të minimizuar dëmtimin e civilëve gjatë operacioneve të tij. Ushtria izraelite tha se po shqyrton mundësinë që armët e fshehura në zonën e goditur nga sulmi izraelit mund të kenë shkaktuar një zjarr vdekjeprurës në kampin e refugjatëve të dielën.
Një zëdhënës ushtarak tha të martën se municionet e përdorura nga ushtria izraelite ishin shumë të vogla për të shkaktuar një zjarr masiv./VOA
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co