Kombëtarja do të nisë në mars kualifikueset e Botërorit. Kuqezinjtë e Silvinjos përballen fillimisht me Anglinë në transfertë, pikërisht më 21 mars.
Situata në qendrën e sulmit nuk është aspak frymëzuese. Duke qenë thuajse tri javë larg, vetëm dy lojtarë janë aktualisht aktivë dhe që mund të luajnë në qendër.
Bëhet fjalë për Taulant Seferin dhe Rei Manajn. Të dy po japin kontributin në Superligën turke, respektivisht me Bodrumspor dhe Sivaspor që janë në luftë për mbijetesë.
Në anën tjetër, disa sulmues të tjerë nga Kombëtarja po rikuperohen ose nuk kanë minuta në këmbë. Broja pësoi sërish dëmtim në janar, ndërsa pritet të rikthehet në mars. Tuci po ashtu është i dëmtuar prej fillimit të janarit ku luajti një miqësore me Malmon.
Kombëtarja do të vuajë po ashtu mungesën e minutave në këmbët e Uzunit dhe Dakut. Kampionati rus rifillon në mars dhe Daku pret mundësinë për të luajtur sërish ndeshje zyrtare.
Uzuni është një tjetër sulmues që mund të përdoret në qendrën e sulmit nga Silvinjo. 29-vjeçari kompletoi transferimin nga Granada te Austin në Amerikë. Dhe për të mungojnë minutat që nga viti i kaluar.
Koha nuk premton dhe sfida e parë me Anglinë është më e vështira e mundshme.
E.LOCI-PANORAMASPORT.AL