Kievi ka hapur online Regjistrin e Dëmeve dhe u ka bërë thirrje ukrainasve “të kërkojnë kompensim për dëmet apo shkatërrimin e pronave të banimit” që janë shkaktuar gjatë pushtimit rus të Ukrainës, që nisi në shkurt të vitit 2022, bëri të ditur ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.
Përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter, Kuleba shkroi se gjatë adresimit në Konferencën në Hagë më 2 prill, ai theksoi se “ukrainasit kanë nevojë për drejtësi tani. Jo në një të ardhme të largët”.
Në deklaratën përfundimtare të konferencës për Drejtësi për Ukrainën, përfaqësuesit e 44 shteteve dënuan “aktet e agresionit nga Federata Ruse kundër Ukrainës” dhe konfirmuan zotimin e tyre për krijimin e një “tribunali të posaçëm për hetimin dhe ndjekjen e krimit të agresionit kundër Ukrainës”.
Në deklaratë u tha se Rusia duhet të përballet me të gjitha “pasojat ligjore për të gjitha aktet e saj të paligjshme ndërkombëtare… përfshirë reparacionin për lëndimet apo çdo dëm të shkaktuar nga këto akte”.Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri i Jashtëm i Holandës, Hanke Bruins Slot, që ishte nikoqir i konferencës, lavdëroi regjistrin e krijuar nga Kievi, duke thënë se ishte një përparim “për të arritur deri te llogaridhënia dhe kompensimi”.
Më 3 prill, Kuleba merr pjesë në takimin e kryediplomatëve të NATO-s në Bruksel. Takimi mbahet një ditë pasi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, propozoi krijimin e një fondi pesëvjeçar në vlerë prej 100 miliardë dollarësh për t’i ofruar armë Ukrainës.
Një burim nga NATO i tha gazetarëve se “ministrat e Jashtëm do të diskutojnë për mënyrën më të mirë të organizimit të mbështetjes së NATO-s për Ukrainën, për ta bërë mbështetjen më të fuqishme, më të parashikueshme dhe afatgjatë”.
Megjithatë, për këtë fond nuk pritet të merren vendime deri në samitin e NATO-s që do të mbahet në korrik në Uashington të Shteteve të Bashkuara./REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co