I madh dhe i vogël, tifoz i futbollit dhe jo ndjekës i futbollit, të gjithë ishin dje përpara televizorit për të ndjekur El Clasico-n, Real Madrid-Barcelona. Njerëzve i kishin munguar emocionet e kësaj përballje, teksa një vëmendje e tillë mungonte që në kohën kur Ronaldo dhe Mesi përballeshin kundër njëri-tjetrit.
Spektakël pritej dhe ashtu rezultoi, veçanërisht në pjesën e dytë, atje ku Barcelona fitoi në shifrat 0-4. Por si arritën katalanasit për të fituar kaq thellë kundër madrilenëve? Sigurisht që futbolli nuk është një shkencë ekzakte dhe nuk mund të përmendim vetëm një detaj si elementin kryesor. Megjithatë, mund të tregojmë kurthin e Hansi Flick që ka përgatitur te Barcelona dhe që ka dalë me sukses në çdo ndeshje, ashtu edhe në dy të fundit, kundër Bayern Munchen dhe Real Madrid.
Për ta kuptuar më qartë po iu tregojmë pamjet e minutës së 49 nga ndeshja e djeshme, që e tregon më saktësisht. Në një goditje këndi për Real Madrid, më pas topi kthehet në prapavijë nga madrilenët. I menjëhershëm është spostimi i të gjithë lojtarëve dhe kryesisht mbrojtësave të Barcelonës që ngjiten sa më lartë, duke i nxjerrë në pozicion jashtë loje të gjithë lojtarët e Realit.
Kështu në atë aksion, dështoi një tjetër sulm i Real Madrid. Pra filozofia e lojës dhe kurthi i Hansi Flick është që mbrojtësat e Barcelonës të ngjiten sa më lartë në mesfushë dhe të mos rrinë shumë mbrapa, kështu ata nxjerrin në pozicion jashtë loje kundërshtarët. Jo pak, por 12 herë ka dalë Real Madrid dje në pozicion jashtë loje, ndërsa Barcelona vetëm njëherë. Ndryshe nga ndeshja me Bayern, angazhimi i lojtarëve ishte edhe më i madh kundër Realit për të qenë në të njëjtën linjë në ngritjen lartë të pozicionimit të tyre dhe shifrat flasin vetë, teksa vetëm Mbappe u kap 8 herë në pozicion jashtë loje. /Sport Ekspres/
<
Burimi informacionit @Gazeta Sport Ekspres: Lexo me shume ne : Gazeta Sport News gazeta sport news