Zëvendës kryetari i Grupit të CDU/CSU në Bundestag dhe njëkohësisht kryetari i Grupit për Ballkanin Perëndimor në Bundestag, Johan Wadephul, ka pasur një mëngjes pune me kryetaren e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, në Bundestag. Deputeti i CDU dhe një njohës shumë i mirë i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, ndau pas takimit një foto në rrjetin social X (dikur Twitter) me kryetaren e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku.
Wadephul, një figurë e rëndësishme e CDU-së, ka qenë një nga mbështetësit e procesit të integrimit dhe një figurë e njohur për shqiptarët për shkak të pozicionit të tij në Bundestag. Gjatë takimit të tyre, Wadephul theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, si dhe të avancimit të procesit të integrimit në Bashkimin Europian.
Ata diskutuan rreth mënyrave për të përshpejtuar reformat që do të ndihmonin në plotësimin e kritereve të BE-së dhe për të rritur angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu, ata theksuan rëndësinë e forcimit të mekanizmave të përgjegjshmërisë për të garantuar transparencën dhe qeverisjen e mirë. Në fokus të diskutimeve ishte gjithashtu edhe mbështetja e Gjermanisë në avancimin e këtyre proceseve, si dhe rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Tabaku theksoi domosdoshmërinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si një shkak kryesor për të pasur një demokraci institucionale dhe perëndimore. Në diskutim u fol edhe për masat kundër korrupsionit që kërkojnë një vullnet të qartë politik të mazhorancës.
“Takim i shkëlqyer me Kryetaren e Komisionit të Çështjeve të BE-së në Parlamentin Shqiptar, mikeshën time, Jorida Tabaku. Diskutuam për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe Shqipërisë dhe përparimin në procesin e integrimit në BE. Duhet të përdorim momentumin për bashkëpunim më të ngushtë mes EPP dhe Partisë Demokratike të Shqipërisë, ” shkruan në postimin e tij Wadephul.
Takimi me Wadephul vjen në një moment kyç për Partinë Demokratike, duke theksuar mbështetjen e fortë të CDU/CSU për një bashkëpunim më të gjerë mes Partisë Demokratike, familjes së Partive Popullore Europiane (EPP) dhe partnerëve të tyre në Gjermani. Ky bashkëpunim synon të përshpejtojë përparimin e Shqipërisë drejt rrugës së saj europiane dhe të sigurojë mbështetjen e nevojshme për reformat e domosdoshme.
(Balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co