VIDEO/ 1+1=2! Çfarë na mësoi humbja me Ukrainën? Tani është koha t’i kërkojmë të gjithë falje Silvinjos

video 112 cfare na mesoi humbja me ukrainen tani eshte koha ti kerkojme te gjithe falje silvinjos
video 112 cfare na mesoi humbja me ukrainen tani eshte koha ti kerkojme te gjithe falje silvinjos

Shqipëria humbi në shifrat 1-2 ndaj Ukrainës në ndeshjen e fundit në Ligën e Kombeve në Air Albania. Një ndeshje që të lë shumë emocione jo të mira për shkakun se nga llogaritë për të mbërritur në vendin e parë dhe për të tentuar Botërorin, e mbyllim këtë grup në vendin e fundit. Tani është koha për të bërë një analizë dhe për të menduar ftohtësisht, se çfarë mësuam nga kjo shkundje në Ligën e Kombeve.

Në fakt, mund t’iu tingëllojë disi e çuditshme, por humbja me Ukrainën tregoi se faji nuk i përket aspak Silvinjos, se Silvinjo ka pasur të drejtë në thuajse gjithçka, nga dita e parë. Tingëllon e çuditshme kur të gjithë kritikojnë trajnerin, por, nuk është faji i tij, kjo ndeshje e dëshmoi qartësisht se ky është limiti i lojtarëve.

Ta nisim nga fillimi dhe t’ua shpjegojmë në detaje. Pas ndeshjes me Cekinë kur të gjithë mbetëm pa fjalë sesi trajneri ynë hyri në lojë për barazim dhe ishte i kënaqur me 1 pikë, ai tha pas ndeshjes: “Nëse do të luanim ndryshe, do të kishim humbur. Doja të mbetesha në lojë deri në ndeshjen e fundit”. E saktë, ndeshja me Ukrainën tregoi saktësisht këtë, nëse ne futemi në fushë për të fituar, mbrapa bëjmë gabime të tmerrshme dhe pësojmë gola amator.

Nuk duhet me patjetër që topi të hyjë në rrjetë për të ngritur alarmin e madh. Por nëse të gjithë po mendoni pjesën e dytë të shkëlqyer sulmuese të Shqipërisë, kur u hodhën të gjithë lojtarët sulmues në fushë, në prapavijë ishim tërësisht të pasigurt. Balliu me disa gabime katastrofale radhazi në mbrojtje, ku vetëm fati na shpëtoi nga goli i pësuar. Ajeti dhe Ismajli nuk kishin me atë garancinë maksimale, Mitaj gjithashtu. Kjo tregoi se mbrojtja jonë duket blind vetëm në momentin kur ne mbrojmë me 11 lojtarë pasi kur dalim në duelet tek për tek, nuk e kemi më sigurinë maksimale. Për të dalë pikërisht në idenë që Shqipëria nuk e ka mundësinë për të futur në fushë një formacion me natyrë sulmuese, është e detyruar të bëj lojën e shëmtuar, ky është kapaciteti i lojtarëve, për të provuar vetëm kundërsulmet.

Për t’u ndalur në emra. Të gjithë e kritikuan Silvinjon kur fuste Manajn, më pas hyri Daku dhe sërish e njëjta histori, hyri Tuci, hyri Uzuni më pas Bajrami, Arbër Hoxha, Ernest Muci, u futën të gjithë, me një, dy dhe tre sulmuesë, por në fund shënuam vetëm një gol nga penalltia. Edhe këtë Silvinjo e kishte thënë para ndeshjes, nuk ka rëndësi se me sa sulmues luan, nuk do të thotë se të luash me dy sulmues, do të shënosh 3 apo 4 gola.

Sot të gjithë duhet të heshtin sa i përket emrave, Silvinjo e hodhi armaturën e rëndë në fushë dhe përkundër disa lëvizjeve të bukura nga disa emra në veçanti, askush nuk tregoi se trajneri ynë po i bën një padrejtësi të jashtëzakonshme, askush nuk është i aftë për të vendosur ndeshjen. PIKË! Dhe për të kaluar në pikën e fundit dhe më kryesoren, hidhini një sy fillimisht kësaj deklarate të SIlvinjos para ndeshjes me Ukrainën.
?
Ne shpesh themi se futbolli nuk është shkencë ekzakte, por 1+1 është e barabartë me 2 në çdo fushë, edhe në futboll. Ndoshta mund t’iu duket tërësisht e parëndësishme, por është arsyeja kryesore se përse vuajmë në aksionet sulmuese. Gjithmonë pasimi që vjen nga mesfushorat tanë për lojtarët e krahut, apo pasimet që bëjnë lojtarët e krahut për mesfushorat tanë, pasimet më elementare, pasimet më të thjeshta, bëhen gabim. Një top në ajër që kërkon 3-4 sekonda të ulet për t’u kontrolluar, një pasim që e detyron lojtarin të kthehet mbrapa dhe jo një top i dërguar përpara që futbollisti tjetër ta ketë më të lehtë për të shtyrë direkt me topin, kërkojnë 4-5 sekonda kohë që i japin mundësinë menjëherë kundërshtarit për t’u rikthyer. Në këtë mënyrë ne humbim çdo lloj shpejtësie dhe befasie në aksion, gabimet në pasimet e thjeshta janë në masën 80% te Shqipëria. Një pasim i gabuar nuk është vetëm kur ti ia pason kundërshtarit, një pasim i gabuar është kur mbërrin edhe në mënyrën jo të duhur te shoku jot i ekipit, që e detyron atë të kthehet mbrapa për të kontrolluar topin dhe më pas të riniset përpara. Dhe për ta përmbyllur këtë analizë, arsyeja kryesore se pse Shqipëria është në vendin e fundit është për shkakun e formës të dobët të lojtarëve tanë në kohët e fundit. Koha do ta tregojë, Silvinjo i ka marrë Kombëtares mbi kapacitet e saj. Futbolli është ekuilibri i mbrojtjet, mesfushës dhe sulmit. Kosova ka pasur gjithmonë një luks të madh zgjedhjes në sulm dhe i aktivizuar shpesh të gjithë, madje në elemente cilësorë më të mirë edhe se te kjo Shqipëri, por nuk ka marrë rezultatet pikërisht për shkak të këtij ekuilibri. /Sport Ekspres/

Burimi informacionit @Gazeta Sport Ekspres: Lexo me shume ne : Gazeta Sport News gazeta sport news

dsaadmin

Learn More →