
Henrik Mkitarian e sheh diku tjetër problemin e Interit. Mesfushori armen mendon që fakti se ata janë të fortë dhe zbresin me këtë mentalitet në fushën e lojës, bën që të lëshojnë disi terren ndaj rivalit.
“Jemi të gjithë të mërzitur, jo vetëm Lautaro. Në pjesën e dytë Juventusi u përmirësua shumë, në metodën e lojës. Ne duke pasur shumë besim dhe duke menduar që po luanim mirë bëmë keq.
Nisëm që t’i linim rivalit më shumë fushë. Nuk duhet të ndodhë, por i tillë është futbolli. Nëse nuk shfrytëzon rastet e paguan. Unë flas për vete. Ndoshta problemi është që ne e ndiejmë veten shumë të fortë dhe relaksohemi në fushën e lojës dhe nuk kemi përqendrim. Mendojmë që i fitojmë ndeshjet lehtësisht dhe në fund e paguajmë. Nuk ka problem fizik apo teknik. Ndoshta thjesht ideja që jemi të fortë na penalizon dhe na shqetëson”, ka thënë Mkitarian.
Ai foli edhe për të ardhmen. “Shpresojmë që ndaj Napolit të bëjmë një ndeshje të madhe, por fillimisht mendojmë për Xhenoan dhe për Kupën e Italisë”, përfundoi mesfushori armen deklaratën e tij.
PANORAMASPORT.AL