Gjykata Kushtetuese ka nisur seancën mbi padinë ndaj ligjit të taksimit të profesioneve të lira. Për këtë ligj, janë depozituar tre padi, ndërkohë që palët kanë paraqitur argumentet e tyre. Pasi janë parashtruar argumentet, trupa gjykuese është tërhequr në lidhje me kërkesat paraprake.
Ndërkohë avokati Marash Logu që përfaqëson deputetët e opozitës që kanë depozituar padinë ngriti shqetësimin se bashkimi i tre padive duket sikur kufizon objektin e tyre, që është shfuqizimi për të gjitha profesionet dhe jo për disa kategori.
“Ne kemi kërkuar të shfuqizohet neni 24 pika 2, neni 69 pika 1 gërma dh, fjalia e dytë e ligjit 29/2023 për të gjitha profesionet e lira, ndërsa në objektin e rishikuar duket sikur ne kërkojmë vetëm për profesionet e kontabilistit, ekspertët kontabël dhe ligjor dhe profesionet e avokatit. Në këtë kuptim duket sikur objekti i kërkimeve tona është reduktuar, megjithëse nuk ka një kërkim të tillë nga ana jonë. Pra nuk duam që të reduktohet kërkesa jonë. Në kërkesën që kanë bërë 1/5 e deputetëve të PD kërkohet shfuqizimi me efekt për të gjitha profesionet e lira dhe jo një kategori.
Kërkesat për pezullim duhet të merret parasysh, të shqyrtohet në një periudhë sa më të shpejtë. Kërkesa jonë është dorëzuar në shkurt të 2024, kanë kaluar 4 muaj dhe me kalimin e kohës edhe karakteri i urgjencës fillon të zbehet. Unë do kërkoja që për kërkesën që kanë të bëjnë me pezullimin e akteve ligjore të respektohet ajo që është afati i parashikuar në nenin 27 i rregullores, që parashikon një afat 10 ditor dhe vetëm në një rast përjashtimor mund të shtyhet”, tha Marash Logu.
Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë bashkë të treja paditë e depozituara për shfuqizimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”. Padia e parë në Kushtetuese u depozitua në muajin shkurt 2024 nga 37 deputetë të grupit parlamentar të PD-së. Më pas në muajin Mars u dërgua një tjetër kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Miratuar (IEKA).
Ndërsa në një padi të tretë më 19 Prill depozituar në Gjykatën Kushtetuese, iu bashkuan masivisht 400 profesionistë, si: avokat, përkthyes, financiarë, agjentë të shitjeve të pronave etj, edhe shoqata biznesi.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co