Këshilli i Ministrave vulosi mesditën e djeshme indeksimin e pensioneve 4.1%. Vendimi u miratua javën e kaluar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe këtë të mërkurë mori ‘OK’ në mbledhjen e qeverisë.
Pensionet urbane mesatare rriten 752 lekë, ndërsa ruralet 453 lekë. Do të jenë 791 mijë pensionistë përfitues, tha ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhja pas mbledhjes së qeverisë.
“Duke filluar nga 1 tetori 2024, pensionet do të indeksohen me 4.1% bazuar në llogaritjen e INSTAT të indeksit mesatar vjetor të muajit gusht 2024 për mallrat e shportës për pensionistët. Nga ky vendim përfitojnë 791.027 pensionistë sipas numrit aktual që ndahen në dy kategori 721005 janë pensione nga skema e detyrueshme e pleqërisë e indvaliditetit dhe pensionet familjare dhe 60918 janë pensione nga trajtimet e veçanta të qeverisë si ishushtarakët, pensionet e minierave, naftëtarët, pensionet e posaçme shtetërore dhe nga skema suplementare”, – tha Gonxhja.
Efektet e zbatimit të këtij vendimi “përllogariten në 1 miliardë 693 milionë vetëm për 3 muaj e vitit 2024” saktësoi ministri. Nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, masa e pensionit social rritet nga 9,327 lekë në muaj në 9,710 lekë në muaj. Ministri theksoi se synim kryesor i indeksimit është që të ruajmë fuqinë blerëse të pensioneve kundrejt rritjes së çmimeve dhe efekteve të inflacionit.
REFORMA E PENSIONEVE
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur dje se qeveria po punon për rishikimin e skemës së pensioneve për të rritur të ardhurat për këtë kategori. Në prononcimin për media pas mbledhjes së qeverisë, Gonxhja tha se qeveria ka në vëmendje të veçantë dhe në fokus rritjen e të ardhurave për pensionistët.
“Është një sfidë e jona për të garantuar që të kemi një rritje të të ardhurave për pensionistët në mënyrë që të kemi një jetë sa më të denjë për ta. Për këtë po punojmë dhe po studiojmë të gjitha mënyrat për të pasur një rishikim edhe të skemës por edhe për të arritur në një rritje të të ardhurave për këtë kategori”, – tha Gonxhja.
Ministri bëri të ditur se, duke filluar nga fundi i vitit do të ketë një bonus, i cili do të jetë i rishikuar dhe me një rritje.
“Një dialog dhe komunikim i gjerë do të fillojë nga mesi i muajit tetor me disa institucione dhe me gjithë palët e interesuara për të pasur një rishikim të skemës dhe një vlerësim, i cili do të na nxjerrë në rezultatet që kërkojmë për të pasur dhe gjeneruar një rritje të të ardhurave në funksion dhe favor të kësaj skeme”, – tha Gonxhja.
I pyetur se ku synohet të ndërhyhet, Gonxhja tha se “po përqendrohemi më shumë te barazia mes të ardhurave që janë për profesione të njëjta, por të dala nga llogaritja e nxjerrjes së pensionit në vite të ndryshme”.
“Kjo është një nga pikat që ne duam ta adresojmë dhe ta zgjidhim. Synim kryesor është që të shikojmë nivelet dhe kategoritë e çfarëdolloj pensioni, si atij të pjesshëm, të invaliditetit apo pensioneve të ndryshme të cilat janë në një nivel të ulët për shkak të skemës kontributive dhe kontributeve të tyre, të cilat në mënyrë të ligjshme dhe të përcaktuar ndër vite nga skema kanë atë nivel të ardhurash”, – shtoi ai.
Por, ministri sqaroi se, “për kategoritë që kanë një nivel nën minimumin jetik, ose në nivelin që i vë ata në vështirësi për përballimin e nevojave bazë të jetës, do të ketë një ndërhyje e cila të jetë në proporcion me nevojat dhe kërkesat që kanë kategoritë që kanë më shumë nevojë”.
“Kjo duke mos prekur asnjë gjë nga logjika e skemës kontributive, e cila në vetvete funksionon dhe varet nga kontributet. Ne gjithsesi po mundohemi që të rrisim të ardhurat në përgjithësi edhe jashtë kësaj skeme kontributive, por natyrisht që ka shumë rëndësi tregu i punës, deklarimi, paga reale, gjithë formalizimi i tregut të punës, sepse kjo ndikon direkt në kontributin për pensionet apo të ardhurat e tjera shtesë”, – tha Gonxhja duke shtuar më tej se po punohet me Ministrinë e Financave dhe ministri të tjera për të garantuar një rritje të ndjeshme në buxhetin e shtetit në mënyrë që të ketë një rritje të shpërndarjes së mirëqenies për kategori të tilla që janë më në nevojë.
“Pra, atë rritje ekonomike që vendi e njeh dhe e prek ne duhet të bëjmë ç’është e mundur që ta çojmë edhe në këto kategori që janë më në nevojë, në një masë më të madhe”, – tha ministri Gonxhja.
/Gazeta Panorama