
Zgjedhja për të mbajtur Vlahoviçin në pankinë ka qenë një zgjedhje teknike’. Kështu u shpreh Tiago Mota pas ndeshjes kundër Milanit.
Më pas, në Belgjikë, kundër Bryzhit, vjen e njëjta zgjedhje. Kjo është një zgjedhje që nëse e shohim në aspektin teknik, mund të themi se trajneri është ai që vendos, por në bilanc, pasojat janë padyshim ekonomike. Madje, shumë të mëdha. Arsyeja? Dushan Vlahoviç është investimi më i madh që Juventusi ka bërë në vitet e fundit. Një investim relativisht i madh, që rrezikon të “hidhet dëm”.
KARTONI– Sulmuesi serb, i lindur në vitin 2000, ka qenë blerja e fundit më e shtrenjtë e Juventusit të Andrea Anjelit. I ardhur në mes të sezonit 2021-2022, për të dhënë një kontribut jetësor në garën për një vend në zonën Champions (i arritur edhe fal 7 golave të tij). Ishte një operacion prej një klubi të madh, ku 70 milionë euro të ndara në tre këste iu paguan Fiorentinës, 10 milionë të tjera shkuan si komisione për agjentët dhe 1.4 milionë për kontributet e tjera. Në total, një operacion prej 81,4 milionë eurosh, i gjithi me një peshë në bilanc. Dhe nuk përfundon këtu, sepse shpnezimet për Vlahoviçin janë shtuar edhe pasi ka arritur disa objektiva që e kanë çuar në total 86.4 milionë euro blerjen e tij nga Fiorentina.
PAGA- Por llogaritë nuk bëhen vetëm me pagesat te klubi nga u ble. Vlahoviç u bë menjëherë një nga lojtarët më të paguar në kampin bardhezi dhe vazhdon të jetë më i paguari. Fillimisht merr 3.5 milionë euro për gjysmë sezoni në momentin që u ble. Më pas merr 8 milionë euro në sezonin 2022-2023, dhe po aq në sezonin pasardhës. Këtë sezon ai përfiton 10.5 milionë euro, ndërsa nëse qëndron edhe sezonin tjetër, paga e tij do të shkojë 12 milionë euro, por pa harruar faktin që është sezoni i tij i fundit në kontratë. Nëse i mbledhim të gjitha pagat dhe bonuset ekstra që ka marrë, Vlahoviç ka nxjerrë nga arkat bardhezi edhe 45 milionë euro të tjera.
Kjo do të thotë se për momentin investimi i bërë për Vlahoviçin i ka kushtuar Juventusit 130 milionë euro. Para të dala nga arkat bardhezi dhe që mund të përfundojnë “në kosh” nëse ai largohet me parametër zero. Rinovimi aktualisht mbetet peng, ndërsa opsioni më i sigurt për Xhuntolin është ta largojë që në janar. Por sa duhet ta shesë lojtarin Juventusi nëse nuk dëshiron të dalë me humbje të paktën në sezonin e fundit? Aktualisht në bilancin e Juves, Vlahoviç është amortizuar dhe kushton 28 milionë euro, ndërsa nëse shitet në verë, do të shkonte në 20. Sakaq, afrimi i Kolo Muanisë dhe zgjedhja e Motës për ta ulur në stol ka dhënë disa mesazhe të qarta për situatën ku ndodhet sulmuesi serb.
PANORAMASPORT.AL