Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali morën pjesë në takimin me fermerët e Qarkut të Tiranës, për prezantimin e “Skemës Kombëtare të Investimeve” me fokus zgjerimin dhe modernizimin e veprimtarive të fermerëve dhe blegtorëve, për të rritur prodhimin e produkteve shqiptare.
Në fjalën e tij, Veliaj u bëri thirrje fermerëve të pajisur me NIPT, që të dërgojnë aplikimet e tyre, deri në datë 8 nëntor, për të përfituar falas pajisje që lehtësojnë punën e tyre në fermë.
“Lajmi i mirë është se kemi edhe qendrën tonë të agro-përpunimit dhe tregtisë në Farkë. Praktikisht, aty ku është supermarkata apo qendra tregtare më e madhe në republikë, ne kemi bërë edhe qendrën më të madhe tregtare, tani për bujqësinë. Këtu kemi bërë investimin më të madh në fermë dhe në bujqësi”, tha ai.
Nga ana e saj, ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj u shpreh se kjo është një mundësi shumë e mirë për të gjithë fermerët.
“Vijmë nga një vit, i cili ka lançuar, ka implementuar skemën e subvencioneve të drejtëpërdrejta, një fond i qeverisë, i cili shkon për vit për të ulur kostot e fermerit, por aktualisht jemi duke dhënë informacion për skemën e investimeve në bujqësi, e cila synon rritjen dhe zgjerimin e kapaciteteve prodhuese në fermat bujqësore dhe blegtorale. E gjithashtu, në modernizimin e fermave tona për të rritur rendimentin, por njëkohësisht për të ulur dhe koston, e po ashtu, për të eleminuar disa nga problematikat në disa zona të Shqipërisë, e pse jo ndoshta edhe në Tiranë, të parandalojmë situatat që kushtet klimatike, ato që vitet e shkuara na kanë ekspozuar ndaj breshërit, të humbjes së produkteve në zonat e lindjes dhe jugut të Shqipërisë. E për këtë kemi vendosur në fokus edhe një investim në atë që është rrjetat anti-breshër. Sigurisht, akuakultura do vullnet e ne kemi sot mundësi të flasim dhe për këtë edhe pse ndoshta në qarkun e Tiranës mbase interesi do të jetë i munguar, por jemi duke folur për një investim në të gjithë Shqipërinë nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. Një mundësi që qeveria shqiptare me një fond prej 15 mln eurosh e bëri të mundur me Aktin Normativ më të fund”, tha Denaj.
Ndërsa ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu tha se: “Skema kombëtare e mbështetjes 2024 prek fermerët në të gjithë vendin dhe është një investim direkt tek prodhimi bujqësor. Nga takimet që kam patur në zonat rurale të Tiranës është theksuar nevoja e kësaj mbështetje dhe kjo është një mundësi e artë për të gjithë fermerët, një mundësi të cilën jo vetëm nuk duhet ta humbim, por duhet ta shfrytëzojnë për të rritur ekonominë e tyre familjare por edhe për të rritur ekonominë në tërësi të zonave rurale”.