Si t’i ruani të dhënat nëse ju vjedhin telefonin, “Apple” ka një opsion të ri për iPhone

si ti ruani te dhenat nese ju vjedhin telefonin apple ka nje opsion te ri per iphone

Kompania Apple përditësoi këtë javë programet e saj për telefonat inteligjentë me një opsion të ri quajtur “Mbrojtja e Pajisjes së Vjedhur”, që e bën shumë më të vështirë për hajdutët e telefonave qasjen në funksionet kryesore të tij. Kompania i bëri thirrje përdoruesve ta aktivizojnë menjëherë atë.

A duhet të aktivizojë funksionin e ri për mbrojtjen e pajisjes së vjedhur?

Programi për telefonat inteligjentë dhe iPad-et, u përditësua me një opsion të ri të krijuar për të penguar hajdutët që të fshijnë të dhënat e telefonave, me qëllimin për t’i rishitur. Po kështu, opsioni pengon qasjen tek Apple ID-ja, llogaria e përdoruesit, e cila përdoret për të hyrë në të gjitha shërbimet që ofron Apple-i, si dhe për t’i bërë të gjitha pajisjet të punojnë të ndërlidhura e pa probleme. “Mbrojtja e Pajisjes së Vjedhur” është një opsion i ri që përfshihet me versionin më të fundit të sistemit operativ iOS, 17.3.

Kompania Apple thotë se funksioni i ri është një shtresë, shtesë sigurie për përdoruesit e telefonave inteligjentë (IPhone). Kjo i jep zgjidhje një dobësie që hajdutët kanë arritur ta zbërthejnë e ta shfrytëzojnë për të bllokuar viktimat që të hyjnë në llogaritë e tyre në Apple, të fshijnë fotot apo gjithcka tjetër nga llogaritë e tyre në iCloud si dhe t’u zbrazin llogaritë e tyre bankare, duke gjetur fjalëkalimet e ruajtura në menaxherin e fjalëkalimeve të programit “Keychain”.

Apple nxori këtë funksion të ri për shkak të një rritjeje të numrit të vjedhjes së telefonave. Shumë raste të tilla janë publikuar në platformën “Reddit” dhe në artikuj të tjerë të botuar nga Los Anxhelosi deri në Londër, ku policia thotë se taktikat më të zakonshme të hajdutëve janë vjedhja telefonave nga xhepat, tavolinat e restoranteve deri tek rrëmbimi nga dora, hipur mbi motoçikleta.

Gazeta ‘Wall Street Journal’ botoi një artikull vitin e kaluar ku tregonte se si i vëzhgonin hajdutët viktimat e tyre teksa përdornin fjalëkalimet, para se t’u vidhnin telefonat.

Si funksionon opsioni “mbrojtja e pajisjes së vjedhur”?

Opsioni i ri “Mbrojtja e Pajisjes së Vjedhur” ruan gjurmët e “vendndodhjeve të ditura” të përdoruesit, si shtëpia ose vendi i punës, dhe shton shtresa sigurie shtesë me teknologji biometrike, që duhen kapërcyer nëse dikush përpiqet të përdorë pajisjen për të kryer funksione të caktuara, jashtë atyre zonave.

Opsioni i ri, gjithashtu, zvogëlon rëndësinë e fjalëkalimeve, të cilat hajdutët mund t’i vjedhin duke para nga dikë ose duke kërcënuar dhe detyruar viktimat t’i dorëzojnë ato. Ai favorizon funksionet “biometrike” për hapjen e pajisjes, si skanimi i fytyrës apo gishtërinjve, që janë shumë më të vështira për t’u kopjuar.

Kështu që, nëse një iPhone vidhet pas aktivizimit të “Mbrojtjes së Pajisjes së Vjedhur”, për fshirjen e të dhënave të telefonit, hajdutit do t’i kërkohej skanimi i fytyrës ose shenjat e gishtërinjve.

Kjo është mënyra e vetme për të hapur telefonin, funksioni i ri nuk lejon që dikush të përdorë fjalëkalimin apo ndonjë metodë tjetër të hapjes së telefonit.

Veprime të tjera që do ta aktivizonin këtë veçori nëse telefoni nuk është në një vend të njohur përfshijnë përdorimin e fjalëkalimeve të ruajtura në “Keychain” dhe metodat e pagesave të ruajtura në “Safari”, çaktivizimin e funksionit mbi humbjen e telefonit, aplikimin për një kartë të re Apple dhe përdorimin e telefonit iPhone për të konfiguruar një pajisje të re.

Ekziston gjithashtu një shtresë e dytë për të ngadalësuar hajdutët që përpiqen të hyjnë në infrastrukturën kritike të sigurisë së telefonit. Nëse dikush përpiqet, për shembull, të dalë nga një llogari në Apple, të ndryshojë fjalëkalimin ndërsa është në një vend të panjohur, ai ose ajo do të duhet të verifikojë identitetin përmes skanimit të fytyrës ose shenjave të gishtërinjve, të presë një orë dhe më pas të bëjë një skanim të dytë të fytyrës apo gishtërinjve. E njëjta gjë ndodh nëse ka përpjekje për ndryshim të fjalëkalimit të llogarisë në Apple, përditësim të veçorive të sigurisë, çaktivizim të funksionit “Gjej Pajisjen Time” dhe atij “Mbrojtja e Pajisjes së Vjedhur”.

“Vonesat për arsye sigurie është krijuar për të parandaluar një hajdut të kryejë operacione kritike, në mënyrë që pronari i pajisjes të ketë kohë të marrë masa për të mbrojtur llogarinë e tij në Apple”, tha kompania. “Kur telefoni juaj iPhone është në një vend të njohur, këto hapa shtesë nuk do të kërkohen dhe ju mund të përdorni fjalëkalimin e pajisjes si zakonisht.”

Si aktivizohet funksioni “mbrojtja e pajisjes të vjedhur”?

Është e thjeshtë, nëse dini ku të shikoni.

Së pari, shkarkoni dhe përditësoni me versionin më të fundit sistemin operativ iOS për telefonat iPhone ose tabletat iPad. Më pas shkoni tek sistemet e telefonit, hapni vegëzën me mbishkrimin “Face ID & Passcode” apo “Touch ID & Passcode” dhe futni fjalëkalimin tuaj. Lëvizni më poshtë dhe do të shihni opsionin “Stolen Device Protection” (“Mbrojtja e Pajisjes së Vjedhur”).

Në varësi të modelit të telefonit iPhone, do të duhet të prekni ose zvarrisni butonin për ta aktivizuar ose çaktivizuar këtë funksion. Para se të kryeni këtë operacion, ju duhet të aktivizoni verifikimin e identiteti me dy faktorë dhe funksionin “Find My Device” (Gjeni Pajisjen Time) në llogarinë tuaj në Apple. Funksioni i ri vlen për modelet më të fundit të telefonave, përfshirë modelet IPhone XS dhe ato IPhone SE të gjeneratës së dytë dhe të tretë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →