Ndryshe nga opozita, e cila vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Komisionet Hetimore e lexoi si fitore, mazhoranca mendon të kundërtën. Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj thotë se ligji për komisionet hetimore nuk është gjetur antikushtetues.
Sipas saj, ligji garanton transparencën e punës së komisioneve hetimore, ndërsa sjell edhe shembujt e dy komisioneve në veprim.
Felaj ironizoi opozitën duke thënë: Asgjë për t’u shënuar në këtë zheg vere nga një opozitë që e sheh shpëtimin edhe tek fija e kashtës.
“Një koment për “gjysma gjelët” e politikës që gjejnë fitore dhe aty ku ato nuk ekzistojnë. Së pari, ligji për komisionet hetimore nuk është gjetur antikushtetues, nëse kështu, do duhet të ishte shfuqizuar po sot! Dhe nuk kishte sesi, sa kohë që përshkrimi i objektit dhe i veprimit të komisioneve hetimore, i përmbahet mot à mot vendimeve të vetë kësaj gjykate në vite dhe sa kohë dhe vetë opozita pat propozuar të njëjtën gjë dhe asnjë gërmë më shumë! Asnjë antikushtetueshmëri nga ana e Kuvendit në procedurën e shqyrtimit dhe miratimit të ndryshimeve të propozuara në ligjin e komisioneve hetimore! Ligji garanton transparencën e punës së komisioneve hetimore, sikurse po shihet edhe me dy komisionet hetimore në veprim. Dyert e mbyllura nuk janë rregulli, por përjashtimi i nevojshëm ligjor dhe kjo është pranuar edhe nga Kushtetuesja, përndryshe i bie indirekt të rrëzoje edhe ligjin gjerman të komisioneve hetimore. Shkurt e qartë .. asgjë për t’u shënuar në këtë zheg vere nga një opozitë që e sheh shpëtimin edhe tek fija e kashtës”, shkruan Felaj.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co