Elon Musk paditi kompaninë OpenAI dhe themeluesin e saj, drejtorin ekzekutiv Sam Altman, për atë që e quan tradhtim të qëllimit për t’i shërbyer njerëzimit, duke i shërbyer në vend të kësaj përfitimit personal.
Në padinë e paraqitur në gjykatën e lartë në San Françisko, miliarderi Musk tha se kur financoi krijimin e kompanisë OpenAI, ai pati arritur një marrëveshje me zotin Altman dhe presidentin e kompanisë Greg Bockman, për ta mbajtur kompaninë e inteligjencës artificiale në formën e një organizate jofitimprurëse që do të krijonte teknologji në të mirë të publikut.
Sipas marrëveshjes së themelimit, kompania OpenAI do ta bënte gjithashtu të disponueshëm për publikun kodin e saj, në vend që ta shfrytëzonte atë ekskluzivisht për përfitimin privat të kompanisë, thuhet në padi.
Megjithatë, duke hyrë në një raport të ngushtë me korporatën Microsoft, kompania Open AI dhe drejtuesit e saj të lartë i “vunë zjarrin” marrëveshjes dhe “tjetërsuan” misionin e kompanisë, thuhet në padinë e zotit Musk.
Kompania OpenAI nuk pranoi të komentojë të premten për këtë padi.
“OpenAI, Inc. është transformuar defakto në një nëndegë të mbyllur për publikun të kompanisë më të madhe teknologjike të botës: Microsoft-in”, thuhet në padinë e paraqitur të enjten. “Sipas Bordit të saj të ri, ajo jo vetëm që po prodhon, por edhe po përmirëson një produkt të inteligjencës artificiale (AGI) për të maksimizuar fitimet për Microsoft-in, në vend të përfitimeve në të mirë të njerëzimit”.
Sistemet e inteligjencës së përgjithshme artificiale (AGI – Artificial General Intelligence) mund të kenë rezultate po aq të mira sa njerëzit, madje ndoshta edhe më të mira, për një shumëllojshmëri funksionesh.
Padia e zotit Musk bazohet tek thyerja e kontratës, tek shkelja e besimit dhe tek praktikat e padrejta të biznesit. Zoti Musk kërkon gjithashtu lëshimin e një urdhri nga gjykata që do t’ia ndalonte kompanisë Microsoft të përfitojë nga teknologjia e kompanisë OpenAI.
Zoti Musk ishte një investitor i hershëm në kompaninë OpenAI kur ajo u themelua në vitin 2015 dhe ishte bashkëdrejtues në bordin e saj, së bashku me zotin Altman. Në padinë e zotit Musk thuhet se ai investoi “dhjetëra miliona” dollarë për laboratorin kërkimor të këtij entiteti jofitimprurës.
Zoti Musk dha dorëheqjen nga bordi në fillim të vitit 2018. Në atë kohë, kompania OpenAI tha se ky ndryshim do të parandalonte konfliktin e interesit, ndërsa drejtuesi i Teslas po rekrutonte punonjës të talentuar në fushën e inteligjencës artificiale, për të krijuar teknologjinë e drejtimit automatik të makinave elektrike që prodhon kjo kompani. “Kjo do të eliminojë konfliktin e mundshëm në të ardhmen për Elonin”, thuhet në një postim të kompanisë OpenAI të bërë në shkurt 2018. Që nga ajo periudhë, zoti Musk ka thënë gjithashtu se kishte mosmarrëveshje për drejtimin që po merrte kompania e re, por ai vazhdoi të dhuronte fonde për këtë entitet jofitimprurës.
Në vazhdim të atij viti, kompania OpenAI paraqiti dokumentacionin për të krijuar një nëndegë fitimprurëse dhe filloi të zhvendosë pjesën më të madhe të personelit drejt këtij biznesi, por mbajti në fuqi një bord jofitimprurës drejtues për të qeverisur kompaninë. Kompania Microsoft bëri investimin e saj të parë prej 1 miliard dollarësh në këtë kompani në vitin 2019 dhe në vitin pasues firmosi një marrëveshje që i dha kësaj korporate gjigante të programeve kompjuterike të drejta ekskluzive tek prototipet e inteligjencës artificiale. Kjo liçencë supozohet të skadojë kur OpenAI të ketë arritur plotësisht inteligjencën artificiale, thuhet në njoftimet e vetë kompanisë.
Paraqitja publike në fund të vitit 2022 e programit ChatGPT i dha famë botërore kompanisë OpenAI dhe ndihmoi për të ndezur një garë mes kompanive teknologjike, për të përfituar nga interesimi i publikut për këtë teknologji.
Kur bordi i saj shkarkoi papritur zotin Altman nga posti i drejtorit ekzekutiv, për arsye që ende nuk janë bërë të ditura, ishte kompania Microsoft që ndihmoi për rikthimin e zotit Altman si drejtor ekzekutiv dhe në vazhdim dorëheqjen e shumicës së bordit të vjetër. Në padinë e zotit Musk thuhet se këto ndryshime shkaktuan “rrëzimin brenda natës” të sistemit të kontrollit dhe balancës që mbronte misionin e këtij entiteti jofitimprurës.
Një ndër pretendimet e zotit Musk është se drejtuesit e kësaj organizate jofitimprurëse nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre për të zbatuar misionin e saj. Sidoqoftë, Dana Brakman Reiser, profesore në Shkollën Juridike të Bruklinit, është skeptike që zoti Musk të ketë bazat e duhura për të ngritur këtë pretendim.
“Do të ishte shumë shqetësuese nëse çdo person të cilit i intereson një organizatë bamirëse, apo i jep asaj donacione, mund të padisë papritur drejtuesit e saj dhe zyrtarët, duke thënë se ‘nuk po bëni çfarë unë mendoj se është gjëja e duhur për të drejtuar këtë organizatë jofitimprurëse’,” tha ajo. Në përgjithësi, vetëm drejtuesit e tjerë, apo p.sh. një prokuror i përgjithshëm, mund të paraqesin një padi të tillë, tha ajo.
Edhe nëse zoti Musk ka investuar për këtë entitet jofitimprurës, ankesa e tij kryesore duket se është se organizata po bën fitime të tepruara në shkelje të misionit të saj, që përfshin edhe bërjen e teknologjisë së saj të disponueshme për publikun.
“Jam e interesuar që entitetet jofitimprurëse ta ndjekin misionin që kanë vendosur dhe të mos kapen nga të tjerë për arsye fitimi. Ky është një shqetësim real”, tha zonja Brakman Reiser. “Nëse Elon Musk-u është personi i duhur për ta ngritur këtë pretendim, për këtë nuk jam shumë e sigurt”.
Pavarësisht bazave ligjore të këtyre pretendimeve, një debat i nxehtë në sallën e gjykatës mes zotit Musk dhe zotit Altman do t’i ofronte publikut një vështrim mbi debatet e brendshme dhe vendimmarrjen në kompaninë OpenAI, megjithëse avokatët e kompanisë pritet të luftojnë që ta mbajnë konfidenciale një pjesë të dokumentacionit.
“Zbulimi do të jetë epik”, shkruajti investitori Chamath Palihapitiya të premten në platformën X, në pronësi të zotit Musk, i cili iu përgjigj me një “Po” – komenti i vetëm publik i tij deri më tani për këtë çështje./ VOA
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co