Itali-Shqipëri, dueli ku pothuajse të gjithë e njohin njëri-tjetrin dhe nuk kanë shumë për të fshehur, si shtatë titullarët e mundshëm të Kombëtares shqiptare, por edhe 80 për qind e formacionit blu që luan në Serinë A. Teksa ekipi i Spaletit po përballet me frikën e dëmtimeve që mund të sjellë disa mungesa të shtunën, Silvinjo nga ana tjetër ka në mendje dy formacione për të surprizuar Italinë.
VARIANTI 1- Me një 4-2-3-1, ashtu siç Silvinjo ka luajtur në të shumtën e ndeshjeve, në portë Berisha dhe mbrojtja do të formohet me Hysaj, Ismajli ose Ajeti, Gjimshiti dhe Mitaj në krahun e majtë. Nëse do të zgjidhet ky modul, atëherë edhe mesfusha mbetet e pandryshuar, me tre futbollistët që luajnë në Serinë A: Asllani, Ramadani dhe Bajrami përpara tyre. Ndërkohë nga krahët, Jasir Asani edhe pse nuk është në formën më të mirë të mundshme nga ana fizike, kjo për shkak edhe të mosaktivizimit në një takim prej muajsh, sërish në atë krah është i avantazhuar për ta nisur nga fillimi, e imponuar edhe nga cilësitë e tij dhe nuhatja për të shkuar te goli, gjë të cilën e provoi edhe me një goditje të lirë ndaj Lihtenshtejnit. Në krahun tjetër është Taulant Seferi, sulmuesi që bën shumë mirë fazën mbrojtëse dhe fillon ju hap punë mesfushorëve që në gjysmëfushën e tyre. Në ndeshjet kualifikuese, ish-sulmuesi i Tiranës është preferuar në këtë pozicion, megjithatë mbetet për tu parë. Në qendrën e sulmit, duke parë edhe karakteristikat si një lojtar i shpejtë dhe shpërthyes që mund të kapë në befasi mbrojtjen kundërshtare, titullar pritet ta nisë Armando Broja. Silvinjo i dha sinjalet edhe në miqësoret e luajtura, ku e aktivizoi 22-vjeçarin nga minuta e parë në të dyja ndeshjet, edhe pse në stol ishte Manaj me 18 gola në Turqi dhe Daku me 10 gola në Rusi.
VARIANTI 2- Ndërkohë, i vetëdijshëm që përballë ka kampionët në fuqi të Europës, Silvinjo mund të shtojë forcë në mesfushë. Me një sistem 4-3-3, në mesfushë mund t’i hapet vend Qazim Laçit, një lojtar që vrapon shumë dhe armën më të fortë ka grintën. Me “luftën” që mund të bëjë Laçi në këtë repart, i mbështetur edhe nga Ramadani dhe Asllani që nxjerr topin, Bajrami spostohet në krah, aty ku Seferi mund të sakrifikohet. Braziliani nuk do ta provojë për herë të parë, pasi e ka aplikuar diçka të tillë edhe në miqësoren e marsit me Suedinë, ku përpos rezultatit, kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje shumë të mirë. Kalimi i Bajramit në krah, mund të jetë një armë shtesë për ekipin, duke qenë se 25- vjeçari është një lojtar i shpejtë, teknik, futet nga brenda dhe godet portën edhe nga jashtë zonës.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co