Lara Kolturi vijon serinë e rezultateve pozitive në Kupën e Botës. 18-vjeçarja ka spikatur dje në mbrëmje në garën e slalomit që u zhvillua në Kurshevel të Francës. Kolturi u klasifikua në vendin e gjashtë me diferencë +1.48 nga kroatja Zrinka Ljutic, e cila u rendit në vendin e parë.
Pas zbritjes së parë jo në lartësinë e duhur, Kolturi ishte fantastike në zbritjen e dytë, duke u konfirmuar edhe një mes më të mirave të botës në skitë alpine. Me shumë interes në Kurshevel u prit edhe rikthimi i legjendës Mikaela Shifrin, i cila vinte në këtë garë pas një dëmtimi që e mbajti jashtë për 2 muaj.
Amerikania bëri mirë në zbritjen e parë, por gaboi në të dytën, duke e mbyllur në vendin e dhjetë me diferencë +2.04 nga kreu. Ndërkohë për sa i përket renditjes së përgjithshme në Kupën e Botës, Lara Kolturi pozicionohet në vendin e tetë me 408 pikë.
Kujtojmë që gjatë këtij sezoni në Kupën e Botës, Kolturi ka bërë historinë, duke u ngjitur dy herë në podium me flamurin e Shqipërisë, pasi ka siguruar dy vende të dyta në etapat e botërorit.
PANORAMASPORT.AL