Besa ka treguar “dhëmbët” edhe në Kupën e Shqipërisë teksa ka eliminuar Flamurtarin, rival direkt edhe në kampionat. Kavajasit e n shpallën publikisht se do luftonin në dy fronte dhe tani presin 15 janarin për t’u ndeshur me Vllazninë në turin e tretë.Një duel Kupe që të risjell në kujtesë dhjetëra sfida mes dy ekipeve më të vjetra në futbollin shqiptar. Mbrojtësi Joni Nurja që luajti si titullar në Kupës në një prononcim për “Panorama Sport” analizon ecurinë e Besës në kampionat dhe Kupë. Për Joni Nurjen, kualifikimi në Vlorë nuk ishte aspak i lehtë, por Besa ia doli fal përvojës së futbollistëve të saj. “Tashmë që jemi kualifikuar, jemi më të qetë se jemi fitues. Gjithsesi, ishte një ndeshje e vështirë përballë Flamurtarit. Ishim me fat që Kanu këtë radhë nuk gaboi dhe atë gol të shpejtë e ruajtëm deri në fund. Ishte një kualifikim i vështirë, ku si Flamurtari ashtu edhe ne, patëm raste të tjera për të shënuar.
Mendoj se përcaktuese në këtë kualifikim ishte përvoja e madhe, ku dihet që shumë shokë të ekipit kanë luajtur në Superiore dhe janë fitues titujsh e kupash. Tani do nisin edhe ndeshjet e vështira në Kupë, ku në turin e tretë na pret Vllaznia, fituese e disa trofeve, por edhe pretendentë në Superiore. Vllaznia mbetet ekipi i vetëm në Shqipëri që të lejon të luash futboll dhe do jetë një duel që sjell nostalgji te tifozët kavajas, pasi disa herë Besa e Vllaznia janë ndeshur në Kupë ndër vite”, u shpreh Nurja.
Sfida në Peshkopi
Kupa i lë vendin kampionatit, ku luhen ndeshjet e javës së 13-të në Kategorinë e Parë. Besa do të ketë një transfertë nga më të vështira, në Peshkopi ndaj Korabit. Këtë e pohoi edhe trajneri Mirel Josa pas kualifikimit në Kupë. Mbrojtësi i majtë, Joni Nurja, përtej shkallës së vështirësisë, nuk ngurron të shpreh hapur ambicien se Besa e ruan ritmin edhe kundër dibranëve. “Ndeshjet e deritanishme kanë treguar se ndaj kavajasve të gjitha ekipet luajnë fort, pasi Besa është ekipi më i fortë. Këtë e dimë mirë dhe përballë kësaj loje, ne i kundërvihemi në fushë, qetësinë, durimin, lojën e qartë dhe efektive. Këtë kemi bërë deri më tani dhe do vijojmë ta bëjmë.
Korabi në vitet e fundit ka qenë një ekip që na ka marrë shumë pikë, ndoshta edhe për faktin se nuk ka qenë ky grup futbollistësh. Kemi gjithë qetësinë, ambicien, egon dhe mbi të gjitha cilësinë e grupit për të kërkuar në Peshkopi fitoren. E përsëris se nuk do jetë aspak e lehtë, por si unë dhe gjithë grupi besojmë fort te mundësitë reale që kemi. Jemi në vend të dytë dhe kërkojmë që jo vetëm të qëndrojmë të dytët, por edhe ta kapim vendin e parë, pasi diferenca është vetëm 1 pikë. Ndeshje ka plot, por nuk duhet të gabojmë siç kemi bërë në Shijak, Lushnjë apo me Vorën në Kavajë”, përfundoi mbrojtësi Nurja.
FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL