UVIL ZAJMI/ Ka mjaftuar vetëm një çast, një shikim, dy-tre fjalë, pastaj një dashuri pasionante, deri ditën që ai u nda nga jeta. Të tillë e kujton edhe sot Fatbardha Sharofi (Morina), vajza e bukur, elegante, nga momenti, kur u pa, u takua për herë të parë me njeriun e jetës, Fatmir Sharofin, sportistin ikonë të volejbollit të “17 Nëntorit”, Kombëtares dhe “Dinamos”. Takimet fshehurazi, pastaj zbulimi, zhurma e bujshme që përfshiu mjedisin kryeqytetas, fejesa, dasma dhe muaji i mjaltit nën një çadër me kashtë. Admirimi për kinemanë, filmat, nga “Më fal” te “Rrugë të kaltrat”, simpatia, miqësia ma aktorët, artistët, mbrëmjet argëtuese dhe shëtitjet pa fund. Nga Fatmir Meka te Ali Lulolli, miqtë e afërt të çiftit Sharofi.
Një histori e bukur dashurie, që nuk është e vetme. Ka plot të tilla romantike, të pa rrëfyera, të pa shkruara e treguara, ngjarje që i takojnë viteve të famshme ‘70-të, me protagonist sportistë, artistë, aktorë, njerëz publikë, të denja edhe për ciklin tonë “Dashuritë e mëdha”. Dashuria e saj me Fatmir Sharofin edhe sot kujtohet nga ai brez, kur çifti u shfaq në publik. Ajo e re, e bukur, tërheqëse, ai elegant, me famë. “Edhe pse kishim pak diferencë në moshë, nuk na pengoi të ndërtonim, kalonim një jetë plot pasion, e të pandarë”- shprehet Bardha për Panorama. I rikthehet viteve të dashurisë, pa harruar asnjë detaj, bashkë me fotografitë, ato bardhezi, që janë përtej nostagjisë. Nuk ka ndryshuar, ajo Bardha e Fatmirit ka mbetur, e dashur, fisnike, ende një grua tërheqëse.
Znj. Sharofi, cila ishte Bardha, ajo vajza e bukur adoleshente?
Nxënëse në Teknikumin e Fizkulturës në Tiranë, një shkollë e preferuar për sportistë, për ata të rinj që kishin prirje për sport. Unë kisha të dhëna për disa disiplina sportive, familja më mbështeti, kur u regjistrova në vitin shkollor, 1964-65. Për t’u bërë më pas një mësuese fizkulture, profesion që e më pëlqente.
Shumë e re, një lidhje e veçantë me sportin?
Kam qenë e gjithanshme. Tejet aktive, energjike, përshtatesha me mjediset sportive. Në gjimnastikë me profesor Saim Bejtjen dallohesha më shumë, pastaj në kërcim së larti, gjithashtu, kisha shoqe Marjeta Pronjarin, me specialistin e njohur Taqo Duka, por edhe në volejboll. Trajnerët diskutonin me njëri-tjetrin, do ta marr unë Bardhën, jo do ta marr unë.
Ka një moment provokues?
Fillimi i sezonit arsimor 1966-67, viti i tretë, i fundit ndërsa po qëndroja në oborrin e shkollës, në “IKF Vojo Kushi”, sapo ishim transferuar aty, vjen një djalë, që i interesohej dhe më pyet, se ku ndodhet sekretaria e shkollës. Pa kuptuar asgjë e shoqërova duke i treguar zyrën. E dija si sportist, si emër Fatmir Sharofi, që edhe ai kishte përfunduar Teknikumin. Pa pasur asnjë kontakt, njohje më parë me të. Por, realisht ajo ardhje nuk ishte rastësi, madje e provokuar nga një shok i klasës sime, që unë e kam marrë vesh më vonë.
Pak minuta, për njohjen, takimin e parë
Nisur nga një interesim, simpatia që tregonte, shprehte Fatmiri për mua, Todi Driza, të cilin e kisha në klasë, edhe ky volejbollist, të cilët i bashkonin grumbullimet, në Kombëtare, te Dinamo. Ai e kishte këshilluar, dhënë një farë drejtimi si të vepronte, të afrohej, njihej me mua. Ky ka qenë takimi im i parë me Fatmir Sharofin, vetëm pak minuta. As 16 vjeçe nuk kam qenë. Kurrë për të menduar se ai çast ishte nisja e një dashurie, bashkëjetese të madhe për të dy.
Vjen një tjetër surprizë për ju?
Ka qenë paradite, fundi i nëntorit 1966, kur në orën e gjimnastikës, në njërën nga sallat e pallatit të sportit “Partizani”, papritmas futet një grup me sportistë. Ishin të volejbollit të “Dinamos”, që do të zhvillonin një seancë stërvitje në sallën tjetër. Pas pak ditësh do të luanin kundër një ekipi italian. Me to ishte edhe Fatmiri, Todi Driza, si dhe trajneri Vangjel Koja.
Nga lart në paralele, zbritje plot emocion në tapet?
Po, kryeja ushtrime në paralele, kur shoh Todin që ma bën me dorë, Bardha më thirri në emër. Me shkoi diçka ndërmend, që nuk ishte rastësi, pasi shoh edhe Fatmirin, djemtë e “Dinamos”, të gjithë me vështrimin tek unë. M’u bllokun duart, zbrita nga paralelja. Erdhën më takuan, shkëmbyem diçka, unë e mpirë e emocionuar, një vajzë e re, përballë tyre. E njeh këtë djalin, më pyet Todi, duke më treguar Fatmirin? Po sikur e kam parë disa ditë më parë në shkollë se më kërkoi zyrën e sekretares. Por e njoh edhe si sportist, volejbollist, i them.
Keni përkrahjen e një personazhi të njohur?
U larguan, filluan stërvitjen. Profesor Xhela i kishte pyetur, dhe ata diçka i kishin shprehur, treguar. Bardhën e kam nga nxënëset më të mira në Teknikum ishte shprehur ai. Profesor Xhela më njihte mirë, më pëlqente si sportiste, kisha kërcyeshmëri. Duhet të shkosh në volejboll më shoshte, ku Thoma Kuken kishim si trajner, pedagog.
Nis, një tjetër fazë për ju, hapat e para të një lidhjeje pasionante?
Ai ishte takimi i dytë me Fatmirin. Pak nga pak, herë si rastësi, herë jo, Fatmiri nisi të vinte në shkollë, të më priste, takoheshim, shoqëroheshim, qëndronim më gjatë. Pas stërvitjeve, nga instituti deri në shtëpi e bënim bashkë. Në ato fillime fshehurazi sigurisht, por ishte e pamundur të mos zbuloheshe. Fatmiri ishte shumë i njohur, cila është kjo vajza që shoqërohet me të? Më thërrasin në drejtori se edhe drejtuesit e shkollës ishin njoftuar.
Shqetësohet edhe drejtoria e shkollës?
Një vajzë e re, nxënëse që dashurohet, për kohën ishte jo shumë normale. Kiço Karaguni, drejtori, një burrë, njeri i mrekullueshëm, më thërret, Bardha eja këtu: “Kemi marrë vesh se ti ke një lidhje më Fatmir Sharofin”. Po i përgjigjem nuk e mohoj, unë e dua atë djalë. E di ti se ne të përjashtojmë nga shkolla, por dëgjo më thotë Kiço: “Ne kemi menduar të mbajmë këtu pedagoge”. U befasova pasi neve na interesonte që të bëhej publike marrëdhënia jonë, sepse në mbarim të shkollës, mund të më emëronin larg Tiranës. Duke qenë e fejuar, nuk të largonin. Ndërkohë emërimi aty, vinte edhe për faktin se në institut nuk kishte shumë pedagoge femra.
Kërkoni një biletë për Bloker-in
Ajo ka qenë hera e parë them që kam shkuar në pallatin e sporti për të ndjekur një ndeshje. Luante “Dinamo” me një skuadër holandeze, për Kupën e Kampioneve, “Bloker” quhej. Ka qenë muaji janar 1967, morra edhe dy vëllezërit e mi. Edhe pse sapo ishim njohur, por ende pa bërë shkëmbimet e fejesës, siç veprohej atëherë, i kërkova bileta dhe Fatmiri m’i siguroi. E “Dinamo” fitoi dhe në atë takim ai shkëlqeu, mund të ketë qenë lojtari më i mirë. Në ato vite ndonëse ai luante me “17 Nëntorin”, por Dinamo për takimet ndërkombëtare e merrte gjithmonë si përforcim.
Prindërit, çfarë qëndrimi patën me Bardhën e dashuruar?
Gjatë kësaj kohe unë i tregova prindërve. Reagimi ishte pozitiv, sidomos nga babai. Pastaj prezantimi, njohja e tij dhe e imja me familjet. Kujtoj se mamaja nga meraku, pas ndeshjeve, shëtitjeve në xhiro, qëndrimit në lokale, kthimit vonë në shtëpi, ose kur shkonim në plazh të dielave, me tren, më priste derisa vija në shtëpi. Kur me ekipin e volejbollin shkonim me pushime në Durrës, në grumbullime, kisha një reagim ndryshe nga prindërit: Në Durrës ti po shkon, por jo me Fatmirin. Jo, jo i thosha unë.
Cilat ishin dy familjet, Morina e Sharofi?
Ne ishim tetë fëmijë, katër motra, katër vëllezër. Një vëlla e kisha gjimnast edhe ai me Teknikum të fizkulturës, Gani Morina, mësues në Politeknikum. Nga të gjithë, vetëm unë u dashurova, u lidha me një sportist. Ndërsa Fatmiri kishte dhe dy vëllezër, njëri financier, tjetri realizonte gdhendje artistike. Si dhe dy motra, njëra prej tyre gruaja e Niko Xhaçkës, futbollist i njohur i “17 Nëntorit” dhe i Kombëtares.
Me traditë artistike dhe sportive?
Nga familja ime jo shumë. Unë dhe vëllai të angazhuar me sport. Kurse nga Fatmiri, po, një fis i njohur, si artistet Zekine Sharofi, balerinë, gruaja e Gjoni Athanas, Adivije Sharofi, edhe kjo balerinë, gruaja e Isuf Alibalit, aktorja që ka luajtur Mamicën te filmi “Skënderbeu”. Edhe Emona Gripshi, ish-volejbollistja e Dinamos, është mbesa e Fatmirit.
Një argëtim pa kufi?
Pasi mbaronte stërvitjen, shkonim te Bar-Sahati, Vollga, Hotel Dajti, në tavernën e tij. Po kështu edhe te Lulishte 1 Maji, ku përveç ushqimit argëtoheshim duke kërcyer. Ndryshe, Vitin e Ri e festonim në shtëpi. Një kohë kjo shumë e bukur, përveç sportit kishim edhe kinemanë, Teatrin, Estradën, mjafton të qëndronim pa u ndarë. Shumë i kemi frekuentuar kinematë, filmat e bukur, ato me dashuri. I preferuar ka qenë filmi “Më fal”, apo “Rrugë të kaltrat”, e mjaft të tjerë. Edhe me aktorët kishim miqësi, njohje. Na pëlqenin të gjithë, por më shumë Roland Trebickën.
Miqtë, cilët ishin ata më të afërt?
Kishte shumë miqësi me Fatmir Mekën, familjen e tij, ish-lojtar, trajner sportist i njohur, dhe e kishim të përnatshme daljen së bashku. Me Asllan Rusin, Ylli Shehun, gjithashtu. Por me Ali Lulollin, edhe pse ishin lojtarët me skuadra të ndryshme, ishin më shumë se miq. Me Lulollin sikur kishin pirë gjak. E vazhdojmë edhe sot, kur Aliu vjen nga Zvicra, sa arrin, shkojmë në varreza te Fatmiri.
Edhe jashtë shtetit duhet të mendosh për Bardhën?
Kur dilte jashtë shtetit me ndeshje, vetëm mua më sillte, çfarë mund të kishte mundësi. Kujtoj një varëse të bukur. Po kështu veshje, këpucë, triko, xhupa si dhe një orë dore që e kam ende. E prisja me padurim të kthehej, pa të e kisha të vështirë të qëndroja gjatë. Por padyshim edhe për dhuratat e tij, që më jepnin kënaqësi. Kurrë nuk vinte duarbosh. Vishesha bukur.
Flasim pak për fejesën
Lidhja jonë bëri bujë në Tiranë dhe atë periudhë para dhe pas fejesës e kujtoj me nostalgji. Bashkë kudo, me miq, në mbrëmje, në pallat sporti, ndeshje. Qëndrimi me orë të tëra pastaj ndarja, sa e vështirë ka qenë për mua kur më përcillte deri tek dera e shtëpisë. Ishim shumë të dashuruar. Të fejuar qëndruam katër vjet.
Nga dasma, në plazh me ekipet?
Në 1970 u martuam. Dasmën e bëmë në shtëpi, kishim një oborr të madh. Jemi kënaqur. Një Tiranë sportive, por edhe shumë miq, shokë, të afërm ishin të ftuar. Problem ishte shtëpia, pasi te Fatmiri ishin ngushtë. Megjithatë pas martesës aty qëndruam. Ideja se ti kishe shtëpi private, nuk të jepnin hyrje, apartament dhe për klubin ishte e pamundur.
Një muaj mjalti, tejet i veçantë për çiftin Sharofi
E kujtoj gjithmonë. Pas dasmës u nisëm për në Golem, dy javë me “17 Nëntorin”, ai me djemtë unë me vajzat, ku ishin Fahrije Hoti, Vera Verria, me trajner Harun Dojakën. Lame Konomi, shefi klubit na bëri një surprizë të bukur: Një çadër të veçantë për ne të dy, mbuluar me kashtë, shumë romantike. Më vonë shkuam te “Vila 12” te Iliria, pastaj në Dajt. Më pas mbeta shtatzënë, duke ndërprerë aktivitetin sportiv. Fillon një profesion i ri për ju? Viti 1968, mbarova teknikumin, me caktuan te 8-vjeçarja “De Rada”. 2 vjet aty, sapo u hapën klasat sportive u shkëmbeva me Bukuroshe Shtizën. Ajo shkoi te “Avni Rustemi” për basketboll, ndërsa unë te “Kongresi i Përmetit”. Edhe pse ishte shkollë muzike, edhe aty u hapën klasat sportive në volejboll. Gjatë kësaj kohe vazhdoja edhe me “17 Nëntorin” në volejboll, ku ishin Fahrije Hoti, Vera Verria, me trajner Harun Dojakën.
Jeni zbuluese e një talenti të madh jo në muzikë por në sport?
Te “Kongresi”, jepja mësim në klasat e pesta. Në fillim të një sezoni shkollor, me nxënësit e tjerë, vjen edhe një e re, Ela Tase quhej. U regjistrua në klasën sportive, në volejboll. E pashë që kishte talent dhe i them Thoma Kukes, se në shkollë kam një vajzë të talentuar. E morra Elen e çova, e prezantova me Thomain në klubin e “17 Nëntorit”.
Ka reagim për nxënësen Tase e kërkon Dinamo?
Ndërkohë, Ylli Shehu, ish-volejbollist i njohur, kapiteni i Dinamos, mik i Fatmirit, sapo kishte marrë vajzat e reja të Dinamos, vjen e më thotë: Bardha si e çon ti atë vajzë te “17 Nëntori”, kur ajo ka edhe vëllain, Nardin te Dinamo?. Edhe Alketa Docin, Emanuale Axhanin unë kam zbuluar.
Trashëgimtarët e familes Bardha e Fatmir Sharofi?
I pari Gerdi. Sapo mbeta shtatzënë, Fatmiri ja vuri ermin. Është djalë me thoshte dhe do e quajmë Gerd, si Gerd Myleri, futbollisti gjerman të cilin e kishte idhull. Pas 5 vertesh lindi Marseda. Edhe Gerdi luajti volejboll, ishte Ali Lulolli që e afroi, grumbulloi me kombëtaren e moshave. Ndërsa Marseda ekonomiste, sot është në Amerikë, kurse Gerdi, mësues te shkolla “4 Dëshmorët”.
Keni një periudhë qëndrimi në Gjermani?
Në 90-tën, djali u fut në ambasadën gjermane, por me Fatmirin shkuam e morëm. Gerdit i mbeti mëndja, pse e hoqëm, kështu u detyruam që pas disa vitesh gjeta mundësinë, me një skuadër volejbolli, shkova në Gjermani. Të gjithë lojtaret mbetën aty, vetëm katër drejtues u kthyen. Në Shtutgart, pas disa muajve, djali i Fatmir Frashërit, shok me Gerdin, nga Polonia erdhën së bashku aty. Ndërsa me Fatmirin dhe vajzën u bashkuam pak më vonë. Pas katër vitesh qëndrimi në Shtutgart me dëshirën tonë u kthyem. Pa dokumente nuk ishte e lehtë. Djali, vajza u martuan, vijuan jetën e tyre. Jam gjyshe me mbesa e nipër të rritur.
Vitet e punës, një Fatmir dhe edukues?
Fatmiri ka dhënë mësim te shkolla “Xhezmi Delli”. Më pas te “Konferenca e Pezës”. Për të vijuar si trajner profesionist me “17 Nëntorin” e djemve më pas edhe i vajzave. Doli në pension kur ishte mësues te Liceu Artistik “Jordan Misja”. Fatmiri ka qenë njeri i komunikueshëm, i dashur, radhë të nxehej, i mrekullueshëm si bashkëshort. I kujdesshëm edhe nga ana estetike. Kurrë të abuzonte, korrekt në gjithçka. Shkoja në pallat të sportit për të ndjekur ndeshjet kur ishte trajner. Një sezon, ishte edhe trajner i vajzave të Minatorit të Rrëshenit.
Znj. Bardha, sëmundja, amaneti, ndarja
Ajo lidhje, ajo dashuri do të ndërpritej, dhe shkak u bë prostata. Dhjetë vjet bashkëjetoi me sëmundjen. U nda nga jeta 4 shtator 2016, në moshën 79-vjeçare. Vetëm periudhën e fundit kur mjekët na informuan realisht për gjendjen shëndetësore të tij, e kuptoi. Kërkoi fëmijët dhe i tha: “Mamin ta doni ashtu siç e kam dashur unë”. Një humbje e madhe, e kam vuajtur dhe vazhdoj ta vuaj ndarjen me të, mungesën, dashurinë, praninë e tij. Askush nuk mund të ma zëvendësojë. Shtatori, tetori i çdo viti, ma rikthejnë atë, si dy muajt e ndarjes nga jeta dhe të lindje së tij.
/Gazeta Panorama