
Vetëm një trajner në Angli ka ngritur më shumë trofe në pesë vitet e fundit sesa ai: Pep Guardiola, i cili do të ulet sot në anën tjetër të stolit për të drejtuar Lejton Orientin. Riçi Uellens sot do të realizojë një ëndërr, ndërsa kujton se gjatë një forumi trajnerësh ku ndodhej edhe Guardiola për të folur si i ftuar, ai theu protokollin për të shkuar dhe kërkuar një foto me trajnerin e Sitit.
“Unë nuk e bëj këtë, por ai është ndryshe”, tha Uellens gjatë një interviste për “Daily Mail”. Ai ka fituar dy tituj në Ligën e Dytë dhe trofeun “Papa Xhons” me tre klube të ndryshme që prej vitit 2020. Ndërkohë që Guardiola ka fituar 4 tituj Premier Lige, tre kupa, në Europë dhe Botë me Mançester Sitin prej atëherë. “Isha pak më elegant sesa sot, më duhet ta them.
Pep u soll shumë mirë me trajnerët në sallë. Ishte një seancë pyetje-përgjigje dhe shumë pyetje po i drejtoheshin për stilin e lojës së tij dhe ai tha: ‘Mos më kopjoni, përse duhet të më kopjoni mua? Unë kam lojtarët më të mirë”.
Uellens sot është 44 vjeç dhe deri tani ka ndërruar pesë klube të ndryshme, duke shkuar nga Olldhem Atletik, me një pronar të çmendur dhe presionin se cilin lojtar duhet të zgjidhte dhe dhjetëra kandidatë për t’i zënë vendin, të cilët qëndronin në radhë jashtë zyrës së tij çdo ditë, tek Orienti, ku marrëdhënia e tij e ngushtë me presidentin Najxhel Trejvis mund të ndihmojë deri në shkuarjen në “play off”-in e Ligës së Parë.
PANORAMASPORT.AL