Në rubrikën “Opinion” në News24, avokati Redi Ramaj e konsideroi të tmerrshme ngjarjen e ndodhur në Pogradec, pasditen e së shtunës, ku si pasojë e dhunës humbi jetën 42-vjeçari Eglantin Proga, baba i dy fëmijëve.
Ramaj tha se kemi një ngjarje të rëndë ku një qytetar ka humbur jetën. Avokati tha se nuk janë marrë kamerat e sigurisë në momentin e parë, ndërsa shtoi se ngjarje të tilla tregojnë se siguria është inekzistente.
Ai tha se nëse institucionet do të kishin punuar siç duhet, kjo ngjarje do të ishte zbardhur. “Nuk e di pse nuk janë marrë pamjet filmike. Kemi mungesë profesionalizmi të policisë, ose ka ndikim të të fortëve që ndikojnë në punën e institucioneve për të deformuar apo fshehur situatat”, tha Ramaj.
Gjithashtu ai tha se nuk kemi hetime aktive të Prokurorisë apo Policisë për të mbledhur sa më shumë prova. “U ndryshua akuza në dy tre ditë, është kohë rekord. Mund të ketë ndryshime akuze, por kjo nuk ndodh për 1 apo 2 ditë”, tha Ramaj.
Ai tha se hetimi duhej të përqëndrohej direkt mbi personat që janë nën hetim, përfshi edhe ata që janë akuzuar apo po hetohen për moskallëzim krimi.
Në vijim, avokati u shpreh se ne sot nuk e dimë sepse ka ndodhur krimi, pra shkakun, dhe pyetja që lind është: a është hetuar ajo pista e gjobëvënies.
Ndërsa sociologia Nora Malaj tha se jeta e njerëzve është e shtrenjtë dhe 42-vjeçari që humbi jetën as nuk ishte i skeduar, bënte dy punë dhe ishte një familjar që kishte zgjedhur të jetonte në këtë vend.
Malaj vlerësoi rolin e medias për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, ndërsa u shpreh se kemi veprime të cunguara nga institucionet përgjegjëse.
Ajo tha se ajo që e ka tronditur është fakti se kjo shoqëri qenka ngritur mbi frikën, pra nuk kemi bërë një edukim të shoqërisë.
“Kush e jep të drejtën që njëri të quhet i fortë dhe tjetri të quhet i dobët”, tha Malaj.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co