Nga BESNIK DIZDARI
Edhe kjo është pjesë e historisë sonë kombëtare në tërësi, pra jo vetëm sportive. Dhe duhet shumë mund për ta zbuluar e shpalosur. Sepse për fat nuk gjendet as te Wikipedia, – e kjo përveç të tjerave, dihet se është tejet e pasigurtë për t’u mbështetur e kopjuar tërësisht. E megjithatë, këto që po lexoni këtu, prej disa vitesh nuk përbëjnë ndonjë risi. E kemi shkruar apo shpërndarë vite të shkuara në faqet e librit, për fat, ende të pabotuar, të historisë olimpike të Shqipërisë, aq sa modeste ajo është.
Dhe ja që Olimpiada “PARIS 2024” të thërret, e ti duke pa se gjithçka humbet, ngaqë për çudi nuk ta rrëmbejnë as plagjiatorët, je i detyruar ta rishpalosësh, por tash edhe me një konceptim të ri.
Kështu pra. Na duhet të pranojmë se zyrtarisht Shqipëria për herë të parë ka qenë e pranishme në Lojërat Olimpike, në Berlin më 1936. Është historike dhe kurrsesi e thjeshtë, madje të nxit për një trajtesë gjakftohtë për të kuptuar shumë në lidhje jo vetëm me zhvillimin e sporteve në Shqipërinë e viteve ’30, por më tepër për një dëshirë e drejtim edhe gjeopolitik, teksa synohej qysh asokohe për te ajo që ne sot i themi integrim në shoqërinë perëndimore. Dhe gjithçka sa është relative, po aq është edhe paradoksale. Mbi të gjitha me çudira të mëdha!…
1. ÇUDITË MREKULLUESE TË OLIMPIADËS “BERLIN 1936”
Viti 1936 është një kulm i forcimit të Gjermanisë Naziste nën udhëheqjen e kancelarit Adolf Hitler. Olimpiada ishte një rast ideal për ta shpalosur madhështinë e kësaj Gjermanie si forca e Botës. Falë disiplinës, seriozitetit e mundësive të tyre të pashterueshme, gjermanët ia arrijnë të organizojnë Olimpiadën më të mirë që kishte njohur bota qysh nga e para, ajo e vitit 1896. Nëse sot shikon filmimet nga Olimpiada e Berlinit, sidomos të filmit epokal të regjisores Leni Riefenstahl, idhtarja më e fortë e vetë Adolf Hitlerit, e kupton se Berlini përfaqëson Olimpiadën më moderne të kohës.
Ishte pra viti 1936. Lufta dukej ende larg. Ndonëse Italia Fashiste vetëm pak javë më parë kishte pushtuar Etiopinë. Në Francë kishte triumfuar Fronti Popullor me Leon Blumin. Në Spanjë Gjenerali Franko i ishte sulur qeverisë spanjolle të Frontit Popullor të atjeshëm, duke nisur kështu Lufta Civile. Dhe një vit më parë Hitleri kishte denoncuar Traktatin e Versajës.
Ndërkaq, në Gjermani spikat shkëlqimi më paqtor që mund të merrej me mënd. Ky është dhe paradoksi historik. Gjermania kishte triumfuar unanimisht ndaj kandidaturës së Barcelonës për organizimin e Lojërave dhe Presidenti i CIO-s, belgjiani Henri de Baillet-Latour, kishte firmosur për Gjermaninë.
Ajo ishte Olimpiada e rekordeve:
* 3956 sportistë pjesëmarrës – më shumë se asnjëherë tjetër!
* 49 shtete – më shumë se asnjëherë tjetër!
* 328 sportiste femra – më shumë se asnjëherë tjetër!
Do të ishte Olimpiada e parë në historinë e njerëzimit që do të transmetohej në televizion! 25 ekrane u vendosen në Berlin dhe rrethinat e tij, që njerëzit të shihnin Olimpiadën. Ndërkohë që filmi i famshëm “Olympia” i Leni Riefenstahl -it, që përveç të tjerave, i thurte lavde regjimit nazist, do të ishte në qendër të vëmëndjes në mbarë botën, duke mbetur sot e kësaj dite një nga krijimet më profesionale dhe artistike të filmave sportivë dokumentarë të këtij zhanri. Pa harruar rastin e paprecedent të shtypjes çdo ditë të buletinit të Lojërave “Olympia Zeitung” në 300.000 kopje dhe në 14 gjuhë!
Padyshim në gjithë këtë organizim gjigand të paparë, mbi gjithçka spikasin ekzaltimet klasike teutonike, po dhe të miteve klasike me shqiponjat që mbushin gjithë Berlinin. Me kohë qe thënë se Adolf Hitleri nuk e dëshironte këtë Olimpiadë në Gjermani, duke e përcaktuar publikisht si “një festival i padenjë i sunduar nga hebrenjtë”. Por në kohë ka ndërhyrë Ministri i propagandës, Joseph Göbbels, i cili arrin ta bindë Fyhrerin se përkundrazi, Olimpiada do të ishte “një rast i mrekullueshëm për të shpalosë para botës imazhin e Gjermanisë dhe të regjimit me këmishë ngjyrë kafe, duke e shndërruar Olimpiadën në një makinë gjigande të propagandës”.
Kështu do të ishte, madje kjo dëshirë bën që të lihej për më vonë edhe rasti i organizatorit të saj, presidentit të Komitetit Olimpik të Gjermanisë, Dr. Franz Leward, për të cilin befas u tha se kishte origjinë çifute! Nga ana tjetër, presidenti amerikan Roosvelt vë veton kundër bojkotimit të Olimpiadës prej SHBA, duke përballuar një fushatë të fuqishme kundërshtuese që prej kohësh kishte plasur e nxitur nga funksionari i lartë i Washingtonit, Henry Morgenthau me origjinë po çifute. SHBA shkon në Berlin, humb Olimpiadën (33 medalje ari Gjermania, 24 SHBA) dhe presidenti i Komitetit Olimpik të saj, miliarderi i njohur, Avery Brundage, njeriu i cili Mbasluftës do të jetë për 20 vjet President i CIO-s, kur kthehet në Washington, deklaron me bujë: “Kemi shumë për të mësuar nga gjermanët”.
120.000 shikues presin dukjen e Fyhrerit në “Olimpia Stadion”, nën tingujt e Hymnit gjerman, marshit të nderit të Wagnerit dhe hymnit të Olimpiadës simbas muzikës të Richard Strauss, ndërsa në qiell fluturojnë 100.000 pëllumba të paqes – një ide befasuese e shtetit i cili mbas 2-3 vjetëve do të shpallte Luftën e Dytë Botërore! Një biondin me emrin Fritz Schilgen i jep jetë disa ditore flakës olimpike që del nga tubat e çelikta të Krupit, prodhuesi i madh i topave të luftës! Dhe fjalët sublime të çeljes që dalin nga goja e Fyhrerit, atij që mbas 40 muajve në gjithë botën, do të njihet si simbol i së keqes:
“Popuj. Qofshi miqtë e vendit tonë. Juve po iu çelim dyert, fjala jonë qoftë paqja. Olimpiada, festë e Paqes!”
E rrejshme, natyrisht.
Mandej shfaqet Kampioni Olimpik legjendë i 1896-tës, greku Spiridon Louis, i cili ka ardhur posaçërisht nga Athina për t’i dhuruar Fyhrerit degën e pemës së ullirit, që iu vihet si kurorë në krye, medalistëve. Ajo ishte Olimpiada e 4.5 milion spektatorëve nga e gjithë Gjermania, në dispozicion të të cilëve ishin vënë 1000 trena! Ishte dhe Olimpiada e zezakut fenomenal, Jasmes “Jesse” Owens – katër medalje ari (100, 200, 4×100 dhe së gjati) – që shumkush e quajti sfidë kundër epërsisë së racës së bardhë ariane! Teksa do të mbërrinim te episodi i sajuar rezistent deri në vitet e sotme, që thotë se Adolf Hitleri paska braktisë katër herë tribunën për të mos qenë i pranishëm në fitoret e racës së zezë mbi atë të bardhë! Histori e pavërtetë kjo…
2. ÇUDIA “SHQIPTARE” E FLAKËS OLIMPIKE DHE FTESA PËR “BERLIN 1936”
E them me siguri të plotë: në Shqipërinë e Mbretërisë asnjëherë si në atë vit 1936 të qeverisë së Mehdi Frashërit, sidomos shtypi, nuk është ndjerë më i lirë. “Arbënia” e Nebil dhe Ikbal Çikës (por jo vetëm ajo) është padyshim flamurtare e kësaj lirie dhe kritikuese e rreptë e dukurive penguese që mbart koha. Kështu, në numrin e 2 gushtit 1936, në faqen 4 të saj, “Arbënia” ka shkrimin e aperturës që zë thuajse krejt faqen, me titullin “Olimpiada e Berlinit dhe Federata “Vllaznia Shqipëtare”, ku më i rreptë, madje i pamshirshëm, është sidomos nëntitulli: “Federata na vuri një njollë të zezë”. Gazeta shkruan se “Federatës “Vllaznia Shqiptare” i mungon inisiativa dhe kompetenca”. E, Federata “Vllaznia Shqiptare” është organizata sportive e kohës, një lloj Komiteti Olimpik i sotëm. Kryetar i saj ishte ministri i Arsimit, Dr. Nush Bushati.
Dhe ja çudia e madhe: më 1935 Komitetit Olimpik i Gjermanisë kërkon që Flaka Olimpike të kalojë për 1 kilometër edhe në Shqipëri, duke ia pasuar atë Jugosllavisë. Një delegacion olimpik gjerman kishte ardhur posaçërisht në Tiranë dhe përmes Legatës së Gjermanisë në Shqipëri, ishte pritur në Ministrinë e Arsimit, ku ishte takuar me kryetarin, sekretarin dhe nënkryetarin e Federatës së mësipërme, duke paraqitur edhe ftesën zyrtare për pjesëmarrje të Shqipërisë në Lojërat Olimpike të Berlinit, deri dhe me një përbërje prej “50 djemsh, gratis pa asnjë shpenzim”. Mësojmë ndërkaq, se Federata e paska refuzuar ftesën dhe propozimin për të pranuar të paktën shoqërimin e Flakës Olimpike në Kapshticë, duke e përcjellë atë përmes Bilishtit, Korçës e Pogradecit për në Jugosllavi. Kur në Athinë, Flakën e kishte shoqëruar vetë kryetari i bashkisë dhe në Jugosllavi e kishte pritur vetë regjenti Paul.
Çudia krejt të pazakontë, është ftesa gjermane, edhe pse Shqipëria nuk ishte anëtare e Komitetit Olimpik. Po mos ndoshta ajo “ishte “dhe ne kemi dalë prej tij Mbasluftës së Dytë, për t’u ripranuar më 1959? Një lloj pyetje pohuese kjo?!…
Mbase. Duhet mbërritur te një lloj Arkivi i nëndheshëm, si të thuash, për t’i zhdrivilluar këto fakte të “fshehura”, kur dihet se ende në Shqipërinë tonë vazhdon errësira mbi historinë kombëtare, sidomos asaj të viteve ‘30. E pra, këto janë vitet që themeluan sportin e Shqipërisë. Ngjet kështu edhe ngaqë ajo histori mbahet peng nga historianë të regjimit të shkuar, të cilët vazhdojnë të mbajnë monopolin e Arkivit, të Institutit, të Studimeve, të një klani, e tjerë e tjerë, por që edhe më fort na bën të mendojmë se e drejta për të dyshuar nuk mund të na mohohet assesi. Është pra shumë e çuditshme gjithë ajo ftesë për pjesëmarrje në Olimpiadën e Berlinit pa qenë anëtar i CIO-s (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar)…
3. ÇUDIA E THEMELIMEVE SPORTIVE TË SHQIPËRISË
Shqipëria dihej, kishte vetëm 12 vjet (1924- 1936) me shtet të rregullt të sajin, e pra shumë pak për të zhvilluar një sport kombëtar të stilit europian. Megjithatë, këto kaq pak vjet ne pretendojmë t’i përcaktojmë si 12 vitet e themelimit, apo të vënies të bazave të para të fuqishme për gjithë ecurinë e mëpastajme të sportit kombëtar. Që padrejtësisht sot e kësaj dite, me përjashtim të shkrimeve tona, vazhdojnë të injorohen, çka vjen për shkak të sëmundjes shqiptare që thotë se “gjithçka fillon me mua!”
Më 6 qershor 1930 Shqipëria kishte themeluar Federatën Sportive Shqiptare me emrin “Djelmnia Shqiptare”, e shtrirë me seksionet e saj në gjithë Prefekturat e Shqipërisë nën Patroneshën e Naltë të Sportit, N.S. Mbretënore Princesha Myzejen, për të vazhduar qysh nga 1935 me “Vllaznia Shqiptare”. Ndërkaq, në mënyrën më moderne, ajo ishte e ndarë në tri kategori: lojna sportive, atletikë dhe shumësportet e ndryshëm. Në fillim ajo ka kryetar Izedin Beshirin, mandej Musa Jukën dhe Dr. Mirash Ivanajn, ndërsa më 1936 ka kryetar të saj, ministrin e arsimit Dr. Nush Bushatin. Ajo ia kishte arritur t’i jepte një hov të paparë sportit kombëtar brenda një periudhe shumë të shkurtër. Dhe vështroni se çka themeluar deri në këtë periudhë:
Ka themeluar 6 Kampionatet e parë Kombëtare të Atletikës së lehtë (1929, 30, 31, 32, 33, 34); 6 Kampionatet Kombëtare të Futbollit (1930, 31, 32, 33, 34, 36); 4 Kampionatet Kombëtare të Notit (1931, 32, 33, 34); 2 Rrethet Çiklistike të Shqipërisë (1925 dhe 1936), ku ai i 1925-sës ishte i pari në Europë për amatorët. Shqipëria ishte pranuar ndërkaq, zyrtarisht anëtare e IAAF dhe në FIFA, që janë Federatat Ndërkombëtare të Atletikës së Lehtë dhe të Futbollit. Dhe kishte marrë pjesë rregullisht në 4 Kampionate Ballkanike të Atletikës së Lehtë (1932, 33, 34, 35).
4. ÇUDIA E SHQIPËRISË – “PJESËMARRËSE” PA SPORTISTË, POR ME MINISTRIN DR.NUSH BUSHATI
Siç u shkrua më sipër, më 2 gusht 1936 botohet kritika e pamëshirshme, ndërkohë që Olimpiada fillon më 1 gusht 1936. Dhe? Ka ditë që delegacioni shqiptar tashmë gjendet në Stadiumin Olimpik të Berlinit! Kuptohet që shtypi nuk është i mirëinformuar në kohë për praninë e Shqipërisë si shtet, si Federatë Sportive, si “Komitet Olimpik”. Çudi e madhe edhe kjo! Dhe ja që mbas mbarimit të Olimpiadës, shtypi, madje vetë kritikuesja më e fortë ndaj Federatës, gazeta “Arbënia”, sikur ndërron kah dhe i bën jehonë jo të paktë pranisë së Shqipërisë. Ndonëse pa pjesëmarrje me sportistë në gara e ndeshje.
Kështu apo ndryshe, Shqipërinë në një Olimpiadë e përfaqësojnë për herë të parë këta tre njerëz: Dr. Nush Bushati, Prof. Gaqo Gogo dhe kryeredaktori i “Sportit Shqiptar”, Anton Mazreku. E për historinë e gazetarisë sonë, këtu kemi të bëjmë pra, me Mazrrekun, i cili me reportazhet e tij të drejtpërdrejta nga Berlini – modele gazetarie këto – shndërrohet në gazetari i parë olimpik i Shqipërisë. Ia vlen që një herë tjetër t’i publikojmë këta reportazhe fort nderuese për historinë e gazetarisë shqiptare.
Dhe ja që “treshja jonë olimpike” ndodhet në tribunë pa përshëndetur asnjë sportist të tyrin! Është ajo që Anton Mazreku do ta titullonte në editorialin e tij të famshëm të këtij viti 1936: “Mësimi i mosvalëvitjes së flamurit tonë në Olympiadën e Berlinit”, të cilit i kemi kushtuar pak ditë më parë shkrimin e posaçëm, këtu, në “Panorama Sport”. Po Shqipëria gjithsesi, ishte aty…
Do të mbërrijmë ndërkaq te çudia, më saktë, te sensacioni më i bujshëm që mund të ishte menduar: Kancelari Adolf Hitler pret në selinë e tij në Berlin, Dr. Nush Bushatin – Ministër i Arsimit të Mbretërisë Shqiptare dhe kryetar i organizatës sportive kombëtare shqiptare “Vllaznia Shqiptare”! Dr. Nush Bushati kishte lindur në Shkodër më 1896, dhe ishte bir i Gaspër Bushatit, i njohur edhe përmes një veprimtarie tregtare, ndërsa nga nëna i përkiste familjes tjetër të mirënjohur Naraçi. Shkon për studime në Vienë për drejtësi, por ka një pasion të madh teatrin. Për këtë ndjek mësimet e regjisorit të famshëm, Max Goldman Reinhardt (1873-1943) – njeriu që formoi Aleksandër Moisiun. Dr.
Nush Bushati arrin të luajë deri në Berlin në “National Theatre at Neustrelitz” si dhe në “Insbbruck Theatre”, pa u shkëputur nga kurset e Profesor Reinhardt-it në Vjenë, po dhe nga veprimtaritë e tij të shumanshme politiko-shtetërore. Mëson aktrimin, por dhe specializohet si një regjisor, çka e ushtron pak më 1929-1930. Më parë, më 1922, në Vjenë, Dr. Nush Bushati mbaron drejtësinë, martohet me zonjushën Hansi Zdeborsky dhe papritmas më 1930 rikthehet në Shqipëri! Dr. Ing. Dr. Nush Bushati duhet të ketë jetuar ndoshta gati 15 vjet në Austri, sepse këtu ai kishte mbaruar edhe shkollën e mesme. Qysh më 1922-1923, kur ishte 26-27 vjeç, emërohet përfaqësues i Shqipërisë në Arkivin Austriak të Ministrisë së Jashtme të Austrisë. Synimi ishte që të hulumtohej në arkivin e famshëm perandorak austro-hungarez për dokumenta që i përkisnin historisë së Shqipërisë. Dhe ja fakti mjaft i rëndësishëm që për çudi, i përket vitit 1923.
Ai zgjidhet deputet i Shkodrës, së bashku me figura të shquara: Ambroz Marlaskaj, Hafiz Repishti, Halit Rroji, Ibrahim Gjyrezi, Hil Mosi, Iljaz Muka, Luigj Koliqi, Luigj Gurakuqi, Don Ndre Mjeda, Pjetër Bumçi, Shuk Gurakuqi, Xhemal Bushati. Dr. Bushati është pikërisht sekretar i këtij Kuvendi. Dhe përsëri në Vjenë, më 1924 si kryekonsull i Shqipërisë dhe Inspektor i Studentëve Shqiptarë në Austri. Mbërrijmë kështu te Qeveria e Fan Nolit, e rrëzuar tej, e më 1925, ai që do të bëhej “olimpisti” ynë i parë, siç po më pëlqen ta emërtoj, është midis deputetëve të cilëve iu hiqet titulli, duke qenë se është një nga ata të cilët gjatë dramës së 1924- trës kishte pranuar detyrë me rrogë, në këtë rast kryekonsull në Vjenë! Duke qenë njëkohësisht po aq pranë Teatrit! Imagjinoni një deputet edhe aktor!
Mirëpo, dihet: Ahmet Zogu si Ahmet Zogu! Oportunist i madh edhe me armiqët e tij.
Dhe krejt “natyrshëm” fiksojmë mbërritjen e befasishme të Dr. Bushatit në Shqipëri më 1930. Menjëherë ai është Sekretar i Përgjithshëm i Entit Kombëtar “Djelmënia Shqiptare”, prej ku më 6 qershor 1930 me dekretligj, do të themelohej edhe Federata Sportive Shqiptare. Kësisoj, duhet të pranojmë se Dr. Nush Bushati është ndër të parët drejtues kombëtarë të organizatës sportive në Shqipëri. Këtu është dhe lidhja e tij e parë institucionale me sportin kombëtar. Ta do mëndja se pikërisht për shkak të njohurive dhe kulturës së tij. Për këtë nuk ka një sensacion. Sensacioni qëndron te gjesti i Ahmet Zogut, tashmâ Mbret i Shqiptarëve, i cili e fton funksionarin e lartë të Qeverisë së Fan Nolit, të marrë ndër duar kulturën e sportin kombëtar dhe mandej deri arsimin kombëtar!
Më 1932 Dr. Bushati është deputet i Dibrës së bashku me Abdurrahman Salih, Abdurrahman Dibra, Fiqri Rusi, Hafiz Xhemali dhe Jashar Erebara, gjithnjë aktiv në jetën e vëndit, derisa mbërrin të emërohet ministër i Arsimit i Mbretërisë më 21 tetor 1935, post që e mban deri më 7 nëntor 1936 kur zëvendësohet nga Abdurrahman Dibra, njeriu i cili më 1938 do të përuronte ndërtimin e Stadiumit tonë Kombëtar. Stadiumi i Mbasluftës me emrin “Qemal Stafa”, stadium historik, sot i zhdukur pa mëshirë prej një qeverie “demokratike”. E, sa fort që kemi shkruar e kritikuar këtu në dy “Panoramat” duke mos u tronditur madje aspak prej auerolës së një servilizmi të pashoq që mbronte këtë rrënim të një historie të famshme të Shqipërisë…
Kishim mbërritur te viti 1936, çast historik në jetën e arsimit kombëtar: Shqipëria ka dhe 18 shkolla të mesme me 5201 nxënës dhe 253 mësues. Ky është një kulm edhe për “Ministrin inteligjent të Arsimit, Dr. Nush Bushatin”, siç e përcakton shtypi, njëkohësisht dhe kryetar i Federatës Sportive. Janë pikërisht shkollat e mesme epiqendra e krejt sportit kombëtar.
5. ÇUDIA E MADHE E PRITJES SHQIPTARE PREJ KANCELARIT TË GJERMANISË, ADOLF HITLER
Nuk arrijmë të marrim vesht, nëse Hitleri i ka pritur të gjithë kryetarët e delegacioneve olimpike të 49 shteteve pjesëmarrëse. Por është e pamundur që Hitleri me autoritetin e tij, me marrëdhëniet dyzuese, komplekse, të brishta e të fuqishme politike që mbarështronte në këtë periudhë me botën, të ketë pritur në audiencë të gjithë kryetarët e delegacioneve. E kësisoji, nuk dimë edhe nëse në olimpiadën e tashme “PARIS 2024, presidenti Macron të ketë, pritur nja 50 kryetarë qeverish a shtetesh të pranishëm.
Në Olimpiadën e Berlinit kanë qenë të pranishëm autoritete shumë më të larta se Dr. Nush Bushati i Shqipërisë, të tillë si Mbreti i Bullgarisë, Princi Trashëgimtar i Italisë, Princi Trashëgimtar i Suedisë, të cilët Hitleri mund t’i ketë pritur. Por nuk përjashtohet fakti, që Dr. Bushati, të ketë qenë i vetmi ministër i arsimit i një shteti europian i pranishëm në Olimpiadë, sepse vetëm Shqipëria kishte organizimin e saj unikal, ku Ministri i Arsimit ishte dhe kryetar i organizatës sportive kombëtare.
Nga shtypi mësojmë ndërkaq, se:
“Ministri i ynë i Arsimit, z. Dr. Nush Bushati, ishte në Gjermani edhe për të studiuar sistemin e organizimit t’ Arsimit Gjerman. Ministri i ynë ndejti në Berlin edhe për të pamë zhvillimin e lojnave olimpike, dhe si mik nderi pati pritje të përzemërta dhe mundi të njihet personalisht me Mbretin e Bullgarisë, me Princat e Italisë e të Suedisë, si dhe me shumë diplomatë të huaj që gjenden prezentë në këto gara”.
Njoftohet ndërkohë, se pritja që i bëhet ministrit Bushati prej autoriteteve gjermane, qe më se e përzemërt. Dhe se autoritetet gjermane, “edhe këtë herë nuk munguan të shfaqin admirimin e tyne për përpjekjet gjiganteske që po ban populli i vogël shqiptar i udhëhequn nga Zogu I, për të hyrë në radhë me popuj të tjerë në udhën e përparimit e të zhvillimit”.
Ministrit Bushati i vihet në dispozicion një veturë e posaçme gjatë gjithë kohës që ai ndjek garat e Olimpiadës, por ndërkohë ai viziton shumë shkolla e mjedise kulturore e sportive gjermane, me synimin për të marrë përvojë organizative. Ky është edhe një qëllim më vete i gjithë kësaj pranie të Shqipërisë në Lojnat e 11- ta Olimpike të Berlinit, ku gjithçka arrin kulmin me atë që përcaktohet si “audienca me kancelarin Hitler” e 9 ose 10 gushtit 1930.
Nuk jepen hollësira, përveç faktit se audienca krye më krye midis Adolf Hitlerit dhe Dr. Nush Bushatit, nuk ka qenë një takim më këmbë, por që ka zgjatur plot 40 minuta! Me gjuhën e diplomacisë shtypi thekson se midis tyre “pati një bisedim miqësor që zgjati 40 minuta”!
Për çka është biseduar? Sa ka qenë raporti politikë-kulturë-sport midis njeriut më të fuqishëm të asokohe dhe ministrit shqiptar të arsimit?…
Evenimenti nuk ndalon me kaq. Rëndësia merr udhë të pandalshme, kur mëson se ministrin e arsimit Bushati e presin rradhazi ministri jashtëm i Gjermanisë, von Neurath, madje mbi një orë në “bashkëbisedime të ndryshme”. Dhe mbas tij pritjet rradhazi personalisht nga Göbbelsi dhe Geringu! Dhe dihet se cilët ishin ata…
6. ÇUDIA E MËSIMIT UNIVERSAL TË OLIMPIADËS NGA PROF. GAQO GOGO
Ndërkaq, duhet thënë se para nisjes së Olimpiadës, në Berlin ka qenë i pranishëm edhe profesori i shquar i edukimit fizik, Irfan Tërshana, po dhe projektuesi ynë i mirënjohur i objekteve sportive, sot i nderuar me medalje të frymës olimpike nga vetë CIO-s. Ai ka ndejë shumë ditë në Berlin para fillimit të Olimpiadës me synimin për të marrë përvojë nga ndërtimi i objekteve të atjeshme.
Nuk ka dyshim ndërkaq, se një nga tre personazhet kryesorë të delegacionit shqiptar në Berlin, është Prof. Gaqo Gogo (1908-1991). Pa ngurim, Prof. Gaqo Gogon mund ta konsiderojmë personazhin më të rëndësishëm të sportit shqiptar të ushtruar, po dhe të kulturës fizike të Paraluftës. Gaqo Gogo është atleti i madh për ne në vitet ’30, rekordmeni i vrapimit të 400 metrave me pengesa dhe i dhjetëgarëshit qysh më 1934. Së bashku me Luigj Shalën, ai është i vetmi medalist (bronz) i një Kampionati Ballkanik po në 400 metra me pengesa, brenda dhjetëgarëshit, rekordmeni kombëtar po i dhjetëgarëshit – rekord i thyer vetëm nga mesi i viteve ’50. Mbi të gjitha, një nga themeluesit e sportit kombëtar, pedagogu i edukimit fizik të Liceut të Korçës, Gjimnazit të Shkodrës e të Tiranës, teoriku i parë i edukimit fizik në Shqipëri, autor i shkrimeve të pafund të fushës, organizatori i parë i manifestimeve të mëdha fizkulturore shkollore në Shqipëri – i vetmi sportist shqiptar i dekoruar me Urdhrin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” në 10-vjetorin e Mbretërisë (1938) dhe Mësues i Merituar më 1992. Ndërkaq, Gaqo Gogo është padyshim një protagonist i politikës monarkiste në mërgim, ku kaloi gjithë jetën e Mbasluftës. Dhe me çka ka dhënë, ende i panderuar siç e meriton, sidomos si akademist i parë i edukimit fizik në Shqipëri. Përveç të tjerave, një personifikim i fizikut atletik të të riut shqiptar, që ka mbetur deri në legjendë, si një Apollon skulptural, siç dhe është quajtur.
Prof. Gogo, i cili dihej që kishte studiuar pikërisht në Gjermani, është kthyer në Shqipëri nga Berlini më 14 gusht 1936 dhe në intervistën e gjatë që i jep shtypit shqiptar, ne do të gjejmë mësimin e madh universal që ai ka marrë nga Olimpiada e Berlinit. Ky njeri, i cili ka intervistuar më të madhin e Olimpiadës, Jesse Owensi-in legjendar, pohon se:
“Sado që kam kaluar periudhën akademike në stadiumin olimpik, pamja e tanishme më entuziazmoj dhe më bindi se asnjë komb tjatër, nuk do të qe në gjendje të kryejë një vepër të tillë. Secili komb shprehi bindjen se Olimpiada e XI që u zhvillua në Berlin si dhe ajo që u zhvillua dimrin e kaluar në Garmich – Partenkirchen, kanë qenë nga pikëpamja organizative me një format që i tregohet për herën e parë çdo kombi. Një format i tillë shërben njëkohësisht si një model, si një edukim dhe si një kulturë e re sportive”.
“Frymën e ndeshjes ne e kemi, – përfundon Prof. Gaqo Gogo, – por duhet një vullnet i fortë djerse që të vazhdojmë gjer në fund punën e angazhuar me anën e sportit, për t’ia arrirë qëllimit si përfaqësi olimpike. Le të shpresojmë për një punë sistematike dhe organizative për Olimpiadën e 1940-tës që do të zhvillohet në vendin e Niponëve”.
Por kjo Olimpiadë japoneze nuk u zhvillua kurrë, sepse paqja u shkatërrua prej Luftës, që për çudi mbërrinte po nga kjo Gjermani e paqes së Olimpiadës së Berlinit të gushtit të vitit 1936.
Prof. Gaqo Gogo jepte një premtim që buronte prej mrekullisë së Olimpiadës gjermane që kishte përjetuar për herë të parë si përfaqësuesi i kombit dhe shtetit të tij në Lojërat Olimpike. Qoftë dhe përmes pranisë së këtij themeluesi, i cili ishte sportisti dhe profesori më i madh i edukimit fizik në Shqipërisë e Mbretërisë, vetvetiu prania e Shqipërisë merr një konfirmim moral sportiv të sajin në Olimpiadën e parë të saj.
Shumë ngjarje do të rridhnin mbas atij viti të madh sportiv 1936 edhe për Shqipërinë Mbretërore…
Dhe duhej të kalonin plot 36 vjet të tjerë të shekullit XX, e të vinte viti 1972 që në mënyrën më fatale t’i takonte Shqipërisë Komuniste që t’i rikthehej Olimpiadës, kësaj radhe me sportistë të fushës, pikërisht në Gjermani: Munih 1972. Dhe me një rekord olimpik të paparë dhe me titullin botëror të Ymer Pampurit. E mandej, për 20 vjet të mëpastajme, po kjo Shqipëri do të bëhet shteti më bojkotues radhazi i olimpiadave në histori. Do të rikthehet më 1992 si Shqipëri Demokratike, për habi po me një bujë të rrallë: me Pirro Dhimën – Kampion Olimpik blatuar Greqisë, i cili kishte qenë i saji vetëm para disa muajve!
Dhe teksa po bëhesha gati t’i dërgoja gazetës këtë shkrim historik, vetvetiu më lindi kjo pyetje:
A vërtet kemi hyrë sot, mbas 88 vjetëve, në një rrugë shqiptare të zhvillimit të vërtetë modern olimpik? Aq më tepër teksa dy medalje të bronzta të sapo fituara, të ndihmojnë e të nxisin për t’i dhënë një përgjigje, pse jo, përimtuese kësaj pyetje për ecurinë e zhvillimin e fuqishëm të sportit shqiptar. Çka besoj mund ta shtjellojmë në shkrime të ardhshme…
* Ribotimi i këtij shkrimi është i rezervuar.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co