“Kur të thërret Juventusi nuk duhet të mendohesh, por menjëherë duhet t’i thuash po”. Ka mjaftuar kjo fjali që Niko Gonzalez të vjedhë zemrat e çdo juventini në prezantimin e tij përballë mediave që vjen pikërisht pas golit të realizuar në Champions ndaj holandezëve të PSV.“Të shënosh me këtë skuadër është një ëndërr. Jam shumë i lumtur për golin, por edhe për faktin që ndodhem këtu”, shprehet fillimisht sulmuesi argjentinas që më pas i thur elozhe shokut të tij të repartit Dushan Vlahoviç. “Dushanin e njoh dhe e shoh që është përmirësuar shumë. Kur e kam parë herën e parë kam thënë që ky është një lojtar shumë i fortë. Nuk po shënon prej tri ndeshjesh, por e ka ndihmuar shumë skuadrën dhe jep gjithmonë maksimumin.”
Gonzalez flet gjithashtu për ambientin që gjeti në Torino dhe personin me të cilin u konsultua përpara se të fillonte aventurën e tij të re si bardhezi. “Ambienti më ka impresionuar shumë, nuk e prisja të ishte kështu. Përpara se të vija kam folur me Di Marian, Sulen dhe Dibalën dhe më kanë treguar se si funksionon këtu nga ana organizative.” Më pas vjen një koment edhe për trajnerin Tiago Mota. “Është një trajner i jashtëzakonshëm, me jep lirinë e nevojshme dhe gjithçka më duhet në fushë për të bërë më të mirën. Ai na kërkon që ne të marrim më shumë përgjegjësi dhe të luajmë një futboll të bukur. Jemi në rrugën e duhur. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe kompaktë, kjo gjë do të na çojë drejt rezultatit pozitiv”, thotë ndër të tjera Niko Gonzalez që tregon diçka më shumë edhe për zërat e merkatos gjatë verës dhe idhullin e tij. “Është folur shumë për mua gjatë asaj periudhe, por unë e kisha mendjen te Kupa e Amerikës.
Më pas gjatë pushimeve më telefonoi Juventusi dhe nuk u mendova fare, por i thash po. Sa i përket idhullit që kam, është Di Maria si brenda edhe jashtë fushe. Me mua ai është sjellë gjithmonë me modesti.” Në fund sulmuesi argjentinas ka dhe një mesazh përpara ndeshjes me Napolin. “Ne duam të marrim një rezultat pozitiv, për këtë gjë jemi duke punuar” përfundoi Niko Gonzalez në ditën e tij të prezantimit si lojtar i “Zonjës”.
PANORAMASPORT.AL