“Trofeu i thyer i Ligës Unike? Gjynahu foli me gojë”, Gorea: Arbitrat mos t’u fryjnë zarfeve, por… bilbilit

trofeu i thyer i liges unike gjynahu foli me goje gorea arbitrat mos tu fryjne zarfeve por bilbilit
trofeu i thyer i liges unike gjynahu foli me goje gorea arbitrat mos tu fryjne zarfeve por bilbilit

Pas pauzës për zhvil limin e Ligës Unike, basketbolli shqiptar rikthehet për “sprintin” final në kampionate, para “play off”-it. Në prag të pjesës së nxehtë të sezonit, presidenti i Teutës, Arqile Gorea, ka folur për ecurinë dhe pritshmëritë e skuadrës së tij.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Gorea e ka vënë theksin tek arbitrimi. Teksa pranon se ka një përmirësim në këtë aspekt, kreu i durrsakëve iu bën një apel thumbues gjyqtarëve, duke u kërkuar që mos t’u fryjnë zarfeve por bilbilit. Gorea gjithashtu ka komentuar edhe Ligën Unike, ndërsa nuk i ka kursyer as batutat për incidentin me trofeun e thyer.

Gorea, pas një sezoni me luhatje, Teuta duket se në këto javë të fundit ka gjetur rrugën e duhur. Si do ta komentoi ecurinë e skuadrës në këtë edicion?

Unë faktikisht e kam deklaruar që në fillim të këtij sezoni që do të jetë kampionat pak si rrumpallë, sepse ekipet ishin të papërgatitura për këtë lloj organizimi. Në mënyrë artificiale u ngritën vlerat e lojtarëve nga nevoja e ekipeve për tu furnizuar. Por gjithsesi unë dua të kthehem edhe një herë te “avazi” i vjetër, pra te trupa e arbitrimit. Nëse ne kemi pasur disa rezultate jo të mira, mund të përmend ndeshjen e Shkodrës, ku u dënuan arbitrat, gjithashtu ndeshja me Tiranën dhe ndonjë takim tjetër. Por të them të drejtën këto ndeshjet e fundit kemi pasur një farë përmirësimi, ose asnjanësie të trupës së arbitrimit. Kjo ndoshta ka ardhur edhe për shkak të masave që mori federata për këta arbitra që në vend që t’i fryjnë bilbilit, i fryjnë zarfit. Ky është vesi më i shëmtuar dhe tallje me mundin, sakrificat, seriozitetin dhe pasionin e njerëzve, të cilët i janë përkushtuar këtij sporti kaq të bukur. Tani shpresojmë që kjo erë pozitive të vazhdojë të fryjë dhe shpresojmë që në këto ndeshje që kanë mbetur të kemi një arbitrim korrekt dhe një monitorim të federatës në adresë të aktivitetit të gjyqtarëve. Sepse kuptohet që ata janë gjykatat e sportit dhe një gjykatë e njëanshme shkatërron drejtësinë, siç edhe një arbitrim i njëanshëm shkatërron sportin. Prandaj shpresoj që federata të na dëgjojë, të kryejë funksionet e saja dhe tu tregojë vendin këtyre pehlivanëve që u frynë zarfeve. Duke u rikthyer te kampionati, keni një ndeshje e vështirë kundër një rivali të fortë si Kamza.

Çfarë prisni nga ky takim?

Ne e kemi vlerësuar ndeshjen, pasi Kamza nuk është ekip i dobët, por është një skuadër që ka dhuruar spektakël dhe ndeshje të bukura. Gjithsesi, ne do të mobilizohemi për të ruajtur trendin pozitiv të ecurisë së ekipit tonë dhe për të marrë atë që na takon në këtë kampionat. Shpresojmë që do t’ia dalim.

Vetëm pak ditë më parë u mbyll edhe aktiviteti i Ligës Unike, ku edhe një herë u konfirmua superfuqia e skuadrave kosovare kundër ekipeve të Shqipërisë. Cili është komenti juaj për këtë kompeticion?

Dihet që ekipet kosovare janë jo vetëm me traditë, me infrastrukturë, por kanë edhe një sistem ligjor shumë më të kompletuar. Pra, Kosova ka sistemin e sponsorizimit të ekipeve, gjë që këtu nuk po aplikohet, por që duhet bërë patjetër. Një ekipi kosovar i shkon buxheti 1 milion apo 1.5 milion euro, ndërsa ekipet më me buxhetet më të larta në Shqipëri si Besëlidhja me Tiranën e kanë nga 200 apo 300 mijë euro. Pra 1/5 më pak sesa Kosova, mos të flasim më pas për ne skuadrat e tjera që jemi ku thërret qameti. Nuk e di si do të luhet basketboll me këto lloj raportesh, ku një lojtar paguhet me 20 mijë lekë në muaj, para të cilat nuk i dalin për kafe, jo më për ushqim. Por shpresojmë që gradualisht gjërat të përmirësohen dhe sezoni i ardhshëm të ketë fytyrë tjetër, si në kampionat, gjithashtu edhe në Ligën Unike.

Ndërkohë, në Ligën Unike patëm edhe një incident, me trofeun që u shpërbë pa u ngritur akoma lart gjatë festës…

Për atë që ndodhi me trofeun (qesh) më vjen ndër mend një shprehje popullore që thotë: “Foli gjynahu me gojë”, sepse faktikisht ishte për gjynah, duke qenë se asnjë skuadër shqiptare nuk u fut në katërshe. Ndoshta ishte një mallkim i gjendjes ku ndodhemi, duke ia bërë “haram” te Kupa. Ose ndoshta mos i ka “fryrë” trofeut në formë mallkimi, ndonjë anëtar i skuadrave të Shqipërisë.

Tashmë që po afrohemi edhe te pjesa e nxehtë e kampionatit, çfarë prisni nga “play off”-i?

Ne do të vazhdojmë betejën tonë me seriozitet për të marrë maksimumin e mundësive që kemi dhe pse jo të nderojmë ngjyrat e Teutës, e cila i ka dhënë tonin basketbollit shqiptar vitet e fundit, me 14 trofe të fituar.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →