Sot në orën 21:00 në stadiumin “Gradski” të Banja Lukës, Egnatia luan një nga ndeshjet më të veçanta dhe të rëndësishme në historinë e saj.
Ekipi i Rrogozhinës së vogël në Shqipërinë e Mesme debuton në Ligën e Kampionëve, turneu më madhor në Europë për klube. Pasi pushtoi futbollin shqiptar në harkun e vetëm pak viteve, skuadra e Edlir Tetovës do të provojë të godasë me të parën ndeshjet ndërkombëtare. Përballë kampionëve të Bosnjës, rrogozhinasit do të kërkojnë të bëjnë surprizën në një ndeshje, ku zbresin si jofavoritë. Kampionët tanë do të tentojnë të marrin një rezultat që të paktën lë gjithçka të hapur në lidhje me kualifikimin.
ORAR I ÇUDITSHËM – Ndoshta nuk ju besohet, por Borac-Egnatia do të konkurrojë fort gjysmëfinalen e Europianit mes Holandës dhe Anglisë. UEFA ka vendosur që rrogozhinasit të luajnë në këtë orar, që duket tërësisht i papërshtatshëm për çdo tifoz shqiptar dhe boshnjak.
PA TIFOZË – Egnatia do të shkojë pa mbështetjen e tifozëve në këtë ndeshje vendimtare, pasi UEFA e ka konsideruar si të rrezikshme praninë e një grupimi të mbështetësve rrogozhinas në “Gradski Stadium”.
TETOVA – Para kësaj ndeshjeje për mediat ka folur edhe trajneri i kampionëve të dyfishtë të vendit tonë, Edlir Tetova. Trajneri shprehet se skuadra e tij është gati dhe se shpreson që të marrë një rezultat pozitiv në këtë transfertë të vështirë në tokën boshnjake. Nuk mungon as nota e protestës për mospraninë e tifozëve shqiptarë.
“Është hera e parë që luajmë në Champions League dhe do të bëjmë më të mirën. Dëshira ime ishte që ndeshja e parë të luhej në Elbasan, por edhe kështu është mirë, nuk do të jetë problem për ne. E pashë Boracin në ndeshjet përgatitore. Ajo që i zbukuron është se ata insistojnë në mbajtjen e topit. E mbajnë topin gjatë dhe presin momentin e duhur për të sulmuar. Ne kemi pasur disa ndryshime këtë sezon dhe prurjet kanë bërë mirë. Montenegro dhe Fernando morën oferta më të mira dhe zgjodhën më të mirën për veten e tyre në atë moment. Futbolli është i tillë. Egnatia fitoi tre trofe me mua në këto dy vite. Projekti dhe qëllimet e mia po shkojnë shumë mirë, përpiqem të bëj më të mirën time dhe vazhdoj t’i mësoj lojtarët e mi të jenë më të mirët. Periudha prej dy vitesh është e shkurtër, por nëse jeni i fokusuar, asgjë nuk është e pamundur. Nuk e kuptoj pse nuk do të kemi tifozë, por e di që tifozët donin ta shikonin ndeshjen nga tribuna dhe ta shijonin lojën. Si mund t’ia shpjegosh një fëmije të pasionuar se skuadra jote luan për herë të parë në Champions, por ti nuk mund të shkosh?”, – përfundoi Tetova.
ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co