Gola, emocione dhe spektakël por në fund nuk pati fitues. Barazim 3-3 mes Sassuolos dhe Milanit, në sfidën e vlefshme për javën e 32-të të Serie A. Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe u zhbllokua pas katër minutash. Pinamonti dërgoi topin pas shpinës së Sportiellos, duke ndezur festën vendase në shkallët e stadiumit Reggio Emilia.
Ekipi i Ballardinit, falë një zbritje të shpejtë realizoi edhe golin e dytë në minutën e 10-të. Një finalizim perfekt i Lauriente, i cili gjeti sërish të papërgatitur mbrojtjen kuqezi.
Djemtë e Piolit shkurtuan diferencat me Chukëueze në të 18-tën minutë, por goli i sulmuesit u konsiderua pozicion jashtë loje. Pak më vonë, Leao vallëzoi në zonë dhe me një të djathtë tokazi rihapi llogaritë e këtij takimi. Milan shtoi presionin në fundin e pjesës së parë, pa mundur dot të vendosë ekuilibrat.
Mesfushori francez Lauriente u shfaq protagonist përsëri në minutën e 53-të, duke kompletuar dopietën personale. Stefano Pioli nuk kishte asgjë për të humbur, aktivizoi kartën Oliver Giroud në të 55-tën, me sulmuesin francez që i mori vendin Musah. Milan gjeti forcën për të barazuar. Jovic u harrua në zonë në minutën e 59-të, me sulmuesin serb që nuk fali para portës. Goli i 3-3 mban firmën e Okafor, i cili përfitoi edhe nga një rrëmujë në zonë.
Asnjë minutë për Bajramin dhe Kumbullën, që shijuan këtë ndeshje nga pankina. Milan ka grumbulluar 69 pikë, duke konsoliduar pozitat në vendin e dytë. Në krahun tjetër, Sassuolo e vendit të parafundit merr një pikë shprese për mbijetesën.
(J.S/BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co