Sterjo Spasse, kush ishte shkrimtari i “pse”-ve, prozën shqiptare e çoi drejt modernizmit

sterjo spasse kush ishte shkrimtari i pse ve prozen shqiptare e coi drejt modernizmit





































Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit kujtoi dje, në 110- vjetorin e lindjes, shkrimtarin Sterjo Spasse (1914-1989).

Sterjo Spasse.1

Sterjo Spasse është një nga autorët më në zë në letrat shqipe pas viteve ‘30, prozator me kontribute të spikatura. Romani “Pse?”, i botuar në vitin 1935, mbahet si romani i parë filozofik i shkruar në Shqipëri, në gjuhën shqipe. QKLL shkruan se Spasse mbetet një prozator emblematik i atyre viteve, duke u larguar nga tematika e zakonshme romanore e kohës për të shenjuar dhe një tipologji të re të rrëfimit në historinë e prozës, të romanit shqip, duke e shpënë llojin letrar drejt modernizmit.

Sterjo Spasse lindi në Gollomboç dhe u nda nga jeta në Tiranë në vitin 1989. Spasse ishte me prejardhje maqedonase, i lindur në Gollomboç, njëri nga fshatrat maqedonishtfolës buzë liqenit të Prespës. Spasse shkollën fillore e kreu në Korçë, ndërsa shkollën Normale në Elbasan. Më pas nisi punë si mësues në fshatin Derviçan në jug të Gjirokastrës, ku nisi të shkruante romanin që njihet shkurt Pse!?.

Më vonë nisi një kurs me korrespondencë për pedagogji në Firence të Italisë, por nuk arriti të marrë provimet e fundit. Me Kutelin, Kokonën dhe Hakiun qe bashkëthemelues i të përkohshmes “Revista letrare” në Tiranë më 15 shkurt 1944. Në fundin e vitit 1944, pak pas fitores komuniste, ai e kishte botuar veprën e tij të parë të realizmit socialist në organin partiak, gazetën “Përpara” të Korçës: Si e pashë Tiranën e porsaçliruar. Po pas lufte punoi në Mininstrinë e Arsimit e Kulturës për hartimin e teksteve shkollore me Aleksandër Xhuvanin, Dhimitër Shuteriqin e Qemal Draçinin. Punoi, gjithashtu, në revistat pedagogjike dhe letrare: “Shkolla e re”, “Arsimi popullor”, “Literatura jonë”, “Nëntori”, etj. dhe pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë.

Ndërsa kohën e fundit e kaloi në Tiranë, si shkrimtar me profesion të lirë. Veprimtaria letrare e shkrimtarit Sterjo Spasses është e shumëllojshme. Shkroi punime pedagogjike, tekste shkollore, u mor me përkthime, shkroi artikuj të ndryshëm, monografi, tregime, romane, etj. Veprimtaria e tij, sidomos ajo letrare, zë fill që nga vitet tridhjetë të shekullit të kaluar. Kjo ishte një periudhë në të cilën shkrimtari Sterjo Spasse u dallua me krijimet e veta, sidomos në fushën e tregimit dhe atë të romanit. Botoi katër përmbledhje tregimesh: “Kurorë rinie” (1934), “Në krahët e një femre” (1934), “Nusja pa duvak” (1944) dhe “Të fala nga fshati” (1958) si dhe dhjetë romane: “Nga jeta në jetë – Pse!?” më 1935 – që mbahet si kryevepra e tij, “Afërdita” (1944), “Ata nuk ishin vetëm” (1952), “Afërdita përsëri në fshat” (1954), “Buzë liqenit” (1965), “Zjarre…” (1972), “Zgjimi” (1973), “Pishtarë” (1975), “Ja vdekje ja liri” (1978), dhe “Kryengritësit” (1983).

Redaksia e botimeve “Rilindja” i botoi në vitin 1968 një komplet veprash në tetë vëllime, ndërsa herë pas here ka botuar vepra të ndryshme. Më 1980-1985 iu botuan po ashtu në Tiranë botimi integral “Vepra”, me nëntë vëllime. Në vitin 1980 iu përkthye në anglisht romani “Zgjimi”. Kthimi në muze i shtëpisë së Sterjo Spasses në Pustec është një vlerë e shtuar për fshatin Gollomboç, por edhe për të gjithë bashkinë e Pustecit. Shtëpia e shkrimtarit është pajisur me objekte, të cilat janë përdorur prej tij apo edhe me dorëshkrime dhe dokumente.

Sterjo Spasse është një nga shkrimtarët shqiptarë më të rëndësishëm, me prejardhje maqedonase, në letërsinë shqiptare bashkëkohore nga fundi i shekullit të 20-të dhe autor i shumë romaneve dhe tregimeve. Ai ka luftuar për përdorimin e një gjuhe të përbashkët të vetme letrare në tekstet shkollore, në gazeta dhe në revista, për një abetare të unifikuar, duke qenë misionar i progresit, sidomos nëpër fshatra. Ai është një ndër shkrimtarët më të vlerësuar me çmime, para dhe pas vdekjes. Është nderuar me çmime të para kombëtare për romanet “Afërdita përsëri në fshat”, “Buzë liqenit”, “Zgjimi”, vëllimin me tregime “Të fala nga fshati” etj. Ka marrë Çmimin e Republikës i shkallës II për romanin “Ata nuk ishin vetëm” -1954. Urdhrin “Naim Frashëri” i artë (Pas vdekjes). Titullin “Nderi i Komunës” –Liqenas. Titullin “Nderi i qarkut”– Korçë, e shumë të tjera.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →