Pas ditës së djeshme, sot që herët në mëngjes ka filluar sërish puna për shuarjen e plotë te zjarrit në Malin e Thatë, pranë Parkut Kombëtar të Prespës në territorin e bashkisë Pustec.
Prefekti i Qarkut të Korçës Nertil Jole ka qenë këtë mëngjes në Goricë të bashkisë Pustec së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin në Ministrinë e Brendshme, z. Arben Cara, për të koordinuar punën e rreth 80 forcave te shërbimit të MZSH-ve, të Forcave të Armatosura te Repartit Ushtarak Drenovë (Korçë), atyre të Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, shërbimit pyjor, etj.
Prefekti Jole informon se dje siguruan mbështetjen nga ajri me helikopterin Cougar dhe dy avionë të dërguar nga pala maqedonase dhe se në varësi të ecurisë së sotme do të vlerësohet çdo mundësi, por duke shpresuar që zjarri mund ta mbahet në kontroll me forcat e angazhuara në terren.
Prefekti falenderon të gjitha strukturat e angazhuara dhe veçanërisht Ministrin e Mbrojtjes z. Pirro Vëngu, Ministrin e Brendshëm z. Ervin Hoxha, Drejtorin e AKMC z. Haki Çako, për mbështetjen e pakursyer, për të mbrojtur një nga kurorat më të bukura të gjelbërta të Shqipërisë.
“Mbrojtja e pyjeve është detyrë e të gjithëve, ndaj duhet të tregojmë shumë kujdes e vigjilencë për të shmangur pasoja të rënda dhe kosto të larta të kapaciteteve të mobilizuara!”, shkruan Prefekti Jole ne FB.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co