Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjten se do t’i japë përparësi dërgimit në Ukrainë të raketave të fuqishme të mbrojtjes nga ajri, pasi një seri sulmesh ruse me raketa dhe dronë dëmtuan objekte energjetike në të gjithë Ukrainën.
Qindra raketa të sapo prodhuara të tipit Patriot dhe NASAMS që përdoren për mbrojtjen tokë e ajër do të dërgohen në Ukrainë përpara vendeve të tjera që i kanë porositur ato, tha John Kirby, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare.
Ai theksoi se dërgesat e planifikuara për Tajvanin dhe Izraelin nuk do të ndikohen nga kjo lëvizje dhe se vendet e tjera që prisnin dërgesat e ishin “gjerësisht mbështetëse” kur u informuan për vendimin e Uashingtonit.
“Natyrisht që nevojitet më shumë dhe nevojitet tani”, tha zoti Kirby për gazetarët gjatë një konference telefonike. “Pra, si rezultat, qeveria e Shteteve të Bashkuara ka marrë vendimin e vështirë, por të domosdoshëm për t’u dhënë përparësi dërgesave në Ukrainë të raketave Patriot dhe NASAMS”.
Një sulm rus masiv me raketa dhe dronë gjatë natës dëmtoi objekte energjetike në të gjithë Ukrainën, një ditë pasi vendi njoftoi ndërprerje të energjisë elektrike për shkaqe të lidhura me luftën.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co