Vdekja barbare e 42-vjeçarit Egli Proga në Pogradec ka shkaktuar përplasje mes Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës së Korçës. Shkak u bë referimi i ngjarjes nga ana e Prokurorisë si “vrasje nga pakujdesia”, Gjykata bëri njërin sy qorr, ndërsa i dyshimtë mbetet edhe roli i Policisë lokale.
Por mbi të gjitha familjarët pretenduan se ndihma e parë 42-vjeçarit iu dha me 30 minuta vonesë. Nga ana tjetër, drejtori i Urgjencës, Skënder Brataj deklaroi një ditë më parë se autoambulanca kishte mbërritur në vendin e ngjarjes për 7 minuta, nga momenti i marrjes së informacionit.
Por në fakt sa kohë i duhet ambulancës për të përshkuar disa qindra metra nga Spitali i Pogradecit e deri te vendi i ngjarjes? Në “Çështja e Ditës” me Klevi Muka u hodh dritë mbi një fakt konkret që deri tani ishte shmangur.
News24 ka përshkuar me makinë këtë rrugë dhe rezulton që distanca mes Spitalit dhe vendngjarjes, pa përdorur sirenat e urgjencës dhe me automjet privat me ecje normale, zgjat 1 minutë e 40 sekonda. Pra, shumë herë më pak se 7 minutat që pretendoi Brataj si kohë e nevojshme për të përshkuar distancën e dy skajeve.
[embedded content]
Në një rast urgjence si ai i 42-vjeçarit të dhunuar barbarisht nga Denis Meçe, jo minutat, por edhe çdo sekondë e humbur do të rriste gjasat për fatalitet, siç edhe fatkeqësisht ndodhi me babanë e dy fëmijëve, Egli Proga.
Çfarë tha Brataj dje?
Një ditë më parë drejtori i Urgjencës, Skënder Brataj në një prononcim për median u shpreh se ambulanca kishte shkuar për 7 minuta në vendin e ngjarjes.
“Nga verifikimi që kemi kryer, rezulton se në orën 19:12 minuta ka ardhur thirrja e Policisë së Pogradecit drejt urgjencës, ku kërkohet ndërhyrje e shpejtë për një person që gjendet në rrugë, në rrethrrotullimin te Agjencia.
Infermieri i vlerësimit ka kaluar të dhënat dhe misionin ekipit të Pogradecit dhe në 19:18 minuta ka mbërritur ambulanca në vendngjarje. Pas 2 minutash, pacienti është vendosur në autoambulancë, pra në 19:20, dhe është drejtuar drejt spitalit të Pogradecit.
Përgjatë 11 minutave të rrugës nga vendngjarja në spital, pacienti është asistuar nga stafi mjekësor. I gjithë misioni ka qenë në total 20 minuta, duke nisur nga kërkesa për ndihmë”, tha Brataj.
2 minutat kontradiktore mes Bratajt dhe Rrumbullakut
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku tha se policia ka njoftuar urgjencën në orën 19.10 minuta. “Veprimet e kryera nga struktura policore të angazhuara për hetimin e zbardhjen e ngjarjes:
• Marrë njoftim mbi ngjarjen në orën 19:09;
• Njoftuar e kërkuar ndihmë mjekësore për spitalin e Pogradecit, në orën 19:10;
• Shërbimi policor është paraqitur në vendngjarje për 3 minuta;
• Vendosur kufizimi dhe perimetri i sigurisë së vendngjarjes kriminale”, tha Rrumbullaku.
Brataj pretendon se njoftimi është bërë 2 minuta më pas, në orën 19.12 minuta, gjë që ka vënë në lëvizje ekipin e urgjencës, sipas tij. Edhe në qëndrimet e Policisë së Shtetit me ato të Urgjencës ka mungesë rakordimi. Ç’ka do të thotë se edhe akuzat në adresë të Urgjencës për ndërhyrje të vonuar tregojnë se nuk janë pa gjë dhe se diçka nuk ka funksionuar në zinxhirin e komunikimit mes institucioneve.
Deklarata e kryepolicit Muhamet Rrumbullaku ku shprehet se Policia ka njoftuar Urgjencën në orën 19.10 minuta
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co