Ardhja e Hansi Flik në stolin e Barcelonës ka nënkuptuar një revolucion të vërtetë në skuadër. Nuk po flasim për ndryshime radikale si largime apo afrime. Revolucioni është në një prizëm tjetër.
Thjesht duhet t’i hidhni një sy klasifikimit si në La Liga ashtu edhe në Europë. Në Spanjë, Barcelona zë vendin e parë, ndërsa në Champions League janë në mesin e tetë më të mirëve që japin akses direkt në 1/8 e finaleve.
Rekordet për sa i përket forcës sulmuese tejkalojnë çdo ekip në kontinent. Nuk është vetëm se Barça po fiton, por po e bën këtë duke ofruar futboll tërheqës, sulmues. Për më tepër, trajneri gjerman po i arrin të gjitha këto, duke u dhënë një rol të madh lojtarëve të rinj të ardhur nga akademia e klubit (La Masia).
Dëmtimet e kanë detyruar të afrojë lojtarë nga rezervat dhe rezultati ka qenë i shkëlqyer deri më tani. Lamin Jamal, Kasado, Kubarsi, Pau Viktor, Mark Bernal, Fermin Lopez, Gerard Martin janë vetëm disa nga të rinjtë që kanë shkëlqyer.
HOVI
Kjo garë mes lojtarëve të ardhur nga “La Masia” ka bërë që në vetëm tre muaj, kohë gjatë së cilës Flik ka qenë në stolin e Barcelonës, vlera e lojtarëve të rinj në treg është rritur ndjeshëm. Sipas faqes së specializuar të internetit “Transfermarkt”, në këtë periudhë kohore nëntë lojtarët më të rinj të skuadrës kanë rritur vlerën e tyre me 85.5 milionë. Një shumë e konsiderueshme për vetëm tre muaj.
JAMAL ËSHTË FLAMURMBAJTËSI
Lojtarit të cilit i është rritur më së shumti vlera është Lamin Jamal, vlera e tregut të të cilit është 150 milionë euro. Në fillim të sezonit ajo ishte 120 milionë euro, pra rritja e tij ka qenë 30 milionë, 25% krahasuar me vlerën e mëparshme. Një tjetër lojtar që ka marrë hov është Fermin Lopez që ka shkuar nga 30 në 50 milionë euro në këta tre muaj. N
ë këtë rast, përqindja e tij është më e lartë dhe rritet në 66%. Në total janë nëntë lojtarë të rinj që kanë rritur vlerën e tyre në këto tre muaj. Nga më të vlerësuarit, si rastet e Jamal dhe Fermin, deri tek ata, vlera e të cilëve është rritur më pak të gjithë kanë shënuar progres. Mes tyre janë futbollistë si Serxhi Domingez apo Gerard Martin, si dhe i dëmtuari Mark Bernal.
MADHËSHTORE
Për sa i përket vlerës së tregut që “Transfermarkt” u vendos futbollistëve, janë pesë futbollistë të stërvitur në “La Masía”, të cilët së bashku vlejnë 370 milionë euro: Lamin Jamal (150), Gavi (90), Fermin Lopez (50), Pau Kubarsi (40) dhe Alehando Balde (40). Lojtarë që do të kishin kushtuar një pasuri nëse Barcelona do të duhej të shkonte t’i kërkonte në treg.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL