Ndeshja e 17 shtatorit të vitit 1969 kundër Standardit të Liezhit me Panajot Panon në krah dhe pas një viti me Ajaksin, të dyja në Kupën e Kampioneve janë një ndër faqet e rëndësishme të karrierës së tij.
Dy kapitenët e skuadrave, Bukoviku i 17 Nëntorit dhe Tisen i Standard Liezhit, para fillimit të lojës.
“Ato janë dy takimet historike për mua”, kujton sot për “Panorama Sport” ishmesfushori i 17 Nëntorit historik, Arben Çela. I lindur më 16 korrik 1948, Çela luajti gjithë karrierën e tij me fanellën bardheblu, pikërisht nga 1966 deri në 1980.
Zoti Arben, te 17 Nëntori i viteve ‘65-‘70, jeni dy “Beni” në fushë, secili protagonist në këtë skuadër. Si e kujtoni?
Po e vërtetë, unë isha Beni i vogël, kështu më thërrisnin, ndërsa tjetri, Ben Bukoviku, ishte një lojtar i madh për klubin. Kur unë shkova te 17 Nëntori, isha maturant dhe atje gjeta një ekip kampion, me personalitete në fushë dhe në stol.
Kalojmë menjëherë tek shorti i Kupës së Kampioneve, që ishte me gogla kaq befasuese. Si e kujtoni vitin 1969?
Në atë sezon të Kupës së Kampioneve ishin disa skuadra me emër dhe nga 32 klube, kujtoj se nga Italia ishin Milani e Fiorentina, më pas Real i Madridit, Benfika, Fejnordi, Lidsi, Ferencvaroshi, Sëlltiku, Dinamo e Kievit, Sant Etien dhe deri te Legia e Varshavës, Cervena Zvezda e Gallatasaraji. Pra, edhe një nga këto klube mund të ishte kundërshtar i yni. Por, shorti përcaktoi belgët e Standardit të Liezhit, një emër i madh, përfaqësues i futbollit të vështirë e agresiv, por gjithashtu me pretendime.
Na tregoni ndonjë detaj nga nisja dhe si ishte udhëtimi deri në Belgjikë?
Udhëtim i gjatë, siç veprohej atëherë. Kemi ndaluar tranzit në Budapest dhe në ato dy-tre ditë qëndrimi aty kemi bërë disa seanca në një fushë pranë hotelit. Gjithçka e improvizuar, janë edhe disa foto. Pastaj, u nisëm drejt Liezhit. Ishte hera e parë për të gjithë një eksperiencë e tillë për ne në Belgjikë.
Lindin disa probleme të paparashikuara apo jo?
Të hënën në mesditë arritëm në Liezh dhe po atë mbrëmje ishte biseduar për një stërvitje në stadiumin ku do të zhvillohej ndeshja. Por, kur mbërritëm në stadium ai ishte i mbyllur. Ne reaguam dhe na dërguan në një tjetër fushë, në një aneks afër stadiumit, por që ishte pa ndriçimin e duhur dhe me pak bar. Favori që na bënë ishte se pas stërvitjes, na çuan të shihnim stadiumin ku do të luanim.
Atmosferë e zjarrtë përballë edhe një publik agresiv, si e kujtoni?
Tifozeri e madhe, mbi 25 mijë shikues, zhurmë, bori, disa orë para se të niste loja, që oshtinte në të gjithë stadiumin. Atmosferë e rëndë për ne, luanin në mbrëmje ora 20:00. Kjo ishte hera e parë për mua, po kështu edhe për disa lojtarë me pak eksperiencë në të tilla nivele. Kjo sigurisht nga pjesëmarrja e paktë në Europë, aq më tepër për 17 Nëntorin ishte vetëm ndeshja e dytë në Kupën e Kampioneve.
Ka një truk me emrat e lojtarëve tanë, si ndodhi?
Bëhet fjalë për futbollistët që kishim marrë si përforcim: Jani Ramën, portierin e Dinamos, që luajti me emrin e Bujar Tafaj, i cili ishte i dëmtuar. Po kështu edhe Gani Xhafa, mesfushori i Dnamos, që u aktivizua me emrin e Fatmir Frashërit, i cili pati një problem dhe nuk erdhi në Belgjikë. Ata ishin futbollistë të mrë dhe që trajneri jonë, Lym Alla, i pëlqente shumë. U aplikua ky truk që të luanim me emra të të tjerëve që ishin protokoll. Klubet kundërshtare, por edhe UEFA në atë kohë, nuk është se kryenin verifikime të hollësishme.
Patët edhe një përforcim “big” si Pano…
Në Belgjikë ishte edhe Panajot Pano. Kishte bërë një marrëveshje formale për të luajtur 6 muaj me 17 Nëntorin. Pra, deri në fund të fazës së parë, pasi për UEFA-n duhet të figuronte me klubin tonë. Njihej si lojtar i Partizanit në Kupat e Europës, kur një vit më parë kishte luajtur ndaj Torinos.
Si u prit Pano te Tirana?
E kam si një kujtim të veçantë në karrierë. Panon e morën si përforcim. Ishte një rast ideal që ai të rikthehej te 17 Nëntori, duke shfrytëzuar ato ndeshje. Për marrjen e Panos ishte një dëshirë e të gjithëve ne si lojtarë, tifozëve tanë, por edhe nga respekti, admirimi e vlerësimi që kishte trajneri Lym Alla. Ka qenë një grumbullim i mrekullueshëm në “Hotel Donika”, në stërvitje, udhëtimi, qëndrimi me Panon. Edhe ai ndjehej i kënaqur me ne. I thjeshtë, komunikues dhe mbi të gjitha një futbollist i madh.
Në ndeshjen e parë në Belgjikë u dëmtua, si ndodhi?
Belgët donin të fitonin thellë, ta siguronin kualifikimin që në ndeshjen e parë. Zhvilluan një lojë shumë të rëndë, pjesë e strategjisë, por është edhe karakteristikë e atij futbolli. Pano atje njihej mirë dhe duke ditur rrezikshmërinë e tij në pjesën e pare, i ndërhynë ashpër, duke e dëmtuar rëndë.
Nga ai çast, Pano qëndroi në fushë vetëm si figurë, ndonëse tentonte, por e kishte të pamundur. U zëvendësua nga Xhaçka në pjesën e dytë. Madje, kur u kthehem nuk luajti as në Tiranë. Një dëmtim që i zgjati disa muaj pa u aktivizuar.
Ndaj lojtarëve të tjerë pati ndërhyrje agresive?
Pati lojtarë që u dëmtuan, si Ishka, AlI Mema, Kazanxhi dhe Bukoviku. Skuadra nuk kishte mjek dhe nga Franca erdhi i mirënjohuri Panajot Boga, që ishte me studime aty. Madje edhe ai ka protestuar ashpër ndaj arbitrit për ndërhyrjet, si dhe dëmtimet e lojtarëve tanë. Arbitri qëndronte indiferent. Mjeku Boga i mjekonte, duke fashuar me akull, aq sa mundej.
Ju kujtohet si u zhvillua loja?
Lojtarët tanë e patën vështirësi ambientimin. Ndonëse presioni i tyre ishte i madh që në fillim, pjesa e parë u mbyll me një autogol të Kasmit. Ndërsa goli i dytë ngjalli polemika pa fund nga ne. Kanë qenë minutat e fundit të kësaj pjese, kur një lojtar i tyre godet nga larg, topi devijohet nga Rama dhe përplaset në shtyllën e sipërme, pastaj në tokë. Ka një tentativë nga një lojtar belg ta godasë, për Jani tregohet më i shpejtë dhe kap topin, duke e larguar drejt mesfushës. Për habi, arbitri pas sinjalizimit të asistentit jep gol dhe 2-0.
Vjen një moment që regjistron debutimin europian tuajin…
Ndaj belgëve kam luajtur nga një gjysmë pjese. Në Liezh, në pushim, profesor Lymi më thotë: “Dil në nxemje”. Para se më fuste në lojë, që ishte ndeshja e parë ndërkombëtare për mua as 20 vjeç, Alla më pa në sy, dhe më pyeti: “Ke frikë or çun?”. Tipike shprehje e tij kjo. Isha futbollisti më i ri, më me pak ndeshje ndërkombëtare dhe direkt në një takim të tillë. Kam zëvendësuar Gani Xhafën dhe mbuloja Tisen, kapitenin e Standardit me numër 5, që ishte i fuqishëm, aq sa unë dukesha sa gjysma e tij. Kisha emocion, unë me Ali Memën në fushë, tentoja të mos ja pasoja topin gabim, mos ta lodhja Liun.
Patët mundësi të shëtisnit në Liezh?
Të vetmen çfarë bleva atje, ishte një dhuratë e vogël për Xhavit Demnerin, në shenjë nderimi, respekti për njeriun, trajnerin që më hapi rrugën, më edukoi, për t’u bërë futbollist. Edhe ai u befasua kur ja kam dhënë, sepse nuk e priste.
Pas dy javësh në Tiranë luajtët ndeshjen e kthimit me Standardin…
Po, në një stadium të tejmbushur. Pati kureshtje të madhe për të parë një skuadër belge në Tiranë. Edhe në këtë takim, jam aktivizuar në pjesën e dytë, në vend të Niko Xhaçkës. Në atë ndeshje në portë luajti Jani Rama me emrin e tij, ndërsa u rikthye në formacion Fatmir Frashëri. Nuk pati ndryshime, por ishim pa Panajotin. Një rast i humbur ky edhe për publikun, të shihnin Panon e madh në “Qemal Stafa”, por me fanellën e 17 Nëntorit.
Keni një mundësi shënimi, si e kujtoni?
Në mes të pjesës së parë është dhënë goditje dënimi direkte për një faull të shkaktuar nga belgët ndaj Skënder Hykës në afërsi të vijës së 16 metrave. Të gjithë janë pozicionuar, në pritje të ekzekutimit të saj. Heshtje në stadium. Skema “liverpulçe” ka funksionuar Frashëri- Bytyçi “kombinim-mur”, me Ali Memën jo në vëmendjen e belgëve pas barrikadës.
I vetëm me portierin, ai goditi me kokë. Për ne dukej i sigurtë gol, por topi përfundoi në duart e portierit. Belgët shtangën nga kjo skemë, duartrokitën dhe të hutuar që nuk e panë topin në rrjetë, vështruan njëri-tjetrin dhe rifilluan lojën.
Ju kujtohet çasti i goli?
Kur gjithçka dukej e mbyllur me fitoren e tyre, në fund një harkim nga e majta para portës, solli çast pasigurie të mbrojtjes belge. Aty ndërhyri Xux Kazanxhiu me kokë dhe 1- 1. Interesant është fakti si Kazanxhi do të shënojë edhe pas një viti nga ajo portë, sërish me kokë, ndaj Ajaksit, që si me Standardin u mbyll në barazim, por me holandezët -2.
Pavarësisht nga rezultati 1-1 me kampionët e Belgjikës, vijnë kritika për ju pas ndeshjes. U habitët?
Ata e kishin thuajse të sigurtë kualifikimin nga rezultati i ndeshjes në Liezh. Shënuan edhe golin e parë. Ne tentuam, por përballë një skuadre të tillë ishte e pamundur. Nuk të lejonin të zhvilloje lojën që doje, të krijoje epërsi apo raste. Por, barazimi 1-1 i befasoi edhe ata, sepse nuk e prisnin. Kujtoj se në një shkrim të botuar në gazetën “Sporti popullor”, lojtarët tanë u vunë në akuzë, ata më kryesorët.
Nga kapiteni Bukoviku, te Hyka, Bytyçi, Mema dhe Xhaçka, për një nënvlerësim dhe jo mobilizim. Ky ishte motivi. Ndërkohë, në fundjavë, rikthehemi në kampionat, kur të dielën përballë Partizanit dolëm 0-0. Në atë sezon u shpallëm kampionë për të dytin vit radhazi. Më pas në shtator 1970, kishte një tjetër ndeshje për t’u kujtuar, pasi 17 Nëntori jonë ndali Ajaksin e Johan Krujfit. Një tjetër histori…
UVIL ZAJMI – PANORAMASPORT.AL