Arsenal dominon dhe thyen 3-1 Liverpool duke ndezur garën për titull në Premier League. Kjo ishte një sfidë kokë me kokë mes dy favoritëve, buzëqesh ekipi i Arteta-s që rikthehet në lojë, por buzëqesh edhe Guardiola, me “qytetarët” që e shohin kreun 5 pikë larg, por kanë dy ndeshje më pak se të kuqtë e Jurgen Klopp. Pikërisht në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, të paktën deri në këtë pikë, Klopp tradhtohet nga dy titullarët e tij më të rëndësishëm, Van Dijk dhe Alisson, me dyshen që i dhuruar “topçinjve” 2 nga 3 golat e shënuar.
Në minutën e 14-të, ishte Saka ai që kaloi Arsenal në avantazh. Liverpool u rikthye në lojë në fundin e pjesës së parë, me Luis Diaz që detyroi rivalët të devijonin topin në portën e tyre. Në pjesën e dytë, në minutën e 67-të, Martinelli përfitoi nga një mos marrëveshjes mes Van Dijk dhe Alisson duke rikthyer sërish Arsenal në avantazh. Për të hipotekuar këtë sukses të londinezëve mendoi Trossard, me belgun që në minutën e 93-të i kaloi topin poshtë këmbëve portierit Alisson duke sigluar shifrat në 3-1:
“Ishte një fitore e madhe, një ditë e bukur futbolli. Ne kishim nevojë për një paraqitje të tillë. Mendoj se lojtarët dhanë shpirtin dhe zemrën në çdo top, ishte një fitore e merituar”, u shpreh Arteta pas ndeshjes.
“Nuk ishte dita jonë më e mirë, kjo ishte e qartë që në fillim. Arsenal i meritoi tre pikët, për këtë nuk ka asnjë dyshim”, theksoi Jurgen Klopp në konferencë për shtyp.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co