Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha se ia paraqiti një propozim për armëpushim presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka për qëllim pushimin e luftimeve me Rusinë, më shumë se dy vjet pasi Moska e nisi pushtimin e plotë.
Duke folur për gazetarë pasi u takua me Zelenskyn në Kiev më 2 korrik, Orbani nuk dha hollësi rreth përmbajtjes së propozimit të tij.
Zelensky, ndërkohë, nuk shprehu fare mendim për propozimin e Orbanit.
“E pyeta presidentin nëse është e mundur për një pauzë, për një ndërprerje të luftimeve, për vazhdimin e bisedimeve pastaj”, tha Orban për gazetarë pas takimit.
“Në fund të fundit, një armëpushim do ta garantonte përshpejtimin e ritmit të këtyre negociatave”, shtoi ai.
“I jam shumë mirënjohës presidentit për qëndrimin e tij të sinqertë për këtë çështje”, theksoi ai.
Orban udhëtoi në Ukrainë për herë të parë prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të këtij vendi, në shkurt të vitit 2022.
Udhëtimi u realizua një ditë pasi Hungaria mori presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.
Udhëtimi mori vëmendje të madhe, për shkak të kritikave të zëshme dhe të vazhdueshme të Orbanit për ndihmën ushtarake që Perëndimi i dërgon Kievit.
Orban është, gjithashtu, një nga udhëheqësit e paktë perëndimorë që ka takuar presidentin rus, Vladimir Putin, prej se ai ka dhënë urdhër për pushtimin e vendit fqinj.
Detaje nga bisedimet nuk dhanë as zyrtarët ukrainas, as ata hungarezë.
Një këshilltar i Zelenskyt, Andriy Yermak, tha se “është bërë shumë [për t’u përgatitur] për këtë vizitë”.
“Një bisedë e rëndësishme për të ardhmen e Evropës, sigurinë, ligjin ndërkombëtar, një formulë për paqen”, shkroi ai në një postim në Telegram.
Vizita u realizua vetëm disa ditë pasi Orban dhe Zelensky u takuan në një samit të BE-së në Bruksel.
“Bisedimet do të fokusohen në mundësitë për arritjen e paqes, si dhe në çështjet aktuale në marrëdhëniet dypalëshe hungareze-ukrainase”, shkroi zëdhënësi i Orbanit, Zoltan Kovacs, në X.
Ambasadori amerikan në Budapest, David Pressman, tha se e mirëpret vizitën e Orbanit në Kiev.
Prej se Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Orban u dallua në mesin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s për hezitimin e tij për të nënshkruar paketa të ndihmës për Ukrainën.
Dhjetorin e kaluar, ai u largua nga një takim i liderëve të Bashkimit Evropian për të shmangur votimin kundër nisjes së bisedimeve për anëtarësimin e Ukrainës në BE.
BE-ja, muajin e kaluar, i nisi këto bisedime me vendin në luftë.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co