
Xhanluixhi Bufon ka arritur majat e futbollit europian me fanellën e përfaqësues së Italisë, duke qenë një nga protagonistët e ekipit që bëri të vetën Kupën e Botës në vitin 2006. Por duket se këtë dashuri për Italinë nuk ka arritur t’ia përçojë djalit të tij, edhe pse tashmë ish-portieri është pjesë e stafit të përfaqësueses italiane.
Në mënyrë të papritur, djali i tij Luis Bufon, i lindur në dhjetorin e vitit 2007, ka zgjedhur të mos veshë fanellën e kaltër, por atë të Çekisë.
I lindur nga martesa e Bufon me modelen çeke Alena Seredova, ai ka të drejtën të zgjedhë edhe Çekinë pikërisht për shkak të prejardhjes së të ëmës. Ndaj ia figuron në listën e përfaqësueses çeke U18, për një grumbullim në javën e ardhshme në Pisek, para sfidave ndaj Anglisë, Portugalisë dhe Francës.
Luis është një anësor i majtë, i cili ka luajtur me ekipet e moshave të Pizës, por në fundjavën e fundit ishte në pankinë me ekipin e parë në ndeshjen e Serisë B, ndaj Çezenës. Një tjetër emër i njohur i historisë së Italisë, Pipo Inzagi, ishte trajneri i cili zgjodh të grumbullonte djaloshin me skuadrën e parë, por pa i dhënë ende minuta mes profesionistëve.
PANORAMASPORT.AL