
Një sherr në distancë mes trajnerit Xhan Piero Gasperini dhe sulmuesit Ademola Lukman, ka tronditur Atalantën më shumë se sa eliminimi i papritur nga Liga e Kampioneve. Dhe në klubin bergamask kanë filluar të shqetësohen se mos kjo do të ketë pasoja në vijimin e sezonit.
Gasperini nuk u kursye ndaj sulmuesit duke komentuar se ai nuk duhej ta kishte gjuajtur penalltinë ndaj Bryzhit pasi ishte “gjuajtësi më i keq i penalltive” që njihte. Lukman nga ana tjetër, hodhi poshtë këto fjalë duke e cilësuar edhe si mungesë respekti nga trajneri, pasi në fushë ia kishin kërkuar lojtarët e tjerë të gjuante.
Një situatë që mund të dëmtojë rëndë shanset e Atalantës për t’u kualifikuar përsëri në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm dhe kjo ka shtyrë drejtuesit që të organizojnë sa më parë një takim mes të dyve, para se ekipi të kthehet në stërvitje të enjten.
Sipas mediave italiane, drejtuesit do të ulen në tavolinë bashkërisht me trajnerin dhe sulmuesin, për të rivendosur paqen dhe për të bërë të mundur që sezoni të vijojë pa probleme. Por në Itali duken të bindur se pas kësaj përplasje. këto janë muajt e fundit të Lukman në radhët e Atalantës.
PANORAMASPORT.AL