Nicolo Fagioli ka lënë pas një nga momentet më të errëta të jetës së tij dhe tani po përjeton një ëndërr. Është në listën e trajnerit Spaleti për Europianin, por duhet të konfirmohet aty gjatë këtyre ditëve në stërvitje për të mos e humbur “trenin” e vërtetë që të çon në Gjermani. Mesfushori i Juventusit tregon ditët e vështira kur ka qenë i skualifikuar prej basteve, por edhe objektivin e madh për sezonin e ardhshëm që është titulli kampion.
A ju kanë ndihmuar shokët e skuadrës në këtë rrugëtim të vështirë?
Po. Të gjithë më kanë ndihmuar, duke nisur që nga klubi. Më rinovuan kontratën dhe më treguan shumë besim dhe afrimitet. Edhe trajneri Alegri dhe shokët, si Lokateli, Gati, Kieza, Bremer e Vlahoviç. Kam pasur gjithashtu edhe ndihmën e psikologut dhe kam luftuar për të dalë nga kjo situatë. Për të mbushur boshllëkun kam bërë edhe lojëra të tjera si tenis, padel apo takime të shumta. Për vite me radhë e mbajta këtë sekret për vete, ndërsa tani mund të flas haptazi për të ndihmuar edhe të tjerët.
Nëse je i varur nga bastet, kur e humbet këtë betejë?
Nuk e di. Di që unë nuk kam reshtur kurrë dhe nuk do të resht së luftuari ndaj saj. Do të isha gënjeshtar nëse do të thosha që tani nuk më shkon mendja, por dua që atë dominim që kanë bastet dua ta thyej duke menduar se sa keq më kanë bërë. Dhe nuk ka shprehje të tipit: Po e provoj vetëm një herë. Sepse ajo është diçka që të “thith” dhe nuk del dot kurrë prej saj. Tani mendoj që atë e bëjnë ata të dëshpëruarit dhe të dështuarit.
Në ndeshjet që u rikthyet u duk një Fagioli rilindur dhe me shumë dëshirë për të treguar talentin e tij.
Kisha një dëshirë të madhe për t’u rikthyer dhe për të bërë më të mirën. Më shumë kisha një lloj hakmarrje me veten sesa me të tjerët. Nga dita pasi përfundova skualifikimin nisa të stërvitem. Kam qenë 7 muaj në agoni dhe numëroja ditët një nga një. Jeta ime është këtu, në fushat e gjelbra, pak rëndësi ka nëse humbet apo fiton. Dua të luftoj për skuadrën dhe të shpreh talentin tim. Nuk duhet kurrsesi që të shpërdoroj mijëra euro. Kam humbur shumë, duke shkatërruar jetën dhe duke ndier një peshë të madhe përgjegjësie”.
E prisnit grumbullimin nga trajneri Spaleti?
Jo, por shpresoja. Tani do të jap jetën gjatë këtyre ditëve për të qenë në Europian. Nëse nuk ia dal, sigurisht që do të bëj tifo për kombëtaren italiane. Kam nisur të luaj futboll në moshën 4-vjeçare dhe 16 vjeç u shkëputa nga familja sepse më kërkoi Juventusi. Nëna ime është në punë, ndërsa babai merret me shpërndarjen e ilaçeve. Kanë qenë shumë të shqetësuar për mua. Tani e di sa të lumtur janë dhe shpresoj të jenë krenarë kur të më shohin me fanellën e kombëtares.
A do të jeni ju organizatori i së ardhmes për Juventusin?
Do të më pëlqente. Unë rolin tim kryesor e kam fantazist, por është një rol që po zhduket. Pastaj Pirlo dhe Alegri kanë menduar se unë mund të luaj edhe përpara mbrojtjes për të kontrolluar lojën. Ndihem gati për ta bërë edhe pse kam një dëshirë të madhe që ndonjëherë të shënoj gol. Juventusi do të luajë në 5 kompeticione dhe do të kemi shumë ndeshje, praktikisht 1 në 3 ditë. Kjo është ajo që më pëlqen mua. Dhe vitin tjetër, objektivi kryesor i Juventusit sigurisht që është fitorja e titullit kampion.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co