Prej mëngjesit të së hënës Bashkia e Elbasanit është përballur me një situatë të vështirë zjarri në kodrat pranë fshatit Valas. Pas disa orë luftë me flakët zjarri është vënë nën kontroll dhe po punohet për fikjen totale të tij.
10 mjete zjarrfikëse dhe mbi 100 punonjës, efektivë zjarrfikës, emergjencat civile, punonjës të shërbimeve publike dhe banorë të zonës kanë punuar për të bërë të mundur fikjen e zjarrit.
Terreni i vështirë dhe era e fortë vështirësuan punën e ekipeve zjarrfikëse, ndërsa raportohet se janë rreth 5 hektarë kodra me pemë frutore, kryesisht ullishte të përfshira nga flakët.
Situatën e ka menaxhuar nga afër Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja i cili kërkoi ndihmën e strukturave të tjera për të bërë të mundur fikjen sa më parë të zjarrit, me sa më pak dëme. Llatja falënderoi të gjitha strukturat të cilat u përgjigjën në kohë rekord si: Drejtoria e Përgjithshme e Zjarrfikëseve, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, Prefektura e Elbasanit, Forcat e Ushtrisë dhe Bashkitë Cërrik , Tiranë, Kamëz, Rrogozhinë, Belsh, Gramsh, Librazhd e Prrenjas.
Koordinimi i mirë i situatës bëri të mundur që zjarri të mos prekë banesat, stacionet e depove të ujit të Bashkisë Cërrik dhe nënstacionin elektrik të Bashkisë Cërrik.
Llatja së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Zjarrfikëseve Arben Cara dhe Kryetarin e Bashkisë Cërrik Andis Salla vijojnë të jenë në terren me grupet e punës për menaxhimin e situatës deri ne fikjen e plotë të zjarrit.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co