
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se do të ndërtojë disa statuja në nder të disa prej sportistëve më të njohur dhe të suksesshëm në botë, që kanë ndërruar jetë.
Trump tha se do ndërtohet një statujë për legjendën e Los Angeles Lakers, Kobe Bryant, një statujë për një prej boksierëve më të mëdhenj në historinë amerikane, Muhammad Ali dhe një statujë për lojtarin të parë afrikano-amerikan të bejsbollit që luajti në MLB, Jackie Robinson, të cilat do të vendosen në Kopshtin Kombëtar të Heronjve Amerikanë në Uashington.
Tre figurat e sportit amerikan, do të nderohen në këtë mënyrë pas vdekjes, së bashku me figura të tjera historike në SHBA.
Kjo nismë, të cilën Trump e prezantoi gjatë presidencës së tij të parë në vitin 2020, synon të nderojë individët që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në historinë dhe kulturën amerikane.
Ideja e Donald Trump përfshin statujat e 250 të famshmëve amerikanë, por edhe të afrikano-amerikanëve.
Bryant, pesë herë kampion i NBA-së dhe një nga basketbollistet më të mëdhenj të të gjitha kohërave, i bashkohet legjendarit Muhamed Ali në listën e të nderuarve.
Lista e përfshin emra si aktivistja Harriet Tubman, Rosa Parks, këngëtarja dhe pianistja Aretha Franklin, gruaja e Martin Luther King, Coretta Scott King, politikani dhe kundërshtar i skllavërisë Frederick Douglass, lojtari i parë afrikano-amerikan i bejsbollit që luajti në MLB, Jackie Robinson dhe pacifisti dhe mbështetësi i veprimit përmes rezistencës pasive, udhëheqësi i Lëvizjes Afriko-Amerikane për të drejtat civile të njerëzve me ngjyrë, Dr. Martin Luther King Jr.